Connect with us

Kosova

Qeveria që ngeci dhe mesazhi që la pas ‘Kurti 3’/ Në horizont zgjedhje të reja

Dështimi në Kuvendin e Kosovës rrënoi edhe njëherë dëshirën e Lëvizjes Vetëvendosjes për të qeverisur  e vetme – seanca e së dielës, ku vetëm 56 deputetë votuan në favor të kabinetit të ri qeveritar, tregoi se modeli i qeverisjes pa partnerë e pa marrëveshje politike nuk mund të funksionojë në një sistem pluralist e demokratik.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, mandatar për kryeministër, deklaroi para deputetëve se përpjekjet për të ndërtuar një shumicë qeverisëse nuk dhanë rezultat. Ai tha se asnjë prej subjekteve parlamentare, të cilave iu është bërë ofertë, nuk ka pranuar të hyjë në koalicion, edhe pse, sipas tij, vota e qytetarëve tregoi nevojën për bashkëqeverisje.

Kurti ka refuzuar në mënyrë të përsëritur logjikën tradicionale të kompromisit. Ai ka preferuar të qeverisë përmes bindjes publike dhe presionit moral ndaj deputetëve, në vend se përmes marrëveshjeve të zakonshme politike, duke çuar përpara idenë se legjitimiteti duhet të vijë nga qytetarët, jo nga “pazaret” mes liderëve të partive.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse qeveria e re s’e merr mbështetjen e nevojshme, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili mund t’i bëjë numrat për formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë sugjeruan se nuk do të tentojnë ta bëjnë shumicën qeverisëse. Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nënvizuan pas seancës se zgjidhja optimale në situatën akutale janë zgjedhjet e reja parlamentare.

Advertisement