Politike
Rama zbulon synimin e tij nga QSUT: Duhet të tërheqim mjekë të huaj, t’i sjellim në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë ministren e re të Shëndetësisë, mjeken Evis Sala.
Nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Rama deklaroi se kjo qendër duhet të synojë të jetë pjesë e 500 spitaleve më të mira në botë.
Rama shtoi se Shqipëria duhet të fillojë të tërheqë mjekë nga jashtë. Sipas tij synimi nuk duhet të jetë vetëm rikthimi i mjekëve shqiptarë që punojnë jashtë, por dhe krijimi i një ambienti për të tërhequr mjekë të huaj.
“Duhet ta shohim si të natyrshme që të tërheqim jo vetëm mjekë shqiptarë që janë jashtë, por edhe mjekë të huaj për të punuar bashkë me ju. Jemi në momentin e duhur për të rienergjizuar veten dhe për ta parë çdo gjë si një fillim të ri”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se infrastruktura moderne e QSUT është tashmë në nivelin e spitaleve më prestigjioze, por sfida kryesore mbetet cilësia e shërbimit.
“Nuk mund të pretendojmë të hyjmë në 100 spitalet më të mira të botës, për 1001 arsye. Por s’kemi pse QSUT të mos e kemi në 500 spitalet më të mira të botës”, shtoi kreu i qeverisë.
Sipas tij, problemi nuk lidhet me profesionalizmin e mjekëve, por me integritetin dhe aftësinë e të gjithë trupës për të prodhuar sukses në mënyrë të përbashkët.

