Connect with us

Aktualitet

Reforma e re në portin e Shëngjinit/ Punonjësit: Hakmarrje politike

Dhjetëra punonjës të Portit të Shëngjinit kanë dalë sot përpara mediave për t’iu komunikuar një shqetësim. Ata pretendojnë se për shkak të reformës së re që do të bëhet në Portin e Shëngjinit, rrezikojnë të dalin të papunë, pasi mendojnë se është një lëvizje politike. Shqetësimi është ngritur nga kreu i Konfederatës së Sindikatave në Qarkun e Lezhës Pjetër Gjikolaj, i cili tha për Report.Tv se ndërmarrja ka shpërndarë një njoftim dhe shkurtime do të ketë në të gjitha sektorët.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për arsye se ne si palë duke patur një kontratë, deri në tetor ne jemi anashkaluar komplet. Ne nuk jemi thirrur dhe as jemi njoftuar që do të jemi të padiskutueshëm palë. Këtë shqetësim e shprehim nga ana mediatike që të kemi mbrojtje. Ky proces është antiligjor. Sipas kodit të punës është e paligjshme. Ne na ka ardhur një shkresë që do të bëhen reforma të thella. Unë dyshoj që këto reforma do jenë hakmarrëse ndaj nesh.”– tha Gjilokaj.

Ndërkohë një tjetër banor shprehet se po iu bëhet padrejtësi, pasi sipas tij reforma do mbajë ata që nuk kanë qenë ndonjëherë në punë. Banori thekson se falimentimi i portit vjen nga patronazhistët që janë futur në punë.

“Ne na kanë sjellë një shkresë për reformat në portin e Shëngjinit. Ata duan ta bëjnë këtë reformë që të mbajnë në punë atë që duan dhe të heqin atë që duan. Reforma do të mbajë ata që nuk kanë ardhur ndonjëherë në punë. Nëse do të zbatohet ligji ne nuk na heqin, nëse do jetë politike ne do jemi të parët që do heqin. Falimentimi i portit vjen nga patronazhistët që këta kanë futur në punë. Mendoj që ne duan të na penalizojnë politikisht,”– tha banori.

 

Reforma po ndërmeret me qëllimin e shpëtimit nga falimentimi Porti Detar i Shëngjinit ka aktualisht 116 punonjës, por mungesa e të ardhurave e ka vënë në vështirësi financiare këtë institucion duke sjellë vonesa në paga

Advertisement