Shkrime
Rigjeti lirinë fizike, Abi Malltezi, i fundmi i mohikanëve kundër jeniçerëve dhe masonëve

E gjitha skena ku e hipën me forcë Malltezin dhe familjen e tij, ka qenë dhe mbetet anormale dhe ademokratike. Anormale në vetvete dhe anormale në kontrast me të tjerat ngjarje/fenomene. Ky anormalitet nuk u ribalancua sot me lirimin e tij. E kundërta, lirimi na bën me dije se kush nuk e pranon anormalitetin, kush i ngrihet kundër, fizikisht apo si simbolikë, e pëson.
Shkurtimisht, historia e Malltezit përmblidhet në pak rreshta: pasardhës i një familje vendase me prona në Tiranë, e merr token e gjakut të vet- pas dy dekadash ecejake- dhe zhvillon një pjesë të saj. Nuk ka asnjë dyshim te fakti se toka u përkiste familjeve tiranase, trashëgimtar i 2 prej të cilave Malltezi është. Pa asnjë konflikt, në pajtim me palët, ai vendos që të zhvillojë pronën e trashëguar. Janë kontraktuar zotëruesit e tjerë dhe kompensuar zaptuesit; madje është lënë edhe një pjesë toke vakëf (për bamirësi) për të zhvilluar një shkollë për komunitetin.
Kaq e thjeshtë është ‘matematika’ e pronës publike, por çka ngatërron në këtë mes është Abi si ‘aset politik’ dhe simbolik në oborrin e kundërshtarit. Malltezi si target i shënjestruar për kaq gjatë-për të siguruar publicitetin e ‘ne bëjmë shtet’ dhe anti-publicitetin e ‘fajin e ka Saliu me të tijtë’, dhe prej të cilit nuk duhet lëvizuar thepi i sulmit. Trashëgimtari që duhet përndjekur, për t’u thënë trashëgimtarëve të tjerë ‘mos e ngrini kokën për tokat që u kanë marrë në Tiranë apo në Breg ortakët e X dhe Y!’.
Abi Malltezi u përndoq, arrestua dhe izolua si provë force, hakmarrje politike dhe parantezë e asaj që do vinte në tregun e ndërtimit. Nuk duhet të jetë Malltezi në gjyq, por ato segmente të shtetit dhe drejtësisë që e përdorin sistemin në mënyrë përzgjedhëse, për të fuqizuar mesazhe drejtuar shoqërisë, kritikëve apo kundërshtarëve politikë.
Malltezi nuk është një i dënuar dhe një i përndjekur, por një ilustrim i instalimit të regjimit imobiliar.
Shqipëria politike nuk është më, ajo është kthyer në atdhe imobiliar. Festivali i Arkitekturës, ku u ndanë të gjitha hiset e fundit, ishte akti final i themelimit të Shqipërisë si histori-gjeografi e imobiliares, një gërshetim i pronave publike dhe private që shkojnë për ndërtuesit e mëdhenj në favor të pushtetit, për të prodhuar më pas një turizëm laissez faire ku kasta e zhvilluesve dhe ndërtuesve mbahet në fuqi me anë të rentës lokale dhe diversifikimit të këtyre fitimeve në tregun rajonal dhe botëror.
Abi Malltezi ishte i fundmi i mohikanëve të pronarëve dhe zhvilluesve që veprojnë brenda kufizimeve të logjikës, ligjit, komunitetit dhe atdheut. Këta që po vijnë, jeniçero-masonët me Kryearkitekt Edin në majë, nuk janë çlirues të potencialeve të vendit, por pushtues vendas. Ata nuk po e modernizojnë Shqipërinë, por po shqiptarizojnë modernitetin e saj.
Kujtohuni se i fundmi ‘shqiptarizim’ i një izme të huaj ishte marksizmi stalinist i Enver Hoxhës dhe bandës së tij.
Kompleksi i banimit të Abi Malltezit dhe partnerëve të tij në periferi të Tiranës është tulla e fundit e një Tirane dhe Shqipërie që ndërtohet si komunitet, jo si Babel.
Këtij Babeli i shkon si asgjëje dhe asgjë fraza e Ramës “nuk keni parë gjë akoma”

