Bota
Kina nis manovrat ushtarake rreth Tajvanit
Edhe pas largimit të Nancy Pelosit, përshkallëzimi nuk ndalet. Pekini sapo ka nisur stërvitjen më të madhe ushtarake të kryer ndonjëherë rreth Tajvanit, ishullit të cilin Pekini e konsideron provincë separatiste.
Sipas auroriteteve kineze, stërvitja gjigande është një veprim i nevojshëm e i detyruar pas vizitës së presidentes së Kongresit amerikan, vizitë që u përcaktua si provokim shumë serioz që synonte të minonte “parimin e një Kine”, siç shpjegoi zëdhënësja e ministrisë së jashtme kineze.
“Stërvitjet ushtarake të kryera nga ushtria kineze në detin afër Tajvanit – tha zëdhënësja – janë një masë e nevojshme dhe e drejtë për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial në përgjigje të lëvizjeve të mëdha provokuese të disa politikanëve amerikanë dhe forcave separatiste të Tajvanit”.
Nancy Pelosi u largua nga Tajvani të mërkurën, por tensioni vazhdon të rritet së bashku me frikën për një përgjigje të mëtejshme nga Kina.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën dënojnë përshkallëzimin e tensioneve nga ana e Kinës, tĕ cilat rrezikojnë të destabilizojë rajonin dhe se vizita e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së “nuk mund të konsiderohet një arsye e vlefshme”.
Në një reagim, Shtëpia e Bardhë përsëriti se udhëtimi nuk ndryshon asgjë thelbësore në balancën e rajonit.
Ndërkohë, në Hong Kong, demonstrues pro-Pekinit, organizuan një demonstratë para konsullatës së SHBA.