Bota
Rusi, shënohet shifra më e lartë e vdekjeve ditore nga COVID-19
Me 442 vdekje nga koronavirusi i ri (COVID-19) në 24 orët e fundit, në Rusi shënohet shifra “më e lartë e vdekjeve ditore” që nga fillimi i pandemisë.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit njoftoi se me 22.410 raste të reja, numri gjithsej i rasteve ka arritur në 1.971.013, ndërsa me 442 vdekje të reja regjistrohet shifra “më e lartë e vdekjeve ditore”, duke e rritur në 33.931 numrin gjithsej të viktimave.
Numri i të shëruarve ka arritur në 1.475.904, me 22.055 të shëruar në 24 orët e fundit.
Norma e rritjes ditore e numrit të rasteve në Rusi është 1,2 për qind, ndërsa 24,8 përqind të rasteve të reja janë asimptomatike. Në Moskë janë regjistruar 5.882 raste të reja, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 522.456, ndërsa numri i të vdekurve në kryeqytetin rus ka mbërritur në 7.933, me 74 viktima të reja.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit bëri të ditur se deri më tani në Rusi janë kryer mbi 69,5 milionë teste, përfshirë 438 mijë në 24 orët e fundit.
Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u zbulua më 31 janar, ndërsa vdekja e parë u regjistrua më 19 mars. Më 28 tetor, Rusia shtrëngoi masat parandaluese kundër virusit, sipas të cilave, qytetarët detyrohen të mbajnë maska në vende publike, automjete të transportit publik, taksi, parkingje dhe ashensorë.
Po ashtu, në të gjitha qytetet, lokalet e zbavitjes, restorantet, baret dhe kafenetë u ndaluan të punojnë nga ora 23:00 deri në ora 6:00.