Shkrime
Rusia i vuri zjarrin Banjskës/ Vetëplagosja e Beogradit, vështirë të besohet
“Kanë kaluar disa ditë nga përballja me armë zjarri mes pjesëtarëve të policisë së Kosovës dhe serbëve të armatosur pranë manastirit të Banjskës, dhe numri i pyetjeve që ka hapur kjo lojë tronditëse sa vjen e shtohet. Nëse nuk do të ishte derdhur gjak, në të shtënat që morën të paktën katër jetë njerëzish, sot mund të ishte folur për një grackë me regji të dobët që mund të konkuronte me grushtin e shtetit të Prigozhinit për shkak tragjikomizmit” – Kështu shkruan për ‘Index’, gazetari serb Momçilo Gjurđić Megjithatë, performanca e presidentit serb Vuçiç nga mbrëmja e së dielës, kur në fjalinë e parë deklaroi qartë se ishte një formacion i armatosur serb që e nisi incidentin duke bllokuar rrugën në afërsi të manastirit të Banjskës, tregon për diçka shumë të rëndë. Rrëfimi i tij, me gjithë ngushëllimet për familjen e policit të vrarë nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, dukej më tepër si një klithmë dëshpëruese drejtuar mbi të gjitha Uashingtonit,e nëntekstin: Nuk është dora ime në ngjarje. Nëse i anashkalojmë bla bla-të e pahijshme nga të dyja anët, ku Prishtina akuzon Beogradin si organizatore e aksionit terrorist, dhe Beogradi shenjestron Albin Kurtin si shkaktarin kryesor të “rebelimit të popullit të armatosur”, tani jemi në pritje që gjeneralët-analistët serb në pension, si zakonisht do të akuzojë shërbimet e inteligjencës perëndimore për konfliktin. Por edhe nëse vërtetohet ose të paktën besohet se Beogradi nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me incidentin tragjik në Banjskë, nga gjithçka që është ndërtuar në marrëdhëniet me Perëndimin që nga Marrëveshja e Brukselit në 2013, nuk u la asnjë gur pa lëvizur pas 24 shtatorit. Dhjetë vite të vështira të hedhura si mbetje nga dritarja në pak orë, në një kohë kur aksionet e Prishtinës në bursën diplomatike amerikane ishin në pikën më të ulët që nga viti 1999, ndërsa aksionet e Beogradit, sado të ulëta qofshin, janë ende në nivelin më të lartë për të njëjtën periudhë. Është me të vërtetë e vështirë të besohet se Beogradi, i cili ka bërë kaq shumë gabime dhe dështime strategjike në 35 vitet e fundit, do ta plagoste veten sërish në këmbë dhe do vihej në pozitën më të vështirë politike të shekullit të 21-të. Dhe kështu arrijmë në Moskë. – Edhe nëse lëmë mënjanë vlerësimet përgjithësisht të pranishme të faktorëve ndërkombëtarë se Moska do të përdorë Kosovën dhe Republikën Srpska për të hapur vatra të reja të krizës dhe kështu “të zgjerojë lojën” e nisur me agresionin ndaj Ukrainës dhe zonave të Ballkanit, ngjarjet e muajve të fundit dhe madje edhe disa ditë para incidentit të së dielës, mund të na thonë se përpse drita e kuqe në Kremlin u ndez pikërisht tani. Sinergjia e lajmeve të këqija vjen nga një burim, teksa kundërofensiva e Ukrainës ka filluar të japë fryte, me rënien e Nagorno-Karabakut duke shkaktuar ose intensifikuar ndjenjat e forta anti-ruse jo vetëm në Armeni, por edhe në Gjeorgji, dhe për shkak të mbështetjes ruse për separatistët në Osetinë e Jugut të Gjeorgjisë dhe Abkhazinë, sigurisht që mund t’i detyrojë strategët e Moskës të fillojnë të gjuajnë gurë në oborrin e armikut në Perëndim, teksa Tbilisi dhe Jerevani njoftuan distancimin përfundimtar nga Moska dhe kthimin e SHBA-së, e cila absolutisht mbështet dhe përparon aleatin e saj në NATO, Turqinë në depërtimin e fuqishëm në Kaukazin e Jugut. Ky lloj njoftimi për distancim po dërgohet gjithnjë e më qartë nga Beogradi, sidomos javët e fundit që kur u zbulua historia e shkarkimit të numrit 1 rus në Serbi, drejtori i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë, Aleksandër Vulin. Si alternativë ndaj Vulin-it, u thirr ambasadori serb në Uashington dhe njeriun më i besuar i Aleksandër Vuçiçit, Marko Gjuriç një lëvizje që nuk mund t’i linte rusët indiferentë. Shenjat e këqija në qiellin mbi Moskë, sipas logjikës së gjërave, imponon aktivizimin e operacioneve hibride kudo që të jetë e mundur, sepse vendet dhe mundësitë sa vijnë e pakësohen. Nëse amerikanët e mbyllin lojën në Ballkan dhe e hapin atë në Kaukazin e Jugut, pozicioni strategjik i Rusisë do të jetë shumë më i vështirë sesa sot. E vetmja gjë për të cilën mund të shpresojmë, larg zhurmës dhe shkëmbimit të ndërsjellë të akuzave nga politikanët dhe mediat serbe dhe kosovare, është që, si në të kaluarën, të mos ketë problem lufte, pasi e dime se ku na çoi pranvera e vitit 1992.