Shkrime
Sa vota dogjën të “baraslarguarit” që refuzuan tezën e Lubonjës për bashkim

Nga Dorian Kodra
Si shembull se si duhet rrëzuar modeli qeverisës i Edi Ramës, Lubonja përshkruante atë që ndodhi në Izrael pak kohë më parë, ku e gjithë opozita, presidenti, shoqëria civile u bashkuan dhe dolën në shesh bashkë me sindikatat drejt një greve të përgjithshme për ta ndaluar kapjen e drejtësisë nga Netanjahu.
“Teza ime është që nuk fiton dot kushdo qoftë, kur janë kapur të gjitha institucionet. Atëherë duhen bashkuar të gjitha forcat. Unë u kam bërë thirrje të gjithëve nëpërmjet shembullit izraelit” shprehej ai para 11 Majit.
Por propozimi i Lubonjës ra në vesh të shurdhër dhe u refuzua nga elementët opozitarë, jo vetëm për shkak të paaftësisë për t’i tejkalur inatet e vogla, por edhe sepse askush prej tyre nuk arriti t’i kuptojë përmasat e partisë-shtet që kishin përballë. Pretendimet kundër një bashkimi të madh opozitar ishte se një aleancë me dyshen Berisha-Meta njollos njësoj, pra është po aq mëkatare në thelb, sa edhe flirti me sistemin e korruptuar dhe klientelist të Edi Ramës.
Nga shenja e barazimit që politikanët e rinj vendosën mes Ramës dhe Berishës, analisti Fatos Lubonja i përmblodhi këta me termin “të baraslarguarit”.
“Një pjesë nga këta nuk e quan as regjim, nga këta të baraslarguarit. Duket sikur jemi vend normal, në një vend që vetëm se është Berisha dhe Meta të pabesueshëm për shkak të së kaluarës së tyre (dhe këtu ka për të folur sa të duash), nuk fiton opozita, se përndryshe mund të fitojë” shprehej Lubonja.
Lubonja e pati parashikuar humbjen dërrmuese të opozitës në 11 Maj, jo si problem të brendshëm përfaqësimi të opozitës, por si pamundësi e rrëzimit të një regjimi si ky i Ramës me mjetet normale që ofron një demokraci.
“Me identitetet e tyre këto forca të reja që janë kundër regjimit duhet të shkojnë në këtë front dhe nesër të bëjnë debat me Berishën, t’i vënë kushte Berishës. Këta as nuk mendojnë të shkojnë tek Berisha sepse të baraslarguarit thonë që edhe Berisha është njësoj dhe duhet përjashtuar nga politika. Ky është problemi” ngulmonte Lubonja para zgjedhjeve.
“Të baraslarguarit” u paralajmëruan se i priste përpara një katastrofë elektorale dhe ashtu ndodhi. Partitë e reja të opozitës, jo vetëm refuzuan të bashkohen me koalicionin Berisha-Meta, por hodhën poshtë edhe një mundësi bashkëpunimi mes tyre.
Për pasojë, në 11 Maji thuajse të gjithë “dogjën” një numër shumë të madh votash, që iu besua nga mbështetësit e tyre.
Dyshja Shabani-Lapaj që shohin njësoj të keqen, si tek Berisha edhe tek Rama, morën vetëm 1 deputet në Tiranë megjithëse në të gjithë Shqipërinë kanë 49 mijë e 393 vota, pa llogaritur mbështetjen në diasporë.
Agron Shehaj, që refuzoi ftesën e PD dhe Lapajt për koalicion, arriti të marrë vetëm 2 deputetë në Tiranë megjithëse në rang vendi iu besuan 43 mijë e 25 vota. (numërimi i diasporës ende nuk ka përfunduar).
Arlind Qori, si dogmatik i pakompromis që përjashtonte çdo mundësi bashkëpunimi me të tjerë, me vështirësi mori një deputet në Tiranë, ndërsa në të gjithë vendin iu besuan 20 mijë e 264 vota.
Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj dështuan dhe nuk morën asnjë deputet dhe në të gjithë vendin arriten tek 5 mijë e 533 vota, më pak se Lulzim Basha që në të gjithë vendin mori gati 19 mijë e 461 vota.
Votat e opozitarëve që refuzuan koalicionin e madh
Lapaj – 49 mije e 393
Shehaj- 43 mijë e 25 vota
Qori – 20 mije e 264
Shehi- 5 mije e 533 vota
Lulzim Basha KEA – 19 mije e 461
Por çfarë do të ndodhte nëse shkohej më tej; nëse realizohej ideja e një fronti të përbashkët opozitar edhe me Berishën, edhe me Metën, me Lapajn, Shabanin, Shehajn, Qorin, Bashën, Dash Shehin etj?
Edhe atëherë për opozitën situata do të ishte humbëse, pasi gjithsej opozita do të kishte mbledhur 630 mijë vota brenda vendit, thënë ndryshe gati 100 mijë vota më pak se Edi Rama, që arriti rreth 730 mijë vota.
Në përfundim, matematika duket sikur e rrëzon tezën e Lubonjës, sipas të cilit bashkimi në një front të madh opozitar mund ta rrëzojë Edi Ramën. Në fakt rezultati e përforcon teorinë e tij për një arsye të thjeshtë; edhe duke lënë mënjanë inatet e vjetra, ambiciet meskine apo sofizmat ideologjike, jemi në situatën kur Edi Rama e ka deformuar aq keq sistemin, duke kapur gjyqësorin, mediat, policinë, bashkëpunimin me krimin dhe ka bashkuar patronazhimin me shërbimet publike, sa që është thuajse e pamundur të rrëzohet me votë.

