Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në sheshin kryesor të qytetit të Kavajës, u përurua shtatorja e Josif Budos, i njohur si heroi i parë i demokracisë në Shqipëri.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në prani të familjarëve të Budos, qytetarëve të Kavajës dhe përfaqësuesve politikë, vlerësoi lart sakrificën e të Budos duke e cilësuar si një akt që frymëzoi mbarë shqiptarët drejt lirisë.

“Gjaku dhe sakrifica sublime e Josif Budos u shndërruan në dritë dhe frymëzim për mbarë shqiptarët. Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste, e priti diktaturën me trimëri dhe qëndroi e pamposhtur”, deklaroi Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha kujtoi 10 korrikun e vitit 1990, kur, regjimi komunist tentoi të shtypte shpirtin e lirisë në Kavajë, por hasi në qëndresën e qytetarëve dhe sakrificën e Josif Budos, i cili mbetet simbol i qëndresës dhe lirisë.

Në ceremoni morën pjesë edhe ambasadori gjerman Werner Daum, kryetari i bashkisë Fisnik Qosja, si dhe përfaqësues të Partisë Demokratike.

Në ceremoninë për nder të Josif Budos, Berisha vlerësoi diplomatin gjerman për mbështetjen që dha ndaj shqiptarëve gjatë fundit të regjimit komunist. Berisha e cilësoi Daumin si një nga zërat e rrallë perëndimorë që qëndroi në krah të lëvizjes demokratike dhe idealistëve shqiptarë.

Sipas Berishës, Daum kishte rol vendimtar në inkurajimin e frymës antikomuniste në qytete si Kavaja dhe Shkodra, duke besuar se shqiptarët meritonin të njëjtën liri si kombet e tjera të Europës Lindore.

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi sakrificën e Josif Budos si një thirrje për të mos u pajtuar me regjimin aktual. Berisha e akuzoi qeverinë aktuale për shpopullim masiv dhe përndjekje politike, duke e krahasuar me diktaturën e viteve ’90.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha tha se Budo do të vazhdojë të frymëzojë përpjekjet për rikthimin e shpresës dhe dinjitetit në vend, ndërsa falënderoi kryetarin e Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja për nismën e ngritjes së shtatores.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt ju, qytetareve dhe qytetarëve të Kavajës, të pranishëm në këtë shesh dhe kudo që jeni, që nderoni së bashku heroin e parë të demokracisë në Shqipëri, birin tuaj të pavdekshëm, Josif Budo.

Të dashur familjare dhe familjarë të heroit të demokracisë, Josif Budo.

I dashur ambasador Ëerner Daum, mik i përjetshëm i lirisë së shqiptarëve.

I dashur kryetari i bashkisë, Fisnik Qosja.

Të dashur deputetë, deputete, drejtues të PD.

Sot ne mblidhemi për inaugurimin e shtatores të heroit të parë të demokracisë, të riut Josif Budo, gjaku i të cilit, sakrifica sublime e të cilit, u shndërrua në frymëzim dhe dritë për mbarë shqiptarët.

Por të vërtetë u shndërrua në çlirim dhe liri për qytetin e tij të dashur, për Kavajën.

Me 10 korrik të vitit 1990, diktatura në grahmat e fundit, pasi arriti të dominojë kryengritjen e parë paqësore të ambasadave më 2 korrik në Tiranë, u kthye në Kavajë me bindjen se do t’i jepte edhe qytetit, grupeve të tij antikomuniste, shpirtit liridashës të qytetarëve të Kavajës, goditjen e madhe dhe do të mbante në Shqipëri përsëri Perden e Hekurt.

Por, hesapet, llogaritë ishin krejtësisht të gabuara.

Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste më 26 mars, i burrave dhe grave të pamposhtur, e priti me sakrificën e Josif Budos dhe trimërinë e burrave dhe grave të saj, diktaturën, falangat e saj të krimit. Qëndroi e pamposhtur dhe përcolli me dinjitet të madh, siç e meritonte, heroin e vet në banesën e fundit, në banesën e pavdekësisë.

Miq, këtu sot kemi midis nesh një mik të përjetshëm të lirisë së shqiptarëve.

Dhe ky është ambasadori Werner Daum.

Ambasadori e shndërroi ambasadën e tij në një kështjellë të lirisë së shqiptarëve.

Ambasadori Daum, siç e tha edhe vetë, mik i shqiptarëve, donte me çdo kusht që shqiptarët të ndiqnin edhe ata rrugën e kombeve të tjera, të diktaturave ish-komuniste.

Ndaj dhe ai, çfarë kishte mundësi të bënte, bëri të inkurajojë, t’u japë zemër grupeve antikomuniste në Kavajë, në Shkodër dhe kudo.

Kohërat janë shumë të ndryshme, por 35 vite më parë, ambasadori ishte një kavalier i vetmuar.

Kjo është e vërteta, duhet ta themi.

Pasioni i tij për lirinë, dashuria e tij për shqiptarët që t’i shihte të lirë, bëri që ai të qëndronte në mbrojtje të të vërtetave themelore.

Jo të paktë ishin ata që mendonin se diktatori shqiptar ishte një Gorbaçev.

Të tjerë mendojnë se kështu e kanë këta shqiptarët, e duan diktatorin e tyre, e duan diktatorin.

Por miku ynë i madh kishte mendim tjetër.

Mendonte dhe besonte se shqiptarët janë një komb liridashës dhe se ata duhet të çlirohen njëlloj si kombet e tjera ish-komuniste.

U përpoqën edhe ta bindin se po vepronte gabim. Koha dhe historia i dha të drejtë atij.

Ai qëndroi në anën e Josif Budos. Qëndroi në anën e qytetarëve të Kavajës. Qëndroi në anën e idealistëve që u ngritën për liri dhe dinjitet.

Miq, sot pas 35 vitesh, gjaku, sakrifica, idealet e Josif Budos janë një kushtrim i vërtetë për çdo shqiptar, për çdo shqiptare.

Ju u kujtohet, situata e sotme me vitet ’90 në disa aspekte është vite drite larg.

Por në disa të tjera është po aq e zezë sa ç’ishte në vitin 1990.

Nuk kishte pushtet më shumë diktatori i fundit se sa ç’ka sot narkodiktatori Ramaduro.

Nuk ka urrejtje më të pakët Ramaduro i sotëm ndaj Kavajës, ndaj Shkodrës, se sa ç’kishte Ramiz Alia, diktatori i fundit, ndaj tyre.

Nuk kishte urrejtje më të madhe për të rinjtë shqiptarë Ramiz Alia se sa ç’ka sot Ramaduro i Tiranës.

Ai i përzuri, siç u kujtohen ju eksodet, kurse ky narkodiktator që shëtit në samite me atlete të bardha, i përzë çdo ditë dhe në 10 vite ka shkretuar kombin nga të rinjtë e vet sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij të lashtë.

Në disa aspekte duhet të jemi realistë, kombi është i rrëzuar përdhe.

Sot ne, falë kësaj politike të spastrimit etnik, me të cilën ky tejkalon Xhorxheviçin dhe Pashiçin.

45 përqind e shqiptarëve janë larguar në 10 vite nga Shqipëria.

Falë kësaj politike, ne sot kemi lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit.

Falë kësaj politike, ne këtë vit kemi lindje asnjë më shumë se sa kishim një shekull më parë.

Çfarë mund t’i bëjë një armik tjetër një kombi se sa u bën Ramaduro shqiptarëve?

Sigurisht jetohet në një kohë tjetër dhe ai nuk ka më skuadra pushkatimi, por ka banda pushkatimi.

Ai burgos kundërshtarët. Ervin Salianji foli këtu sepse dënoi mbrojtjen që Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama i bënin Geron Xhafës për trafiqet e Vlorës.

A ka ndonjë dallim të madh varja në litar e Havzi Nelës në vitin 1988 me nxjerrjen brutale dhe rrëmbimin nga makina e tij, goditjen dhe zvarritjen në rrugë të kundërshtarit politik pas 37 viteve të Edi Ramës?

Sigurisht ai vdiq, por edhe ky jo vetëm që e terrorizoi, por terrorizoi një popull të tërë.

Ndaj miqtë e mi, sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budën, gjakun e tij, sakrificën e tij, me një betim solemn se nuk do pajtohemi kurrë me këtë regjim.

Se Josif Buda do na frymëzojë në një përpjekje të re për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve, për të rikthyer shpresën, besimin.

Do ta mbyll duke të falënderuar shumë zoti kryetari i bashkisë.

Ke një meritë të veçantë për këtë nismë që ke marrë.

Ke nderuar Josif Budën, ke nderuar jo vetëm familjen Buda, por çdo familje të ndershme të këtij qyteti dhe të gjithë shqiptarët liridashës.

Faleminderit shumë!