Connect with us

Politike

Samiti i ‘Open Balkan’/ Mediat në Mal të Zi: Provokim nga Rama

Gazeta e Malit të Zi, Pobjeda nuk e ka mirëpritur faktin që Samiti i radhës i Ballkanit të Hapur do të mbahet në vendin fëinj me Shqipërinë. Në një artikull të botuar sot, me autor Miodrag Vllahoviç, shkruhet se deklarata është thënë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe se kjo më shumë tingëllon si një improvizim provokues. Sipas Pobjedës, vizita e Ramës me kabinetin e ministrave në Podgoricë dhe konferenca e përbashkët për shtyp, ka treguar krizën në të cilën ndodhet Mali i Zi. Sipas artikullit me të njëjtin autor, Abazoviç ka treguar shumë herë në misionet e tij diplomatike, se për të Beogradi dhe Tirana, Vuçiçi dhe Rama, janë dy adresat qendrore të politikës së jashtme, të cilat ndikojnë në mënyrë vendimtare në vendimet, veprimet dhe politikën e tij të përgjithshme.

Artikulli i plotë:

Vizita e djeshme e Edi Ramës në Podgoricë tashmë po vlerësohet si “historike” në qarqet zyrtare shqiptare. Një vlerësim i tillë është i njëanshëm dhe, pa dyshim, i ekzagjeruar. Edhe pse leximit tonë të një entuziazmi të tillë zyrtar në Tiranë (të paktën kur bëhet fjalë për qeverinë e atjeshme) mund t′i bëhet vërejtje: ne nuk jemi nga Tirana, kështu që nuk mund të kuptojmë, të paktën jo në masën e plotë, politikën dhe synimet e kryetarit aktual të qeverisë shqiptare.

Vëzhguar nga pikëpamja malazeze – si nga ajo zyrtare (çfarëdo që të thotë kjo në kushtet e dhëna) ashtu edhe nga ajo jozyrtare, gjërat nuk duken dhe aq lavdiplotë. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive dhe konferenca e përbashkët për shtyp pas saj, kishte veçori që tregonin në mënyrë të pashmangshme dhe pa dyshim krizën e thellë politike në të cilën ndodhet Mali i Zi.

PA POLITIKË

Nga njëra anë problemi qëndron në mënyrën se si sillet, d.m.th. nëse di të sillet siç duhet kryeministri “teknik” dhe Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme në aktivitetet diplomatike, ndërsa nga ana tjetër, shumë më e rëndësishme është nëse ai, kabineti dhe kolegët e tij kanë një politikë të jashtme konsistente dhe logjikisht dhe politikisht të qëndrueshme. Pra, për të qenë më të saktë, a janë të interesuar sadopak të kenë një të tillë, dhe nëse po, a dinë ta zbatojnë atë?

Kjo, pas dy vitesh përvojë me Abazoviçin, në funksionet e tij të ndryshme formale, është pothuajse një pyetje retorike.

Përgjigja është më se e qartë: Nuk kanë.

E gjithë përvoja dhe të gjithë treguesit dëshmojnë se nuk ka as njohuri dhe as interes që kjo Qeveri e Malit të Zi, në çfarëdo “gjendje agregate” të jetë, në mandat të plotë apo teknik, të ketë dhe të përpiqet të zhvillojë një politikë të jashtme të pavarur, e cila me të vërtetë do të mbështetej në vlerat euroatlantike dhe që në thelb dhe sinqerisht do të synonte axhendën evropiane, duke marrë si themel dhe arsye të vetme dhe përfundimtare interesat shtetërore dhe kombëtare malazeze.

Asnjë nga këto.

Abazoviç ka treguar shumë herë tashmë, madje edhe me elementë thuajse vaudevilian në misionet e tij diplomatike, se për të Beogradi dhe Tirana, Vuçiçi dhe Rama, janë dy adresat qendrore të politikës së jashtme, të cilat ndikojnë në mënyrë vendimtare në vendimet, veprimet dhe politikën e tij të përgjithshme.

Përtej kësaj, në fakt, nuk ka asgjë.

Si Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli, sikurse dhe disa kryeqytete evropiane, pavarësisht durimit të pamasë dhe dëshirës së tyre për të ndihmuar kryeministrin e ri e papërvojë dhe kabinetin e tij tashmë të cunguar, madje edhe atë teknik, prej kohësh kanë humbur durimin dhe mirëkuptimin.

(Zërat se Mali i Zi ka nevojë për zgjedhje po bëhen gjithnjë e më të qartë. Edhe miku më i bindur malazez, komisioneri evropian Varhelyi, foli pasi u zgjodhën tre gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese dhe përmes një mesazhi të qartë tha se tani nevojiten zgjedhje!)

Një pozicion dhe rol vartës e i përllogaritur i Dritan Abazoviçit u duk qartë edhe gjatë aktiviteteve të djeshme “të përbashkëta” të dy kryeministrave. Ishte aq e qartë se kush ishte “më i madh” dhe më i rëndësishëm, jo vetëm për nga mosha dhe gjatësia.

Abazoviçi përsëriti gabimin që nuk ishte aq i dukshëm më herët (me rastin e fluturimit të përbashkët nga Tirana në Poloni, e më pas në Kiev, si mysafir i kryeministrit shqiptar në atë që u konsideruar gjest pa dyshim i rëndësishëm mbështetjeje për Ukrainën).

Mali i Zi nuk është një “junior partner” i Shqipërisë dhe nuk ka qenë kurrë ndonjëherë i tillë. Abazoviçi është i tillë ndaj Ramës – sepse ai nuk e di dhe nuk mundet ndryshe.

Kjo në rastin konkret nuk mund të fshihej, edhe nëse kryeministri teknik të donte ta fshihte.

Rama i arriti qëllimet e tij për të cilat erdhi në Mal të Zi, duke injoruar nga njëra anë situatën e përgjithshme politike, në kushtet e një krize të rëndë dhe, nga ana tjetër, duke harruar (vështirë të besohet se kjo është e rastësishme) karakterin, faktorët dhe rolin e qeverisë aktuale teknike dhe të partnerit të tij më të ri Abazoviç. Prandaj kjo vizitë, me respekt të plotë për urimet e sinqerta të fqinjëve dhe miqve tanë shqiptarë, nuk mund të ishte “historike”. Sepse për një tango të tillë historike nevojiten dy palë!

Kështu, politika e jashtme aktuale e Malit të Zi pa personalitet, e personalizuar pikërisht pa personalitet nga Abazoviçi, u përplas edhe një herë me realitetin: është më pak e rëndësishme, margjinale, domethënë e parëndësishme – edhe në adresat që në fakt kanë më shumë rëndësi për atë qeveri.

Abazoviçi, e mbajmë mend, numëronte makinat e eskortës gjatë vizitës së tij në Beograd. Kësaj radhe mund të numëronte vetëm lulet në buqetat që pionierët – ashtu si dikur – i dhanë të ftuarit të dashur nga Shqipëria.

PA DIPLOMACI

Mesazhi më i rëndësishëm nga takimi mes dy kryeministrave erdhi – logjikisht dhe siç pritej – nga i ftuari. Sipas kryeministrit Rama, një samit i të ashtuquajturit “Ballkani i Hapur” parashikohet të mbahet në qershor në Podgoricë.

Nuk kishte asnjë njoftim paraprak për një lajm të tillë.

Prandaj njoftimi i Ramës se, në vendin në të cilin ka ardhur si mysafir do të mbahet “kjo dhe ajo, atëherë dhe aty” ishte i pakëndshëm edhe për mikpritësin, i cili mundohej që të paktën në atë moment të dukej po aq i relaksuar dhe “i fuqishëm” si mysafiri i tij i lartë. “Është gjithsesi një takim jozyrtar,”- u përpoq të improvizojë kryeministri teknik i paditur.

Megjithatë, për Abazoviçin, por edhe për Malin e Zi, mbetet një pyetje shumë më e rëndësishme: a ishte ky një improvizim i z. Rama, apo pala shqiptare thjesht shpalli vendimin për të cilin mikpritësi ishte në dijeni – por nuk na e bëri të ditur më parë – apo të cilin as që e dinte? Çfarë do të thotë nëse boshti Vuçiç-Rama planifikon takime dhe merr vendime që Shkupi zyrtar i ndjek (tani së paku) dhe që Podgorica zyrtare e cunguar nuk ka forcën dhe guximin t’ia paraqesë Kuvendit të saj dhe qytetarëve të vet?

(Kësaj radhe do e lëmë mënjanë se cilat parti dhe politikanë në Mal të Zi janë pro hyrjes në “Open Balkans”. D.m.th, me kë mendon z. Rama të bëjë histori?)

Këto pyetje, të cilat janë të një rëndësie të veçantë dhe pashmangshëm dramatike për ne, duke pasur parasysh procesin e ngecur të integrimit europian, nuk mund të margjinalizojnë apo fshehin mesazhin qendror të z. Rama gjatë qëndrimit të tij në Podgoricë.

Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit janë komplementar, tha i ftuari i Abazoviçit. Dhe më shumë se kaq: Ballkani i Hapur përshpejtoi dhe forcoi Procesin e Berlinit! Për më tepër: as këta, as ata, përfshirë Marsianët, nuk mund të na e imponojnë, por as gjermanët! “As gjermanët!”

Ajo pjesë me Gjermaninë është veçanërisht interesante. Vjen pas dhe pavarësisht konkluzioneve të qarta dhe të padyshimta të Samitit të Procesit të Berlinit në nëntor të vitit të kaluar. Aty, “Ballkani i Hapur” përkufizohet si një nismë e paqartë, e papërfunduar dhe e panevojshme. Pas kësaj vijuan qëndrime të shprehura disa herë, me dëshirën e qartë të miqve gjermanë, përfshirë ambasadorin Peter Felten këtu në Podgoricë, që nuk linin asnjë grimë dyshimi se çfarë dhe pse mendojnë ashtu për “Ballkanin e Hapur”.

E gjithë kjo nuk është e mjaftueshme dhe me sa duket as edhe aq serioze për Ramën dhe për Abazoviçin, i cili i ndjek me obediencë të gjitha këto (“teknikisht” – në emrin tonë!). Nuk e dinë gjermanët se çfarë është dhe për çfarë shërben Procesi i Berlinit, ndaj do t’ua shpjegojmë!

Në këtë mënyrë Podgorica zyrtare, nëpërmjet Abazoviçit si dhe ministrave në “qeverinë në largim” të cilët, me përjashtime sporadike, kanë (më falni!) rolin e koneve, tregoi se diplomacia e saj i është nënshtruar dy adresave rajonale, disa floskulave të rastit (përputhje formale 100% me politikën e jashtme të BE-së, etj.) dhe një iniciative të cilën të gjithë në BE (nëse nuk llogarisim Hungarinë e Orbanit dhe të Varhelyit, sigurisht) e konsiderojnë të panevojshme dhe kundërproduktive.

Kështu që nuk kemi pse të shqetësohemi për formën, kur nuk kemi përmbajtje.

Ose anasjelltas – nëse e kemi më të lehtë t’i shohim kështu takimet “historike” në të cilat mungon jo vetëm historia, por nuk ka as Mal të Zi të pavarur dhe sovran.

Politike

“Deklaratat e opozitës greke, befasuese”, Rama: Vizita ime s’ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “X” lidhur me takimin e tij të ardhshëm në Athinë, duke u shprehur se deklaratat e opozitës greke për këtë ngjarje janë befasuese.

Ai u shpreh duke cituar homologun grek Mitsotakis se, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t’i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet që japin.

Rama theksoi se vizita e tij e ardhshme në Athinë nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare.

Reagimi i plotë:

 

 

Është mjaft befasuese të dëgjosh deklaratat e opozitës greke, ndërkohë që mund ta kuptoj plotësisht perspektivën e përcjellë nga kryeministri grek. Kontrasti i fortë në pikëpamjet për të njëjtën çështje hedh dritë mbi arsyen pse disa janë në opozitë, ndërsa të tjerëve u është besuar qeverisja nga populli. Megjithatë, siç theksoi me të drejtë kryeministri Mitsotakis, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t’i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku ata jetojnë, por edhe në atdheun e tyre.

Vizita ime e ardhshme në Athinë të dielën, më 12, nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare. Kjo vizitë është pjesë e një serie vizitash të planifikuar prej kohësh në disa vende evropiane, përfshirë Athinën, për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe për të ndarë krenarinë e Shqipërisë për ta dhe Vision Albania 2030. Kjo ka të bëjë me vizitën time në fqinjin mik Greqinë 🇦🇱❤️🇬🇷

. pjesa tjetër është thjesht zhurmë e sfondit.

Continue Reading

Politike

Vizita e Ramës në Athinë/ Media greke: Provokim, në të njëjtën datë me arrestimin e Belerit

Media greke SYRIZA i ka kushtuar një artikull takimit që pritet të mbajë Kryeministri Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Athinë më datë 12 Maj. SYRIZA  e quan takimin e Ramës si një provokim nisur nga fakti se në 12 Maj është edhe përvjetori i paraburgimit të Kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i arrestuar për shit-blerje votash pak para zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

Më tej media hedh akuza edhe drejt homologut të Ramës, Mitsotakis, se ky i fundit përdor pakicën greke si mjet për përfitime të vogla partiake.

 “Vizita e paralajmëruar e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Greqi, në datën e përvjetorit të paraburgimit të Fredi Belerit, është një veprim provokues, i cili nxjerr në pah mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor nga Qeveria e Mitsotakis Nënvizon zgjedhjet e tij komunikuese të deritanishme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe, nuk nxjerrin në pah realisht çështjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe nuk mbrojnë efektivisht të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Të drejtat që rrjedhin si nga e drejta ndërkombëtare ashtu edhe nga ajo komunitare, veçanërisht duke pasur parasysh perspektivën evropiane të vendit. Qeveria Mitsotakis, siç u pa edhe në periudhën parazgjedhore, e trajton pakicën etnike greke si mjet për përfitime të vogla partiake. Edhe një herë në pak 24 orë, vërtetohet se sa e rrezikshme është politika e jashtme e Mitsotakis për interesat kombëtare”,- shkruhet në artikull.

Continue Reading

Politike

SPAK konfirmoi rinisjen e hetimit për Olsi Ramës/ Reagon kryeministri: B-ja i vogël me gojën e madhe…

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme për të nisur hetimet ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi për dosjen Xibraka. Me anë të një postimi në X, Rama thekson se me veprimin që bëri Bardhi, prokuroria duhet që të ndajë të vërtetën nga shpifja.

Ndërkohë që vetë disa hërë ka thënë se nuk ndërhyn dhe komenton në çështjet e drejtësisë dhe aq më pak të SPAK-ut, Rama i ka treguar sot se çfarë duhet që të bëjë prokuroria. Sipas Ramës kjo ka vetëm 2 rrugë, ose Bardhi ka zbuluar një trafikant në rrethin e tij familjar dhe se i vëllai duhet të futet në burg, ose ndryshe Bardhit duhet që t’i vendosen në gojë proteza e ligjit.

Postimi i Plotë

Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme.

Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi ka njoftuar se SPAK i ka kthyer një përgjigje në lidhje me denoncimin e bërë nga vetë ai për dosjen “Xibraka”. Bardhi shkruan se SPAK ka konfirmuar se ka rinisur hetimet për akuzat e përfshirjes së vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në laboratorin e drogës. Disa javë më parë, Bardhi solli në vëmendje laboratorin e drogës që u zbulua në 2015 në Xibrakë, ku i bëri thirrje SPAK të rihapë hetimet, pasi ishte i përfshirë edhe Olsi Rama. Kreu i Grupit të PD në deklaratat e tij për çështjen, tha se automjeti me targa AA653DM, është përdorur disa herë, bashkë dhe veçmas nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj.

Continue Reading

Politike

PD nuk i përgjigjet propozimit të Ramës, Basha dhe Meta kundër nismës për luftën ndaj korrupsionit

Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha janë treguar të kujdesshëm në raport me nismën e lançuar nga kryeministri Edi Rama për të krijuar mekanizma të reja për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit për Shqipërinë e vitit 2030 në Bashkimin Evropian.

Si rrallëherë në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka dalë në një fjalim të shkruar ku theksohej se opozita mbështet çdo reformë që i shërben integrimit

“Mbështetja jonë pa kushte ndaj çdo reforme që kërkon Bashkimi Europian, nuk ka qenë as e imponuar, as e shtirur, por buron nga ADN e forcës sonë politike që u krijua me misionin ‘Për Shqipërinë si gjithë Europa’. Prandaj çdo reformë, çdo iniciativë, çdo propozim që krijon mundësinë për ta çuar përpara këtë mision të Partisë Demokratike do të ketë kontributin tonë”, tha Bardhi

Por ajo që ra në sy në fjalën e Bardhit është se grupi më i madh parlamentar i opozitës nuk ka një qëndrim të qartë për ofertën e kryeministrit Edi Rama për të votuar një rezolutë e për të ngritur një komision të posaçëm që do të realizojë reformat kundër korrupsionit.

“Kur çështja e komisionit të vijë në parlament do te keni dhe qëndrimin e PD”, tha Bardhi.

Por krejt ndryshe nga Sali Berisha, Lulzim Basha i cili mban logon e PD e ka vendosur të mos bëhet pjesë e komisionit të posaçëm të propozuar nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama. Numri dy i PD Enkelejd Alibeaj, deklaroi se shumica socialiste synon të përdorë këtë mekanizëm për të ndërhyrë në reformën në drejtësi e për t’i bërë presion SPAK-ut.

“Me fjalë të tjera, synimi i deklaruar është të ndërhyhet në reformën në drejtësi nëpërmjet Parlamentit. Nuk e fshehin teksa në pikën 8 thonë që për këtë synim do të ngrihet një komision i përhershëm parlamentar. I hetuari kërkon të ndryshojë rregullat e atij që heton”, tha Alibeaj.

Edhe Partia e Lirisë nuk do të jetë pjesë e kësaj iniciative të mazhorancës në parlament. Ilir Meta gjatë një konference me gazetarët theksoi se nuk beson tek asnjë mekanizëm i propozuar nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij është përgjegjës për nivelin e korrupsionit në vend.

“Nuk e kuptoj ç’është ky komision i posaçëm se ky është një vend që mbeti falë rilindjes duke u bërë laborator eksperimentesh të posaçme. Nuk mund të ketë një komision të posaçëm të ideuar nga Edi Rama që mund të synojë ti shërbejë kushtetutës”, tha Meta.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama njëherësh kryetari i Partisë Socialiste prezantoi vizionin e tij për një reformë të thellë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Rama propozoi miratimin e një rezolute dhe ngritjen e një komisionit të posaçëm, duke ftuar opozitën t’i bashkohet në këtë betejë.

Continue Reading

Politike

Habit Gjergj Luca: Të festojmë 8 Majin, ditën e gomarit

Drejtuesi i kompanisë Rozafa, Gjergj Luca, ka habitur me një video të publikuar këtë të mërkurë në rrjete sociale, ku shprehet se 8 Maji është festë, pasi sipas tij është Festa e Gomarit. Në një background me logon e “1 Majit” e njohur gjerësisht si “Dita e Punëtorëve”, Luca shprehet se sot është festa e kafshës më besnike për njeriun (gomarit), dhe të gjithë duhet ta festojnë.

“Pasi festuam 5 majin ditëlindjen e Skënderbeut, më duket se po ju kalon pa e kuptu 8 maji, po aq e rendesishme sa 1 Maji. 1 Maji dita e Punëtorëve, 8 Maji dita e kryepunëtorit. Sot është Festa e Gomarit… kafsha besnike e njeriut që i ka shërbyer prej mijëra vitesh dhe kurrë nuk është ankuar. Të gjthë duhet të festojmë. Një nga miqtë më të mirë të mitë që më kujton punën është gomari”,- shprehet Luca mes të tjerash.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING