Connect with us

Politike

Senati amerikan heton lidhjet e zyrtarëve serbë dhe shqiptarë me projektet e Jared Kushner

Komiteti i Financave në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha të mërkurën se hetimi i tij mbi Affinity Partners ka zbuluar se zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare iu afruan proaktivisht kompanisë me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.

Kompania që merret me aksione dhe investime është e lidhur me Jared Kushner,  dhëndri dhe këshilltari i ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Në një letër drejtuar Affinity, kryetari i Komitetit të Financave i Senatit, Senatori Ron Wyden tha se komiteti tani po kërkon të identifikojë zyrtarët dhe ndërmjetësit e përfshirë në këto komunikime.

Letra nga Komiteti i Financave u dërgua afërsisht në të njëjtën kohë kur djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., ndodhej në Beograd për të takuar biznesmenë serbë, ndërkohë që fushata presidenciale e SHBA-së, në të cilën Trump është kandidat republikan, po hyn në fazat e saj përfundimtare.

Senatori Wyden, një demokrat nga Oregoni, nisi hetimin mbi Affinity Partners në qershor, pas raporteve për investimet e planifikuara në Serbi dhe Shqipëri. Në Serbi, kompania pritet të rikonstruktojë ish-Shtabin Ushtarak të Jugosllavisë në Beograd që u dëmtua rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.

Në komunikimet e saj me Komitetin, Wyden tha se Affinity kishte konfirmuar se zhvillimi i planifikuar i sitit në Beograd do të përfshinte një “muze që përshkruhet si një monument për ‘viktimat e agresionit të NATO-s’”.

Wyden është shumë kritik ndaj këtij memoriali të propozuar: “Është krejtësisht e papërshtatshme që një qeveri e huaj të kërkojë që një firmë amerikane të marrë pjesë në këtë lloj revizionimi anti-amerikan të historisë, një akt që përpiqet të fshijë spastrimet etnike dhe gjenocidin dhe bën NATO-n të duket personazh negativ. Është tronditëse që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti dhe një kandidati që mund të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA, e pranon këtë” shkroi ai.

Kompania gjithashtu planifikon të investojë në projekte luksoze të pasurive të paluajtshme në bregdetin shqiptar. Mediat kanë raportuar se ndër investitorët e tjerë të huaj, Affinity Partners ka marrë 2 miliardë dollarë financim nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite.

Në letrën e tij fillestare drejtuar kompanisë, Wyden kërkoi të dhëna dhe informacion mbi “dhjetëra milionë [dollarë] që Kushner po merr nga sauditët dhe burime të tjera të huaja çdo vit duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore mbi transparencën e fondeve private të investimeve për të fshehur këto marrëveshje nga publiku”.

Në një letër të mëvonshme, të publikuar këtë javë, Wyden kërkoi “një listë të detajuar të personelit të qeverisë shqiptare, ose individëve që kanë kontaktuar Affinity në emër të qeverisë shqiptare, të cilët e kanë kontaktuan së pari Affinity për të diskutuar investimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri”. Ai ka bërë një kërkesë të ngjashme për zyrtarët serbë.

Wyden gjithashtu kërkon kopje të të gjitha komunikimeve midis punonjësve të Affinity dhe anëtarëve të familjes Trump në lidhje me këto projekte, duke përfshirë gruan e Kushner, Ivanka Trump.

Affinity ka konfirmuar për Wyden se qeveritë serbe dhe shqiptare do të kenë kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e këtyre projekteve të mundshme, përfshirë fuqinë vendimmarrëse mbi lejet, taksat lokale dhe licencat për projektet.

Megjithatë, Wyden shkroi se kjo do të thotë që Serbia dhe Shqipëria do të kenë “kontroll potencialisht shantazhues mbi investimet e familjes së atij që mund të jetë presidenti i ardhshëm”. Sipas Wyden, një nivel i tillë i përfshirjes së qeverisë ngre pyetje në lidhje me natyrën e këtyre marrëdhënieve.

“Për të dy zhvillimet e propozuara të pasurive të paluajtshme, qeveritë serbe dhe shqiptare duket se zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret ajo. Këto kushte u lejojnë qeverive serbe dhe shqiptare të kërkojnë përfitime të pazakonta nga Affinity gjatë procesit,” deklaroi Wyden.

Pyetje mbi lidhjen saudite

Sipas letrës së Wyden, Affinity ka fituar 157 milionë dollarë në pagesa nga klientët e huaj, përfshirë 87 milionë nga qeveria e Arabisë Saudite.

Affinity i ka bërë me dije Komitetit se i faturon investitorit kryesor të tij, Fondit Publik të Investimeve të Arabisë Saudite, një interes vjetor prej 1.25 për qind mbi 2 miliardë dollarët në fonde të premtuara dhe se investitorët e tjerë po paguajnë më shumë se 2 për qind interesa mbi fondet e premtuara.

Wyden pretendon se struktura e tarifave të Affinity është jashtëzakonisht e lartë, duke marrë parasysh tendencat e tregut dhe mungesën relative të përvojës së Kushner dhe të punonjësve të tjerë të lidhur me Trump në këtë industri.

Affinity thotë se fondet e saj nuk kanë gjeneruar asnjë kthim investimi deri më tani dhe se nuk kanë shpërndarë asnjë fitim për klientët.

Wyden pretendon se varësia e Affinity nga një grup i vogël investitorësh të lidhur me qeveri të huaja ngre gjithashtu shqetësime në lidhje me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, FARA, që rregullon lobimin e huaj në SHBA.

“Meqenëse 100 për qind e kapitalit të jashtëm të Affinity dhe burimeve të të ardhurave vijnë nga burime të huaja, kryesisht fondet sovrane, jam i shqetësuar që fondet private të investimeve të Affinity po shfrytëzohen nga ish-zyrtarë të qeverisë amerikane si një mënyrë për të marrë kompensim nga qeveritë e huaja pa i deklaruar këto pagesa sipas FARA-s,” shkroi Ëyden.

Madhësia e investimit saudit ka ngritur prej kohësh pikëpyetje. New York Times raportoi në prill 2022 pretendimet se investimi “duket si një shpërblimi i mundshëm për veprimet e Kushner në Shtëpinë e Bardhë – ose si një përpjekjeje për favore në të ardhmen nëse Trump kërkon dhe fiton një mandat tjetër presidencial në vitin 2024”.

Opozita e Serbisë e zbuloi për herë të parë informacionin që kompania amerikane do të investonte në Serbi në mars.

Projekti u kritikua në raporte për shkak të dyshimeve për korrupsion, por edhe për shkak të vlerës arkitektonike dhe kulturore të ish-Shtabit Ushtarak të Jugosllavisë të dëmtuar në Beograd. Ndërtesa u ndërtua në vitin 1965 dhe është projektuar nga arkitekti i njohur serb Nikola Dobrovic.

Advertisement