Kosova
Shans i ri për Kosovën, ja çfarë po vjen nga Brukseli
Teksa viti zgjedhor i gjen shumicën e përfaqësuesve të lartë në kërkim të mundësive të reja brenda apo jashtë Bashkimit Evropian, largimi i njërit prej protagonistëve kryesorë, që aktualisht mban barrën më të rëndë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, paraqet një shans të ri për vendet anëtare të bllokut që ta rimendojnë qasjen ndaj Kosovës.
Emisari Special i BE-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, pritet të marrë një “post të ri” në shtator të këtij viti, ndërsa blloku po përgatit postet e reja diplomatike në prag të zgjedhjeve evropiane, bashkë me zgjedhjet e qershorit për ulëset e Parlamentit Evropian, nga të cilët varet përbërja e Komisionit Evropian, që edhe pritet të ndikojë në rajon.
Në lidhje me këtë, specialisti në fushën e paqes dhe konfliktit, demokracisë dhe politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, konsideron se largimi i Lajçakut paraqet një mundësi për vendet anëtare të BE-së që të rimendojnë kornizën aktuale të dialogut dhe të rishqyrtojnë pse Lajçaku s’i përmbushi pritshmëritë.
“Dialogu ka qenë në prag të vdekjes. Ajo që është e rëndësishme tani është se kushtet për një marrëveshje përfundimtare thjesht nuk janë askund” – u shpreh Vogel, ndërsa propozoi një rishikim të rreptë të politikave të BE-së ndaj Kosovës, përfshirë procesin e integrimeve.
Vogel, duke qenë se “marrëveshja historike” nuk e arriti qëllimin, madje përkeqësoi tensionet, deklaroi se BE-ja duhet të gjejë një zgjidhje kreative se si Kosova mund të përparojë në rrugën evropiane. Ai kujtoi se Kosova mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk është as vend kandidat, ndërsa BE-ja çeli negociatat e anëtarësimit për Bosnje dhe Hercegovinën.
“Anëtaret e BE-së duhet të udhëzojnë KE-në që të zhvillojë modalitete që do t’i mundësojnë Kosovës të vazhdojë në këtë rrugë, por pas përmbushjes kushteve, pavarësisht mosnjohjes nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro”, theksoi Vogel, ndërsa ngrit pyetjen se si do të përgjigjet BE-ja kur Serbia të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës
“Kjo do të qartësohet kur Serbia të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE muajin e ardhshëm, që është një shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes së Ohrit, por ka të ngjarë të mbetet pa përgjigje nga BE-ja” – theksoi Vogel, ndërsa shprehu drojën se BE-ja do të vazhdojë qasjen e njëjtë pavarësisht akteve destruktive të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.