Connect with us

Kosova

SHBA: Asociacioni ‘flet’ në 31 janar

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar se më 31 janar do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, ku të ftuar do jenë përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë të qeverisë, liderë politikë dhe diplomatë.

Edhe Ministri për Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në diskutim. Ai ka konfirmuar edhe njëherë qëndrim i tij, se marrëveshjet nuk mund të injorohen dhe se në këtë kontekst, duhet të analizohen edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, për harmonizimin e Asociacionit me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Për krijimin asociacionit është rënë dakord në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel. Çështja e asociacionit është bërë pengesë për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Teksa Serbia insiston në formimin e tij, Kosova refuzon, me arsyetimin se nuk mund të krijojë asociacione njëetnike, që do të binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë në muajin dhjetor se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”, si shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar u shpreh se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.

Disa media kanë pyetur Qeverinë e Kosovës nëse kryeministri Albin Kurti është ftuar në këto bisedime dhe nëse po, a do t’i përgjigjet ftesës, por, deri tani nuk kanë përgjigje.

Rashiq tha se ai, por edhe të tjerë në Qeverinë e Kosovës po përpiqen që Asociacionin e komunave me shumicë serbe ta vendosin para kryeministrit Kurti si çështje teknike dhe jo politike. Ai nuk dha detaje se cilët janë personat e tjerë nga Qeveria e Kosovës që janë të gatshëm të punojnë për formimin e Asocacionit.

“Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke mos bërë asgjë. Nuk kemi paraqitur ndonjë opsion të dytë ose të tretë përmes punës në nivel teknik”, tha Rashiq.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të hartojë një dokument, që do t’i përmbushte obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte në përputhje me ligjet e Kosovës.