Kosova
SHBA nuk do të jetë më arkitektja e Ballkanit: Vjen koha e përgjegjësisë vendore

Në qytetin që para tridhjetë vitesh priti aktin e ndalimit të një lufte, por jo lindjen e një paqeje të qëndrueshme, një zë amerikan foli më qartë se kurrë: Shtetet e Bashkuara nuk janë më ndërtuesit e jashtëm të shteteve ballkanike.
Christopher Landau, Zëvendës Sekretari i Shtetit në administratën Trump, zgjodhi fjalë të qarta, por të maturuara, duke e zhveshur politikën amerikane nga tonet e epërsisë morale dhe nga iluzioni i ndërhyrjeve shpëtuese që e kanë karakterizuar veprimin diplomatik të SHBA-së në Ballkan për më shumë se dy dekada.
Në një fjalim që shënon kthesë, jo vetëm për nga stili por edhe për nga përmbajtja, Landau tha: “Nuk jemi të interesuar të imponojmë një vizion të shoqërisë që pasqyron preferencat e burokratëve të largët dhe aktivistëve të ngushtë”. Në vend të kësaj, ai propozoi një diplomaci të përulur, që dëgjon më shumë se sa flet dhe vë në dispozicion kapitalin politik vetëm për ata që vetë e dinë çfarë duan të bëjnë me vendin e tyre.
Fjalët e tij mund të duken të buta në ton, por janë një paralajmërim i qartë për klasat politike ballkanike: ora e ndërhyrjeve të huaja po mbaron. Tani përgjegjësia është mbi vetë popujt.
Epoka e Dejtonit po mbyllet
Landau e cilësoi Marrëveshjen e Dejtonit si një “kompromis të ndershëm” që ndali gjakderdhjen, por pranoi se ajo nuk ishte dhe as nuk mund të ishte një zgjidhje ideale. Ai përmendi me ndershmëri se marrëveshjet e mëdha zakonisht janë të papërsosura, por janë më të mira se asgjë.
“Kompromisi është shpesh i shëmtuar”, tha ai,”por më mirë të jetosh me një zgjidhje të papërsosur se sa të vdesësh për një ëndërr të pamundur”.
Në këtë reflektim qëndron edhe thelbi i një qasjeje të re amerikane që ndalet para kufirit të paternalizmit. Mesazhi është i qartë: nuk do të ketë më receta të shkruara në Washington dhe të zbatuara në Sarajeva, Prishtinë apo Shkup.
Fundi i iluzionit të ndërhyrjes shpëtimtare
Një pasazh i rëndësishëm i fjalimit ishte citimi i drejtpërdrejtë i Presidentit Trump gjatë një fjalimi të tij në Riad, ku kritikohej me tone të forta arroganca e ndërhyrjeve të dështuara për ndërtimin e kombeve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Ky është një sinjal që përfshin edhe Ballkanin: nëse më parë ndërhyrja ishte refleks moral, sot ajo është luks që Amerika nuk do ta mbulojë më – as financiarisht, as politikisht.
Në vend të strategjive “transformuese”, Landau ofroi një realpolitik të përulur: “Nuk do të ofrojmë mjete të pakufizuara për qëllime të paqarta, të pasigurta apo jorealiste.”
Paqja nuk është më import: është zgjedhje vendore është porosia e zv. Sekretarit të shtetit.
Fjalimi u mbyll me një ofertë miqësie, por të kushtëzuar: “Zgjatim dorën e miqësisë, por jo drejtimit. Paqja është zgjedhje që duhet ta bëjnë popujt vetë.”
Në përkthim të lirë, kjo do të thotë: Amerika do të jetë aty për të ndihmuar, por jo për të ndërhyrë. Do të jetë e pranishme, por jo e përfshirë. Do të dëgjojë, por nuk do të udhëheqë.
Çfarë pritet të ndodhë në fundvit?
Fjalimi i Landau mund të lexohet si pika e fundit në një proces që ka nisur prej kohësh: tërheqja graduale e SHBA-së nga roli i dirigjentit në Ballkan. Dhe kjo tërheqje nuk është boshllëk. Ajo do të plotësohet ose nga strukturat evropiane, ose nga rivalë strategjikë si Rusia dhe Kina, ose më e keqja nga vetë boshllëku, që në Ballkan është gjithmonë i rrezikshëm.
Nëse vendet e rajonit nuk shfaqin pjekuri për të mbajtur ekuilibrin e brendshëm dhe për të bashkëjetuar me dallimet, vitin 2025 mund ta mbyllim me një rikthim të tensioneve ndër-etnike, jo domosdoshmërisht të dhunshme, por destabilizuese.
Sepse, siç tha Landau me një sinqeritet të rrallë diplomatik: “Pa pajtim në terren, pa marrëveshje të ndershme midis njerëzve që jetojnë aty, paqja është vetëm një iluzion i përkohshëm”.
SHBA kërkon të jetë një diplomaci që nuk udhëheq në Ballkan, por vetëm dëgjon. Një Amerikë që nuk imponon, por vetëm reagon. Një Ballkan që duhet të mësojë të flasë me vete, jo përmes ndërmjetësve. Kjo është epoka e re. Me më pak shpresë te të tjerët, dhe me më shumë përgjegjësi për vetveten.

