Connect with us

Bota

SHBA, proces i rregullt, i qetë zgjedhor në mbarë vendin

Miliona amerikanë pritën me durim në radhë të martën për të hedhur votat në biblioteka, shkolla, pallate sporti në kushtet e një pandemie vdekjeprurëse. Pjesëmarrja pasqyronte një demonstrim të rregullt të detyrës civile që dallonte qartë nga tensionet e thella që karakterizuan fushatën e ndezur zgjedhore.

Shumë votues qëndruan në rradhë me maska mbi fytyrë, ndërkohë që në shumë qytete bizneset e dyqanet kishin mbuluar dritaret me kompensata, kujtesë e dy problemeve madhore në këtë periudhë zgjedhjesh: pandemia e COVID-it dhe protestat, në shumë raste të dhunshme nga demonstrues kundër praktikave policore dhe racizmit.

FBI-ja dhe zyra e prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut hapën hetime lidhur me një numër telefonatash automatike që u bënin thirrje njerëzve të mos dilnin për të votuar.

Ndërkaq, një gjykatës federal urdhëroi Shërbimin Postar Amerikan të kontrollonte magazinat në të gjithë vendin për të parë nëse ka fletë-votime të pa postuara dhe t’i dërgojnë menjëherë në zyrat zgjedhore për numërim.

Grupe për të drejtat civile dhe agjenci të rendit ishin në gjendje gatishmërie, nën shqetësimet për kërcënime, apo frikësim të votuesve, por deri në orët e vona të pasdites ka pasur fare pak raportime për probleme.

Një incident shqetësues u regjistrua në shtetin e lëkundur të Karolinës së Veriut ku një person me armë zjarri që e mbante dukshëm, u arrestua dhe u akuzua se kishte shkelur perimetrin rrethues të një qendre votimi.

Policia thotë se 36-vjeçari Justin Dunn kishte qëndruar në perimetrin e qendrës së votimit, pasi kishte hedhur votën “ndoshta për të frikësuar votuesit e tjerë”. Një zyrtar i zonës i tha të largohej, por ai u kthye pas dy orësh, kur u arrestua nga autoritetet.

Në qytetin e Nju Jorkut, në disa qendra votimi njerëzit pritën në radhë që vazhdonin përreth bllokut. Por në qytete të tjera si Los Anxhelos dhe Detroit radhët ishin shumë të shkurtra. Punonjësit në qendrat e votimit mendojnë se kjo është rezultat i pjesëmarrjes së lartë në votimet e hershme. Rreth 100 milionë amerikanë kishin votuar para ditës së zgjedhjeve, duke shënuar një nivel rekord pjesëmarrjeje në votimet e hershme.

Në Atlanta, rreth dhjetë votues kishin zënë radhë që pa dalë dielli. Ginnie House, e cila dridhej nga të ftohtit, ishte e para në radhë.

“Më humbi fletë-votimi që kisha marrë për ta dërguar me postë para datës,” thotë kjo 22 vjeçare, e cila kishte ardhur me avion nga Nju Jorkut, për të votuar në qytetin ku është e regjistruar si votuese.

Ajo tha se do të votonte për kandidatin demokrat Joe Biden.

Në një qendër votimi në Hjuston të Teksasit, Andy Valadez luante një instrument frymor duke pritur në radhë. Ai thoshte se muzika ishte një ritual për t’i uruar fitore Presidentit Trump.

“Po lutemi për zgjedhje të drejta,” thotë ky 55-vjeçar, i mbështjellë me flamur amerikan. “Ne besojmë tek ideali amerikan dhe duam që të gjithë të kenë mundësinë të votojnë në kushte sigurie”.

TENSIONE NGA QENDRA E NJU JORKUT NË TEKSAS

Qendra Amerikane për Liri Civile dhe grupe të tjera për liri civile thonë se po ndjekin me vëmendje nëse ka sinjale për kërcënim ndaj votuesve. Zyra e të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë tha se ka dërguar punonjës në 18 shtete.

Punonjës të Komitetit Avokat për Të Drejta Civile në Bazë të Ligjit, një grup aktivist me seli në Uashington, tha për gazetarët se janë të shqetësuar nga problemet teknike të makinave të votimit në tre komuna në Xhorxhia, gjë që ka detyruar votuesit të mbushin fletë-votime letre dhe ka krijuar shqetësim se mund të mbarojnë fletë-votimet prej letre.

Pronarë biznesesh në disa qytete mbuluan dritaret e dyqaneve me kompensatë nga frika se mund të ketë trazira sociale, sidomos nëse vonohet dalja e rezultatit të zgjedhjeve.

Megjithë situatën e tensionuar para ditës së zgjedhjeve, e marta po shpaloset si një dite të qetë dhe pa peripeci.

Përkrahësit e Presidentit Trump me kamionë në një autostradë të Teksasit rrethuan një autobus të fushatës Biden të premten. Gjatë fundjavës, në Karolinën e Veriut policia përdori spec djegës për të shpërndarë një turmë kryesisht me përkrahës të zotit Biden që po marshonin drejt qendrave të votimit.

Përkrahës të presidentit kishin në plan të organizonin një autokolonë të martën, të ngjashme me parakalimin në autostrada të Nju Jorkut ku bllokuan ditët e fundit trafikun. Disa ekspertë të sigurisë patën shprehur shqetësimin se këto organizime do të frikësonin votuesit ose mund të precipitonin në konfrontime të dhunshme.

Megjithëse nuk pati probleme të mëdha, u regjistruan disa avari.

Bordi Zgjedhor në Karolinën e Veriut u detyrua të zgjasë orët e votimit të martën në katër qendra votimi si rezultat i problemeve teknike. Si rrjedhojë do të vonohet edhe numërimi i votave të hershme dhe me postë, ngaqë numërimi fillon pasi mbyllen qendrat e votimit.

Në Komunën Hidalgo të Teksasit, të 74 qendrat e votimit do të zgjasnin një orë kohën e votimit, pasi kishte pasur probleme me regjistrimin e atyre që vinin për të votuar.

Pas mbylljes së votimeve, shqetësimi kryesor do të jenë vonesat në numërimin e votave, sidomos në shtete vendimtare, duke bërë të nevojshme shtyrjen e shpalljes së fituesit për disa ditë.

Qeveria federale nuk luan rol në numërimin e votave dhe deklarimin e rezultatit. Zoti Trump ka thënë se shtetet amerikane duhet të ndalin numërimin pasi të mbyllet afati i votimit të martën.

voa

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *