Connect with us

Shkrime

SHBA zbarkon në Serbi/ Daçiç krihet në pasqyrë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të jenë partner kyç i Serbisë në rajon, por vetëm nëse Beogradi zyrtar pranon realitetin se Kosova është shtet i pavarur.

Pranimi i një kushti të tillë, në vlerësimin e Daçiç-it, do të shkaktonte pakënaqësi të madhe te serbët.

“Ata na thonë të mos flasim për të kaluarën dhe ne duhet të themi në rregull. Nëse Vuçiç thotë se ne s’do të merremi me Kosovën, do ta pranojmë anëtarësimin e saj në OKB për t’u bërë liderë në Ballkan, njerëzit do të na shanin” – ka deklaruar ministri I jashtem serb

Duke folur për situatën në Kosovë, Daçiç ka pretenduar se Perëndimi “nuk ka mekanizma” për të bërë presion ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Kujtojme se një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili nuk do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve.

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në intervistën e tij të fundit në Zërin e Amerikës artikuloi kritika të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, duke e cilësuar Kurtin si të “paaftë” në qeverisje.

Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë, që jo shumë diplomatë kanë guximin ta përdorin, O’Brien tregoi se Kurti u kishte dhënë premtime ndryshe për çështjen e dinarit, por më pas ka vepruar ndryshe në terren duke vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur se a ka biseduar me Kurtin për shqetësimet e SHBA-ve lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit – valutë shtetërore e Serbisë – në territorin e Kosovës, numri një i amerikanëve për Evropën deklaroi se “kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtër më pas”.

Në pyetjen se si Kurti e ka pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, top-diplomati amerikan ka potencuar se ai I “ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.

Por, çudia në sytë e tij ka ndodhur më pas kur Kurti, krye në vete – ndryshe nga çfarë kishte premtuar – ka proceduar me vendimin.

Pjesa më problematike e kësaj interviste ishte pyetja pasuese e gazetarit dhe deklarata shqetësuese me një mesazh të rëndë e O’Brien, i cili, si kurrë më parë, vuri në pikëpyetje marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere” –  tha O’Brien kur u pyet se a planifikojnë SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa ndaj Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e tij.

Advertisement