Kosova
Shkulen dhëmbët e Vuçiç/ Ja çfarë i kërkoi shefi i BE-së në Serbi
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, është shprehur i bindur se në fillim të këtij viti pritet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut.
“Bisedimet po vazhdojnë dhe ne të gjithë presim që në fillim të vitit 2024 të arrijmë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, me kusht që të dyja palët të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik, guximin dhe lidershipin për ta bërë këtë”- ka thënë Giaufret.
Zgjerimi i BE-së drejtë Ballkanit Perëndimor, sipas diplomatit francez, do të jetë “një përgjigje kyçe ndaj luftës së agresionit rus” dhe se “Zgjerimi i jep një mundësi të re Ballkanit Perëndimor që Serbia nuk duhet ta humbas”
“Politika e BE-së ka qenë e qartë ndër vite. Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë lëvizë nëpërmjet dialogut. Nga parimet themelore të aderimit në BE, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për Kroacinë dhe Slloveninë më parë, Hungarinë dhe Sllovakinë, parimi themelor është pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe zgjidhja e të gjitha problemeve nga e kaluara”, tha pak ditë më pare Peter Stano.
Në një paraqitje për media pas konferencës së liderëve rajonalë “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi i Shpejtë në BE” në Shkup të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga BE-ja ta ndajë procesin e normalizimit nga procesi i anëtarësimit, duke e cilësuar të padrejtë ndërlidhjen midis dy proceseve, ndonëse qëndrimi i BE-së dihet.
“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb të zgjerimit e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është lehtë të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë”, shtoi ndër të tjera kryeministri Kurti.