Connect with us

Aktualitet

Shqipëria, vendi që ka fituar përpara se të pranohet në BE!

Nga Arian Galdini
(Për një shpërndarje që mat substancën, jo statusin)
Shqipëria që është, pa u quajtur
Ka vende që hyjnë në histori me firmë, dhe ka kombe të cilët janë vetvetiu që prej krijimit, themeltarë, edhe pse pa zë, pa ftesë, pa ceremoni. Shqipëria bën pjesë tek këta të dytët.
Ajo, pa u emërtuar Europë, ka qenë pjesë natyrale e madje edhe faktike brenda saj.
Pa traktat, por me peshën e një kontributi të kahershëm që ka mbajtur ndërtesën dhe identitetin e përbashkët në këmbë.
Ka qëndruar në kufij, në treg, në siguri, në vlera, jo me flamur, por me gravitet që nuk matet, por ndjehet.
Qytetarët e saj e kanë jetuar përkatësinë si përmbajtje që nuk kërkon e as ka nevojë të njiheta konfirmohet nga kurrkush.
Shqiptarët kanë qenë dhe janë organikisht akti vetveprues si përvujtni që shndrit.
Ndërkohë, qeveria Rama e ka kthyer integrimin në pasarelë.
Në vend të reformave reale, Rama dhe të tijtë bëjnë veç show dhe skena të ndriçuara për kamerat, jo për qytetarët.
Ligji as që shkruhet për t’u zbatuar, vetëm për t’u lexuar me zë të lartë në konferenca shtypi e foltore politike a partiake.
Në vend të drejtësisë, montazhe fjalësh dhe ngjarjesh të servirura si spektakël, ku dosjet hapen për efekt publik dhe negociohen, përparohen ose mbyllen me ujdi sipas qëllimit politik.
Në vend të shtetit, kemi shfaqje me role të shpërndara ku pushteti sundon si aktor kryesor, opozita shërben si rrotë ingranazhi në makinerinë e Regjimit, qytetari katandiset si mall pazaresh elektorale, dhe e vërteta si dritëz që ndizet vetëm kur xhirohet.
Ndaj është e rëndësishme të theksojmë se përkatësia nuk është ansambël i përkohshëm që përfaqësohet apo përkufizohet nga qeverisjet.
Ajo është rrënjë që mban trungun edhe kur askush nuk e sheh.
Shpërndarja që harron themelet
Nga afro 2 trilionë euro që Bashkimi Europian planifikon të shpërndajë në ciklin 2028–2034, vetëm 2.2% shkojnë për vendet që presin të anëtarësohen.
Shqipëria ka përthithur 88% të acquis communautaire.
Ka strehuar mbi 10 mijë refugjatë në marrëveshje të ndërsjella.
Ka mbështetur Ukrainën. Ka ruajtur kufijtë. Ka qëndruar në çdo krizë ku të tjerët u tërhoqën.
Ka qenë aty ku të tjerët munguan.
Ka dhënë më shumë sesa iu kërkua.
E megjithatë, mbetet jashtë shpërndarjes.
Sepse Europa mat me formularë, jo me themele.
Me procedurë, jo me thelb.
Sidoqoftë të merituarit në pjesëbërje e pjesëmarrje, lind jo nga burokracia, por nga qëndrimi që reziston e dëshmon pa zë, dhe mban.
Atje ku struktura hesht, qytetari flet.
Jo me fjalë, me sprova rrënjëtare.
Qëndrueshmëria që s’bërtet, e megjithatë mban
S’janë protokollet që e mbajnë Shqipërinë në kursin europian.
Janë ata pak, sadopak heronj të vërtetë të durimit e tejkalimit me dinjitet të përditshmërisë zymtuese e mbytëse.
Janë ai grusht i ndershëm mjekësh që shërbejnë mes mungesës, mësuesit që japin dije mbi rrënoja, sipërmarrësit që ndërtojnë ekonomi me nder e korrektësi ndonëse mbi terren të brishtë, ajo “cetë profetësh pjetërbogdaniane” gjykatësish, prokurorësh, policësh që mbajnë drejtësinë, rendin, ligjzbatimin pa mburojë, dhe shumë të tjerë që mbajnë këtë tokë në këmbë pa zhurmë e pa lavdi.
Janë të rinjtë që qëndrojnë, jo nga halli, por nga vullneti e besimi.
Ata nuk kërkojnë të njihen. Ata janë.
Ata janë përmbajtja që flet pa emër e madje krejt pa përfillje.
Janë gjymtyrët e padukshme të një trupi që është, pa qenë i shpallur.
Drejtësia e vërtetë lind nga kjo kryevepër thjeshtësie njerëzore denjësisht në veprim çdo ditë, në çdo lagje, fshat e qytet të Shqipërisë.
Ajo nuk kërkon leje. Ajo ndodh si ujë që gërryen gurin pa zhurmë.
Dhe realisht ka ndodhur e vijon ta bëjë pasosmërisht në qetësi e urti të përkorë.
Drejtësia që shpërblen veprën, jo kartonin
Duhet një Instrument i Drejtësisë së Bashkëjetuar Europiane.
Jo si favor. Si pasqyrë e barazisë.
Një mekanizëm që njeh jo statusin e dhënë. Njeh veprën e shqiptarëve të thjeshtë që ka tejkaluar çdo mënxyrë dhe çakërdisje pushtetesh, politikanësh, partishë, qeverisjesh e opozitash, gërryese, keqpërdoruese, arbitrare e zhbërëse, e prapëprapë mbetet këmbëngulëse për ta ndërtuar Shqipërinë drejtësisht e perendimorisht.
Se Shqipëria e vërtetë padiskutim që flet e përkufizohet nga kjo vepër e qytetarëve të saj.
Ndaj ky instrument duhet të matë:
• pjesëmarrjen reale në siguri, treg, politika të përbashkëta
• funksionimin e institucioneve pa tutorë të jashtëm
• përputhjen etike me frymën e vlerave europiane, jo vetëm me tabelat
• qëndresën qytetare që ka ndërtuar përkatësinë pa shpërblim
Asnjë rend nuk qëndron mbi nënshkrime.
Historia mbahet mbi shpinat e atyre që nuk u panë.
Drejtësia e vonuar nuk është zbrazëti.
Është një plasaritje që lind në heshtje.
Kosova, ndarja që ndodh pa shpallje
Nëse Shqipëria rend, nxiton dhe me ngut pranohet në BE, ndërsa Kosova mbetet jashtë, ndarja nuk do të jetë vendim, do të jetë ngjarje, fakt, ndodhi, rrjedhojë e pashmangshme.
• Ekonomikisht, Kosova përjashtohet nga tregu i përbashkët
• Politikisht, Shqipëria mbyllet në një diplomaci që e trajton Kosovën si çështje
• Identitarisht, lind një hendek që nuk ndan, por i ndalon rrënjët të bëhen trung
Kur bashkimi me Europën përjashton gjysmën e Kombit, ai nuk është më bashkim.
Për rrjedhojë kur mosbëzamja mbush boshllëkun, ndarja ndodh pa u shpallur.
Kur përjashtimi kërcënon, bashkimi nuk është zgjedhje, është përgjigje.
Një përgjigje që nuk pret urdhër, ama vjen si domosdoshmëri.
Komunuelthi Shqiptar, bashkimi që lind nga vullneti
Ka çaste në histori kur nuk pritet ftesa ose rrethana, aq më pak konjuktura, por lindet, hapet e ndërtohet udha.
Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë menjëherë një Komunuelth të Vullnetit Kombëtar, me:
• treg të përbashkët dhe regjim fiskal të unifikuar
• doganë të harmonizuar dhe diplomaci të përbashkët
• strategji unike për bashkë-integrim europian
Ky nuk është mit.
Është rrënja që kërkon tokën për të lëshuar frymë.
Është bashkim që nuk vjen nga letra, por nga gjaku që ka qëndruar.
Një bashkim që nuk kërkon legjitimitet nga jashtë, sepse mban brenda vetes përmbajtjen që e ka lindur.
Nëse Shqipëria e shqiptarët bashkohen me vepër, Europës duhet ti bashkohemi me ndërgjegje.
Europa përballë pasqyrës që s’e shpiku vetë
Shqipëria nuk ka më asgjë për të provuar.
Ajo ka vepruar. Ka qëndruar. Ka mbajtur.
Tani është Europa që duhet të matet.
Jo për të dhënë një status.
Por për të parë një përmbajtje që e ka mbajtur në këmbë.
Jo për të firmosur një ftesë.
Por për të pranuar një vepër që ka ndodhur, ndërkohë që ajo heshti.
Nëse mat drejtësisht, Shqipëria është brenda.
Nëse mat me protokoll, Europa ka mbetur pas vetes.
Dhe për të dëgjuar këtë përmbajtje, Europa ka nevojë për një zë që flet me vepra.
Dhe ky zë nuk vjen nga pushteti.
Ky zë vjen nga heshtja që ndriçon pa kërkuar të dëgjohet.
Opozita që flet me vepra, jo me fjalë
Nëse qeveria e ka veshur integrimin si kostum për ceremoni, opozita duhet ta ndërtojë si udhë drejtësie.
Jo me lutje. As me ankimtari. As me zemëratë e mllef. Jo me retorikë.
Me përmbajtje.
Por opozita nuk mund të kërkojë Europën,
nëse nuk e njeh më parë Shqipërinë si është e ku ndodhet, ndërkohë që ajo vetë është shmangur e ka heshtur.
Ajo duhet të flasë me gjuhën e asaj që ka ndodhur pa leje, pa emër, por me peshë.
Opozita e së djathtës shqiptare duhet të artikulojë:
• një integrim të përbashkët Shqipëri–Kosovë
• një shpërndarje që mat sipas veprës, jo sipas statusit
• një përkatësi që ndërtohet nga qytetarët, jo nga dosjet
• një drejtësi që lind nga qëndresa, jo nga dekori
Sepse Shqipëria nuk është në prag për të hyrë.
Ajo nuk ka trokitur. Ajo është vetë dera.
Ajo pret vetëm që të njihet.
Shqipëria ashtu si është
Shqipëria ka fituar përpara se të pranohet.
Tani është Europa që duhet të shohë veten në pasqyrën që Shqipëria i ka vënë përballë.
Një pasqyrë ku mungon vetëm emri.
Sepse vepra është dhënë.
Sepse përmbajtja është formësuar.
Në një botë që emërton, përkufizon, kategorizon, klasifikon e përzgjedh për të pranuar, Shqipëria është rrënja që ka mbajtur trungun, pa u quajtur asnjëherë pemë.
Arian Galdini
Advertisement