Shkrime
Shqiptarët nuk kanë turp, Rama i përbuz dhe i përçmon, por ata prapë e votojnë

Sonila Meço ka komentuar aksionet e fundit të Qeverisë, me urdhër të Edi Ramës.
Sipas saj, tashmë shqiptarët janë nënshtruar pa dinjitet ndaj kryeministrit, duke mos reaguar për veprimet e këtij të fundit.
Postimi i Sonilës
Çdo sjellje e deklaratë publike po vërteton se në Shqipëri nuk po ndodhin ndërhyrje urbane, por një riformatim politik i territorit.
Propaganda po çartet me çdo mënyrë ta shpallë si zhvillim e modernizim të hapësirës, por çdo veprim ulëret thelbin: përqendrim pushteti, metër për metër katror.
Shembjet në Theth, “çlirimi” i hapësirave publike në Vlorë e më pas kryq e tërthor Shqipërisë janë pjesë e së njëjtës logjikë. Të mos mbetet asnjë hapësirë e pa kontrolluar, e pa menaxhuar, e pa përdorur nga pushteti.
Ky mandat i ri i plotfuqishëm i pushtetit u mbajt me sforco publike në premtimin për integrim të shpejtë evropian, por edhe mbi garancinë për falje gjobash, legalizime, zgjidhje problemesh pronësie. Me votë të marrë më shumë se një herë me rrëmbime e mashtrime, farsa nuk priti as 100 ditë për të “varrosur” në gërmadha çdo premtim.
BE-ja nuk është një standard urban. Është një arkitekturë politike që funksion nën trarë të qartë: e drejta, konsensusi dhe transparenca. Kur asnjëri prej tyre nuk është funksional, çdo veprim, sado estetik në dukje është dërrmë ndaj integrimit.
Dhe në këtë kapje të territorit, pak rëndësi ka nëse një hapësirë kthehet në livadh, pedonale apo resort. Ajo që duhet të vlejë është kush vendos, si vendos dhe mbi çfarë mekanizmash kontrolli vepron vendimi.
Në Shqipëri, ndërhyrjet mbi territor nuk janë produkt i dialogut me komunitetin, nuk kalojnë përmes gjykatave, nuk kanë verifikim publik mbi pronësinë apo analizë të ndikimit social. Ato “legjitimohen” nga një qendër unike vendimmarrjeje, me zbatim vertikal dhe me kontroll të plotë politik mbi çdo zyrë të pushtetit lokal.
Në këtë zallamahi, atletet e bardha në samite dhe gjunjëzimi prej argati ndaj kryeministres italiane kanë prodhuar një tezë unike “pro” evropiane për kancelaritë e mjaftuara me stabilitet e mos kokëçarje nga Ballkani.
Një nga manovrat më të vjetra të autokracisë është që udhëheqësi të paraqitet si e vetmja mendje racionale në një vend irracional. Edi Rama e ka ndërtuar me kujdes këtë narrativë përpara ndërkombëtarëve, se shqiptarët janë të vështirë, të papjekur, emocionalë, që nuk dinë të organizohen, që nuk marrin vesh me të mirë. Opozita është destruktive, tribale dhe se ai është i vetmi që mund t’i udhëheqë shqiptarët drejt “modernitetit”, edhe me forcë, edhe me rregull, edhe me ca doza spektakël.
Ky është një justifikim klasik paternalist (që mjeshtërisht i është sugjeruar kryepushtetarit nga ata që e dinë se çfarë do të dëgjojë Brukseli i lodhur nga krizat e brendshme e zgjerimet) për të legjitimuar përqendrimin e pushtetit në një dorë të vetme. Duke shpërfillur kësisoj nën hundën e BE-së çdo kërkesë për transparencë, kontroll institucional dhe ndarje pushtetesh.
Kur kryeministri thotë se çdo përpjekje zhvillimi e modernizimi “e bëj me ligj”, ai zakonisht i referohet ligjeve që vetë shumica e tij i ka votuar pa debat, pa kundërshtim dhe pa ndjeshmëri sociale. Ai krijon rregullin, pastaj e përdor si justifikim për forcën.
I gjithë aksioni i lemerisur i këtyre ditëve në kulm sezoni turistik është modeli klasik i liderit që krijon boshllëk institucional për të nxjerrë në pah veten si të pazëvendësueshëm.
Por ky konstrukt nuk mund t’i qëndrojë arkitekturës evropiane. Madje ngjan si ato ndërtimet pa leje, me dërrasa, që i shemb me gjysmë rruspe. Sepse asnjë shoqëri demokratike nuk qëndron mbi idenë se populli është injorant dhe lideri i ndritshëm, por mbi institucione që nuk varen nga ndriçimi personal i askujt.
E megjithatë ende mbahet kjo katrahurë si ndërtim pa leje në portat e Evropës me “vjeljen” e votës shqiptarëve pavarësisht mashtrimit përsëritës. Ka diçka të pashpjegueshme dhe njëherazi thellësisht shqiptare në mënyrën se si një pjesë e mirë e votojnë dhe duartrokasin një pushtet që i mashtron, i përbuz dhe i lë pas. Ky nuk është vetëm raport elektoral, por një marrëdhënie psikologjike, që normalizon talljen, zëvendëson dinjitetin me përfitim personal çasti.
Ndaj Evropa nis e beson përrallën e stabilitetit, sepse ka një gogol të butë në pseudo demokraci, që quhet vetnënshtrim me votë. Nuk ndodh njëherë. Nuk ndodh në panik. Ndodh ngadalë, përmes një marrëveshjeje të heshtur mes një pushteti që nuk respekton qytetarin dhe një qytetari që ka vendosur të mos kërkojë më respekt.
Që një kryeministër të sillet si sundimtar, nuk mjafton vetëm dëshira e tij e as lobet ndërkombëtare. Duhet edhe pranimi i një shoqërie që nuk e ndien më as peshën e zërit të vet, as turpin e nënshtrimit pa dinjitet.
Dhe kështu, Shqipëria ecën drejt Europës jo si një vend që përmbush standardet, por si një alibi e përdorshme për stabilitetin rajonal. Në këtë rol, kryeministri ynë me atlete të bardha tolerohet jo sepse ndërton institucione, por sepse i kontrollon me efikasitet. Tolerohet edhe nga një popull që hesht, jo nga miratimi, por nga lodhja dhe normalizimi i së padrejtës.
Aksionet e fundit përbëjnë vetëm një nga cepat e yllit në bluzën e fushatës së rilindjes, estetika autoritariste që i lejon regjimit të përdorë pamjen urbane, ndërhyrjet arkitekturore dhe ndryshimet hapësinore për të imponuar një ide të vetën të modernitetit, progresit dhe “rendit”, ndërkohë që shtyp pluralizmin dhe llogaridhënien, favorizon klientët e pushtetit nëpërmjet ligjit, që përdoret për të justifikuar imponimin e forcës.
Kjo nuk është më rruga drejt Evropës.
Është një kuturisje e gjatë në vend, me pasaportë gati në xhep dhe me fytyrën e kthyer nga një e ardhme që gjithnjë e më shumë i ngjan të kaluarës. Ama kurthit të stabilitetit të rremë krijuar nga pushteti i dilet vetëm me një shqisë të mprehtë për lirinë dhe bindjen se Evropa nuk është vetëm Brukseli.
Evropa është ideja se pushteti ka kufij dhe qytetari, dinjitet.
Mu aty nisin ndryshimet e vërteta.
Jo në lartësinë e iluzioneve, por në thellësinë e vetëdijes.

