Shkrime
Shtatë dështimet spektakolare të ‘Berishës III’
Rikthimi i Berishës në krye të një lëvizje politike ka prodhuar një dështim të shumëfishtë për lëvizjen që ai drejton .
Kryedështimi i tij mbetet pafuqia për të bashkuar jo vetëm demokratët, por të gjithë faktorin opozitar. Ky është koalicioni më i dobët opozitar që është prodhuar ndonjëherë në Shqipëri.
Për herë të parë parti aleate tradicionale të të djathtës si PR e Fatmir Mediut apo PL e Dash Shehit mbeten jashtë koalicionit, gjithashtu dhe PAA e Agron Dukës që prej 2013 ka qenë një aleat besnik i opozitës ka refuzuar koalicionin me Sali Berishën.
Dështimi i dytë lidhet pafuqinë dhe paaftësinë e tij për të rivendosur marrëdhënie me SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar. Madje kjo e fundit e shpalli edhe nongrata për lidhje me krimin e organizuar menjëherë pas rizgjedhjes së tij , një goditje asgjësuese kjo kur dihet që Mbretërinë e Bashkuar në pushtet janë konservatorët. Pra, me aksionin e tij politik , ai jo vetëm nuk u çlirua , por u izolua edhe më shumë aq sa atë refuzojnë ta takojnë qoftë edhe zyrtarë periferikë perëndimorë.
Dështimi i tretë lidhet me lënien rrugëve të premtimit për të injektuar vlerat konservatore në lëvizjen e tij konfirmuar kjo nga qëndrimet e znj. Evi Kokalari, e cila e akuzon drejtëpërdrejtë Sali Berishën si një individ që i keqpërdori ndjenjat e shumë konservatorëve duke i premtuar një rikthim tek konservatorizmi dhe tezat e tij.
Dështimi i katërt lidhet me pafuqinë dhe paaftësinë për të demokratizuar partinë. Proceset e brendshme politike rezultuan një farzë politike ku përfaqësues sërish u përzgjodhën me orientim nga lart ata që kishin bekimin e kryetarit duke e thelluar edhe më tej fragmentarizimjn e të djathtës.
Dështimi i pestë lidhet me pafuqinë për të rinovuar ekipin . Këshilli kombëtar, sekretariatet dhe institucionet e tjera brenda lëvizjes nuk janë tjetër vetëm se një ripërsëritje e të njëjtit mozaik me origjinë dhe prejardhje të dyshimtë që ka dominuar të djathtën prej tridhjetë e dy vjetësh. Mozaik që ka përgjegjësi të drejtëpërdrejtë për degradimin politik të të djathtës dhe që ka përgjegjësi për korrupsionin e 2005-2013, i cili u votua kundër me njëmilion vota nga shqiptarët.
Dështimi i gjashtë është pafuqia për të prodhuar një vizion dhe projekti të ri, modern dhe mbi të gjitha të besueshëm për Shqipërinë, sepse ajo që shohim është ripërsëritje e të njëjtave teza me të cilat shqiptarët i lanë duart në 2013 me nje milion vota.
Përpjekjet e tij për të rikrijuar një narrativë rikthimi nuk ngjit dhe nuk mobilizon më askënd, sepse është e qartë që e gjithë lëvizja e tij është për interesa të pastra personale dhe këtë e provon fakti që ai këtë betejë e filloi në 9 shtator,2021 menjëherë pasi iu cënua interesi personal pasi Lul Basha e pezulloi nga grupi parlamentar.
Dështimi i shtatë lidhet me pafuqinë dhe paaftësinë për të fituar gjygjin mbi legjitimitetin e PD, legjitimitet që ai e humbi përgjithmonë, gjë që prodhoi dhe dorëzimin e lëvizjes së tij tek socialistët e LSI, çka nuk është vetëm një turp dhe poshtërim i madh, por është edhe një thikë pas shpine ndaj të djathtës, demokratëve dhe vetë PD. Pas kësaj të gjithë e kanë të qartë që legalitetin e lëvizjes së tij e përfaqëson dhe rrjedhimisht do ta trashëgojë socialisti Ilir Metaj.
Në këto kushte, kur kjo lëvizje nuk përmbush dot as edhe një kriter qoftë edhe elementar për të qenë të paktën një lëvizje konkuruese, të pretendosh për fitore është një mashtrim i madh, i cili jo vetëm po i fal Ramës një shumicë absolute të bashkive, por po rrezikon seriozisht egzistencën e opozitës si alternativë fituese pas 14 majit.