Connect with us

DOSSIER

SHTËPIA E BESËS SHQIPTARE

JU LUTEM që të lexoni letrën që Dr. Charles Telford Erickson, idhulli im i dashurisë për Shqipërinë, iu kishte dërguar nxënëseve të Shkollës së Vajzave të Kavajës që ai e hapi vetë, në vitin 1926. Mendoj se në kohën kur ne po jetojmë, ku sfida e virtytit dhe e familjes janë tema të ditës, kjo letër merr vërtetë një vlerë të veçantë:

Letra titullohet:

SHTËPIA E BESËS SHQIPTARE

Të dashura vajzat e mia të Shkollës së Kavajës!
A iu kisha dhënë BESËN se do ta bëja shkollën e vajzave të parën, edhe pse në fakt kisha sjellë gjithçka për shkollën e djemve?
Është BESA, e cila e ka bërë shqiptarin të jetë një burrë që t’i besohet që nga ditët kur ai shërbente në Gardën Pretoriane të Perandorëve të Romës, deri në ditët e sotme.
BESA është një virtyt i edukuar brenda SHTËPISË SHQIPTARE.
Virtytet e granisë shqiptare, të cilat e kanë mbajtur të pastër dhe të panjollosur shatërvanin e jetës së kombit nëpër shumë shekuj, edhe pse kombi ishte shtypur prej racave dhe perandorive të huaja, është një virtyt i SHTËPISË SHQIPTARE.
Ai është një prej virtyteve më fisnike që mund të gjenden në ndonjë pjesë të botës. Shpirti i mrekullueshëm i mikpritjes, i afruar me të njëjtën bujari si për të huajin që troket në derë, edhe për njeriun e afërt të gjakut, është një virtyt që haset rrallë në botën moderne që rend me shpejtësi dhe prandaj duhet ruajtur dhe kultivuar brez pas brezi.
Nderimi dhe respekti i të rinjve për të moshuarit, fëmijëve për prindërit dhe gjyshërit e gjyshet, vendi i nderit i të vjetrit në familje, janë lule të mrekullueshme në kopshtin e bukur të SHTËPISË SË SHQIPTARIT. Ky virtyt nuk duhet të lejohet të vyshket kurrë ose të çrrënjoset prej zakoneve moderne, të cilat po i ndihmojnë kaq shumë prishjes së shtëpisë.
Kështu, të dashura vajza, po flas me ju sot siç flet babai me fëmijët e vet. Andaj ju kërkoj që të mbani parasysh përherë këto parime, SHTËPINË SHQIPTARE, e cila ka ardhur tek ju prej qindra brezash, njëri pas tjetrit. Kaq e rëndësishme është kjo për mua, saqë, nëse më del se me ato që mësoni në shkollë dobësohet kjo shkallë vlerash sadopak, do të më bënte të mendoja nëse kam bërë mirë apo keq që e hapa shkollën. Unë dua që ju të mësoni këtu vetëm se si t’i bëni këto virtyte edhe më të mira në jetën e kombit. Unë dua që ju të mësoni se si ta bëni shtëpinë tuaj jo vetëm një vend mikpritjeje, por një shtëpi të rehatshme, të shëndetshme për ju dhe fëmijët tuaj të bukur, të pastër dhe të hijshëm. Unë dua që ju të mësoni se si t’i siguroni fëmijët që do të lindni të jetojnë dhe të shmangni numrin tmerrësisht të lartë të vdekjeve foshnjore, që po e tronditin mëmëdheun nga zhdukja e fryteve të sapolindura, aq të bukura. Dua që ju të mësoni se si ta bëni jetën vetë një gjë të këndshme, të mbushur me gaz e hare, me këngë e gëzime, një bukuri brenda mendimeve dhe ndjenjave tuaja. Dua që mjedisin e jetës suaj ta bëni sa më të këndshëm. Unë shpresoj se shpejt do të vijë dita për Shqipërinë kur frika e hershme tmerruese, mizoritë dhe shtypja e përjetuar në shekuj do të fshihet nga faqja e dheut, nga vetë kujtesa dhe nga zemra e kombit dhe secili do të marrë përsipër deri në fund përgjegjësitë e tij e të saj dhe të punojë për ngritjen e standardit të jetës për këtë komb të nderuar.
Ju vajza do të vlerësoni pas disa vitesh, shumë më shumë sesa tani, se çfarë nderi dhe privilegji keni patur të ishit nën kujdesin e zonjushës Camp, zonjushës Miss Evans, Miss Smith dhe të tëra ato me të cilat keni mësuar së bashku në tërë këto vite.
Ekziston përshtypja nga jashtë se Amerika banohet pothuajse e tëra prej milionerëve. Në të vërtetë ka më shumë njerëz në Kavajë sesa milionerë në Amerikën e 123 milionë njerëzve. Fondet që e kanë mbështetur këtë shkollë nuk kanë ardhur nga njerëzit e pasur, as prej milionerëve, por prej njerëzve të thjeshtë, të cilët, në pjesën më të madhe, si dhe njerëzit tuaj, e fitojnë bukën e gojës me shumë sakrifica.
Edhe atë çfarë japin, e japin me sakrifica të mëdha. Unë mund t’ju tregoj shumë raste heroike të sakrificave të tilla. Për shembull, atë të një gruaje që po vdiste nga tuberkulozi në një spital. Ajo pasi pa se nuk i duheshin paratë për vete, m’i dërgoi mua kursimet e saj të pakta. Po ashtu një zonjë e vjetër, e cila kishte kursyer tre vjet për të blerë një kapele, kur dëgjoi për nevojat tona, m’i dërgoi mua në vend që ta blinte atë. Asaj iu duk më e vlefshme kjo ndihmë sesa kapela; apo të vajzave të një shkolle, të cilat vendosën të mblidhnin para për një konvikt veror këtu tek ju, i cili me shpresë do të ndërtohet vitin që vjen. Ato, në vend që të hanin pulë dhe akullore të dielave si përpara, pranuan të ziejnë lakra dhe paratë e kursyera i dhanë për fondin e konviktit.
Kështu, mbani mend të dashura vajza se ju jeni të lidhura së bashku në këtë jetë jo vetëm nëpërmjet familjes, fqinjëve, mësuesve dhe shoqeve të klasës në shkollë, por edhe me një shoqëri të mrekullueshme e të shkëlqyer njerëzish të thjeshtë në Amerikë, të cilët janë disa mijëra, që mendojnë për ju, luten për ju, ju duan ju dhe sakrifikojnë për ju gjërat e domosdoshme të jetës, vetëm e vetëm që ju të keni këtë mundësi për t’u rritur drejt një granie të bukur dhe të vlefshme, të bëheni drejtuese të gjinisë suaj të kombit dhe, mbi të gjitha, të ndërtoni SHTËPI TË BUKURA.
Erickson-i juaj
Marrë në: Erickson Collection, Yale University Divinity School Library, Group 26, Seria no 2, Box No 2, Folder No 3.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

DOSSIER

Koçi Xoxe, nuk ishte një injorant apo teneqexhi, siç e ka paraqitur Enveri, ai kishte…

Nga Gjergj Titani

Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.

Zoti Pandi, cilat ishin përshtypjet tuaja për organizimin dhe zhvillimin e Konferencës së Parë të vendit?

Kishte hyrë viti 1943, lufta po merrte përmasa gjithnjë e më të gjera. Nga muaji në muaj, po formoheshin çetat e armatosura partizane dhe ato nacionaliste. Ne, komunistët, numëronim rreth 2000-3000 partizanë dhe rreth 6000-7000 mijë anëtarë të njësiteve guerile e çetave territoriale dhe nëpër fshatra. Në Qarkun e Korçës, ishin zhvilluar, përveç luftimeve të shkëputura dhe goditjeve që i’u bëheshin garnizoneve të vogla ushtarake të armikut, edhe beteja për çlirimin e zonës së Voskopojës, Leskovikut, Barmashit, Përmetit dhe Këlcyrës.

Po luftohej për krijimin e një zone të gjerë të çliruar, nën drejtimin e një shtabi operativ të përkohshëm, ku spikasnin komandantët, Nexhip Vinçani e Gjin Marku. Pikërisht në këto luftime, pati të plagosur, dhe shumë pak të vrarë, midis tyre Asim Zeneli, (“Hero i Popullit”). Të zhvillosh luftime të suksesshme, me sa më pak humbje, ky ishte parimi logjik i Nexhip Vinçanit.

Mbaj mend, se ai dhe komisari i tij, Pëllumb Dishnica, nuk mburreshin kurrë për këtë. Ata të dy, pas çdo aktiviteti luftarak, do të raportonin në qendër: “Operacioni u krye me sukses. Të vrarë s’ka, të plagosur shumë pak”. Aktiviteti luftarak i forcave partizane, po rritej. Në këto kushte edhe Partia Komuniste Shqiptare, po rritej e zgjerohej, jo vetëm në qytetet kryesore e qendrat e banuara, por edhe në forcat e armatosura. Tashmë, PKSH-ja, kishte rreth 600-700 anëtarë, dhe organizatat bazë të të cilëve, duhet të dërgonin në konferencë, 65-70 delegatë e të ftuar.

Më kujtohet se u mbajtën pesë referate; për çështjet organizative, politike, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Ushtrinë dhe për bashkimin luftarak të punëtorëve dhe fshatarëve. Përveç kësaj, u mbajtën edhe disa nën referate, si: “Për organizatën antifashiste të gruas shqiptare”, “për rininë komuniste”, “për çështjet e financave të partisë”, etj. Më në fund, Konferenca e Parë e vendit e PKSH-së, do të kryente zgjedhjet e Komitetit Qendror të përhershëm të PKSH-së. Dua të them se, asnjë aktivitet, përveç këtij që po flasim, nuk është kryer me kaq rregull partiak.

Nga Qarku i Korçës, i cili mbledhjen e tij, e organizoi në fshatin Polenë, dhe punimet e saj, i drejtoi Dr. Ymer Dishnica, i kooptuar në Komitetin Qendror të PKSH-së, u zgjodhën gjashtë delegatë dhe dy të ftuar. Nuk mund t´i harroj emrat e tyre kurrsesi. Pra: Naxhije Dume, unë, Petro Papi, Nesti Kerenxhi, Pëllumb Dishnica, Nexhip Vinçani dhe të ftuarit, Miha Lako dhe Pilo Peristeri, ishim plot shtatë përfaqësuesit e këtij Qarku, dhe u nisëm për në Konferencën e Parë të vendit të PKSH-së, e cila u mblodh nga 17-22 mars 1943, në Labinot të Elbasanit.

Cilat ishin disa nga pikat më të diskutueshme të kësaj Konference me përmasa të gjera, e cila zhvillohej një vit e gjysëm, pas formimit të PKSH-së?

Së pari, dua të theksoj një fakt, që është i njohur nga të gjithë. Partia jonë, në mbledhjen e saj themeluese, nuk zgjodhi Sekretar të Përgjithshëm, madje as Sekretar Organizativ, por ndau detyra për të shtatë anëtarët e Komitetit Qendror të përkohshëm. Nuk do të ishte e tepërt të përmendnim që, detyrat që iu ngarkuan Enver Hoxhës, nuk ishin as më shumë dhe as më pak, veçse thjesht, mbajtja e protokollit të mbledhjes dhe detyrat për mbledhjen e kuotave të partisë, si dhe adjutantllëku hap pas hapi, dhe pas kurrizit të Miladin Popoviçit. Ajo që është më e habitshmja dhe më e papranueshmja, në punimet e kësaj konference, është se kur u procedua për të kaluar në zgjedhjet e reja të Komitetit Qendror të përhershëm, Enver Hoxha bëri një propozim, që “i mahniti të gjithë”, sepse ai propozoi, që në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së, të ishte Josif Broz Tito.

Sado i çuditshëm duket ky propozim, ky është një fakt, i cili ngjalli diskutime midis delegatëve të konferencës. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe shokët me radhë thanë: “Ç´thua more Enver. Ç’është ky propozim që bënë ti?! Ne, nuk po zgjedhim Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste Jugosllave, por po zgjedhim sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare”. Gjithsesi, nga dokumentet arkivore shqiptare, por edhe nga ato zyrtare jugosllave, që kam patur mundësinë t´i lexoj kohët e fundit, del se për t’u zgjedhur Enveri, Sekretar i Përgjithshëm, ishte insistimi dhe këmbëngulja e Miladinit. Fatalisht, në këtë kohë, Koçi Xoxe, ishte i burgosur në Tiranë, ndaj u zgjodh në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së, Enver Hoxha.

Kjo përzgjedhje ishte gabimi më shkatërrimtar dhe këtu nis uzurpimi që do t’i bënte më vonë PKSH-së, të themeluar me aq mund e sakrifica, nga përfaqësuesit e klasës punëtore shqiptare. Si rezultat i ndërhyrjeve brutale, të Miladin Popoviçit dhe përfaqësuesve të tjerë të Partisë Komuniste Jugosllave, të cilët e quanin veten të plotfuqishëm; mungesës së përvojës, kompleksit të theksuar e naiv të udhëheqësve të kësaj klase punëtore të brishtë, të nënshtruar ndaj përfaqësuesve të huaj, ky bandit politik dhe lakenjtë e tij, siç i ka cilësuar më pas i mençuri dhe guximtari, Sejfulla Meleshova, arriti të bëhej i pushtetshëm. Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të PKSH-së, ndonëse në mungesë, u zgjodh Koçi Xoxe, për të cilin nuk mund të themi kurrë, se u zgjodh si rezultat i përkrahjes së ndokujt.

Arsyet që Koçi u zgjodh në këtë funksion të rëndësishëm, ishin se ai, si askush, organizoi dhe çoi përpara aktivitetin e Grupit Komunist të Korçës, dha ndihmesë të veçantë për themelimin, organizimin dhe zgjerimin e PKSH-së, drejtoi një luftë heroike brenda në burg. Kam dëgjuar të thuhet, se; Koçi Xoxe, ishte një teneqexhi injorant, i pakulturë, që nuk njihte asgjë nga lëvizja komuniste kombëtare dhe ndërkombëtare, se ishte arrogant e të tjera gënjeshtra si këto.

Nuk dua gjithsesi të jem taksativ. Koha do ta tregojë se kush ishte Koçi Xoxe, por dua të them shkurt, tre-katër konsiderata personale për të. Ai ishte me origjinë punëtore dhe teneqexhi apo llamarinist i nderuar, ishte babai i tij, Dhimitri, të cilin e nderonin të gjithë si në Negovan të Follorinës, ashtu edhe në Korçë, Tiranë, Berat, Vlorë e të tjerë. Koçi, nuk ishte injorant, por siç kam dëgjuar, një nxënës i shkëlqyer dhe që në regjistrat e shkollës, nuk kishte nota, veç cilësimin “shkëlqyeshëm”.

Ai nuk mund të ishte injorant, kur rridhte nga një rreth familjar i përsosur. Gjyshi i tij, bashkë me Petro Nini Luarasin, patriotin, dëshmorin e arsimit kombëtar kolonjar, drejtonin shkollën e Negovanit, përkrahën, mbështetën dhe ishin delegatë të dy Kongreseve të Manastirit. Koçi, njihte përsosmërish disa gjuhë të huaja, të rajonit dhe perëndimore, dhe për gjashtë-shtatë vjet rresht, bashkë me një grup komunistësh, perfeksionuan gjuhën frënge te profesor Spiro Xega, të cilin, ne anëtarët e vjetër të Grupit Komunist të Korçës, e kishim njeriun tonë deri vonë.

Lidhjet me profesor Xegën dhe qarkorin e Korçës, janë mbajtur nëpërmjet aktivistit të shquar e, më pas dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shokut tonë, Gaqo Korroveshi, të cilin e kisha shumë shok. Ata, që duan ta njollosin personalisht Koçin, me epitete të tilla, ose nuk e kanë njohur nga afër aktivitetin e shquar të tij, kanë komplekse me të, ose mbajnë ison e Enver Hoxhës, për shumë arsye.

Dua të dëshmoj se, përpara se të mblidhej Konferenca e Parë e vendit, u informuam nga Blazho Jovanoviç, se Partia Komuniste Shqiptare ishte njohur nga Partia Komuniste Jugosllave dhe Kominterni, që jo shumë vonë do të ngrinte aktivitetin e tij, sipas kërkesave dhe këmbënguljes të udhëheqësve perëndimorë antifashistë, e kryesisht, presidentit amerikan, Rusvelt dhe Kryeministrit britanik, Çurçill. Në Konferencën e Parë të vendit, u hodh ideja që së shpejti, të bëhej një mbledhje më e ngushtë, për të zgjedhur Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Shqiptare, e cila e kishte mëse të domosdoshëm drejtimin e saj të centralizuar, sepse tashmë, ushtria partizane po kalonte nga faza e krijimit masiv, të batalioneve partizane dhe territorial, në fazën e krijimit të brigadave. Ne, në Korçë, do të kishim nderin të përgatitnim, inaugurimin e Brigadës së Parë Sulmuese partizane, e cila u themelua më 15 gusht të vitit 1943, në Vithkuq të Korçës.

Ju ishit komisar i shtabit të Qarkut të Korçës, mund të na thoni përpjekjet që u bënë për formimin e Shtabit të Përgjithshëm më 10 korrik të vitit 1943 dhe influenca që pati ai në çlirimin e vendit?

Nga 4-10 korrik të vitit 1943, në Labinot, të Elbasanit, u mblodh Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili vendosi, formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Domosdoshmërinë e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në mënyrë që organizimi dhe drejtimi i veprimeve luftarake, organizimi i operacioneve të mëdha dhe krijimi tashmë të brigadave partizane, si fazë e re e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e kërkonte koha dhe faza e re, në të cilën ishte ngritur lufta.

Ndarja, e drejtimit të luftës së armatosur, nga drejtimi politik me dy shtabe të specializuara, siç ishin; Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Komiteti Qendror i PKSH-së, përsëri ishte i domosdoshëm, në mënyrë që drejtimi i luftës së armatosur, të bëhej me organizmat e vet të specializuar, si; Komanda e Përgjithshme, Shtabi i Përgjithshëm, Shtabet e Qarqeve dhe të Zonave, Shtabet e Brigadave, e kështu me radhë.

Në përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm, përveç anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike, ishin kuadro të tjerë me prirje dhe aftësi ushtarake. Me sa më kujtohet, Shtabi i Përgjithshëm, përbëhej nga 12 anëtarë, që ishin: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja (Mustafa Xhani), Dali Ndreu, Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica dhe Sejfulla Maleshova. Komandant i këtij shtabi, u zgjodh 40-vjeçari Spiro Moisiu, i cili, vinte në këtë detyrë, me bagazhin e një karriere të gjatë e të respektuar, ku spikatnin jo vetëm aftësitë e profesionalizmit ushtarak, por edhe dinjiteti i tij vetjak, e atdhedashuria. Komisar Politik i Shtabit u zgjodh Enver Hoxha, i cili i jepte autoritet edhe më të madh këtij organi të specializuar ushtarak, duke qenë edhe Sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së.

Nuk marr përsipër dhe nuk pretendoj të japë një portret të plotë të Enver Hoxhës, në këtë fushë, sepse personaliteti i tij kompleks, që sundoi me grusht të hekurt skenën politike e shtetërore shqiptare, nuk mund të jepet në një intervistë si kjo dhe me shënimet që kam nxjerrë unë nga përvoja ime. Mendimet e mia, janë thellësisht mendimet e një njeriu dhe doemos, ato mbajnë në vetvete subjektivizmin e tij.

E kam njohur Enverin, që në rininë e hershme të tij, dhe në shumë raste nga ato që pretendon ky njeri, për Grupin Komunist të Korçës e, personalitete të shquara të Lëvizjes Komuniste e Punëtore shqiptare, themelimin e PKSH-së, ngjarje madhore të historisë së saj dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, aktivitete të ndryshme si Plenume të Komitetit Qendror, mbledhje të Byrosë Politike, Konferenca dhe mbledhje të rëndësishme kombëtare, unë do të përpiqem të jem i hapur dhe të them mendimin tim, si komunist dhe antifashist i vjetër, si anëtar i Komitetit Qendror dhe Byrosë, e si anëtar i Qeverisë.

Këtij njeriu, në shumë raste, ia ka dashur puna, interesi dhe situatat politike, të shtrembërojë të vërtetat, çka unë sot, që po bisedojmë bashkë, nuk mund të pajtohem me të. Në të njëjtën kohë, do të pres me qetësi vërejtjet dhe kritikat e kundërshtarëve të mi, ashtu si do të pres me dashuri, sugjerimet dhe mendimet e shokëve të mi të luftës dhe të punës.

Duke pasur parasysh përbërjen heterogjene të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, a pati mendime alternative dhe mospajtime në marrjen e vendimeve?

Sigurisht që po. Aq më tepër që, ende pushteti personal i personaliteteve të ndryshme të LANÇ-it, nuk ishte kristalizuar. Në përbërjen e Shtabit, siç shihet edhe nga emrat që përmenda, të cilët iu përkasin bindjeve dhe krahëve të ndryshëm politikë, si për shembull; Abaz Kupi, ishte përfaqësues i forcave të armatosure të Legalitetit, Haxhi Lleshi, Baba Faja, Myslim Peza e Mustafa Gjinishi, personalitete me prirje të theksuara nacionaliste, si Spiro Moisiu, Bedri Spahiu e Dali Ndreu, personalitete me prirje thelbësisht ushtarake si Sejfulla Maleshova, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, përfshi këtu edhe siç jam shprehur më lart, prezencën e Enver Hoxhës, të përkëdhelurin e Miladin Popoviçit, ishin personalitete që vinin nga radhët e inteligjencës. Në këto kushte, nuk kishte se si të mos shpreheshin nga ky grupim heterogjen, mendime alternative, ndryshe nga vendimet e Komitetit Qendror të PKSH-së, apo trojkës Miladin, Enver, Dushan, kur ata vendosnin apriori, pa pyetur për mendimin kolegjial të Shtabit të Përgjithshëm.

Me këtë arsyetim, shpjegohet edhe ftohja e më pas largimi i Abaz Kupit, apo armiqësimi i Myslim Pezës me Enver Hoxhën, pas vrasjes së Mustafa Gjinishit, të cilin e kishte jo vetëm mikun e familjes së tij, dhe e konsideronte si djalë, por kishte kaluar së bashku me të dhe Kajo Karafilin, ditët e vështira të emigracionit politik. Pas formimit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili u bë i njohur në të gjithë vendin, me anën e një proklamate, do të vinte faza e krijimit të njësive të mëdha taktiko-operative, brigadat dhe më pas divizionet.

Duke iu kthyer edhe njëherë ndodhive të asaj kohe, unë them sinqerisht, se Shtabi i Përgjithshëm, puna e të cilit u përqendrua në dorën e tre-katër vetave, përveç fakteve të njohura pozitive të drejtimit të luftës, ka përgjegjësi edhe për mjaft gabime të rënda. Një nga këto gabime, është ai i Operacionit armik të Dimrit, ku fati i luftës, qëndroi varur në fije të perit, si rezultat i shkëputjes së Shtabit të Përgjithshëm, nga drejtimi i forcave kryesore.

Drejtimin e luftimeve në Jug të vendit, e mori në dorë Grupi Operativ i Shtabit të Përgjithshëm, në përbërje të të cilit ishin: Liri Gega, Haxhi Lleshi, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, që e kryesonte këtë grup. Nuk mund të harrohet edhe ndihma e vyer e drejtuesve me përvojë, Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Teki Kolaneci. Për më tepër, akoma paaftësia ushtarake e Enver Hoxhës dhe e anëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, ishte mos vendosja e kontakteve, me njësinë më të madhe operative që kishte Ushtria Nacionalçlirimtare, deri atëherë, Brigadën e Parë Sulmuese, e komanduar me mjeshtëri nga Mehmet Shehu e Tuk Jakova, që ndërmori një inkursion heroik, për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm. Mua më vjen keq të them, se më pas në varësi të situatave politike, Enveri, e ka quajtur këtë veprim të jashtëzakonshëm të Brigadës së I-rë Sulmuese dhe të Mehmet Shehut, si tradhti të qëllimshme të tij! Ky rast, do të befasonte çdo njeri me logjikë të ftohtë, e të kthjellët.

Disa muaj pas kësaj ngjarjeje, Qarku i Korçës, organizoi një demonstrim antifashist dhe në krye të demonstruesve, qëndronte nëna juaj Polikseni Kristo, që ra heroikisht. A mund të na tregoni diçka më tepër për këtë ngjarje?

Nëna ime, u lidh ngushtë me ne fëmijët e saj. Ajo u përfshi në aksionet e luftës, së bashku me njerëzit e saj, duke shpërndarë komunikata, ilaçe dhe materiale të tjera luftarake. Nëna dhe motra ime, shoqëronin shokët ilegalë nga më të ndryshmit, që strehoheshin në shtëpinë time, si për shembull: Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Nako Spirun, Naxhije Dumen, Vasil Shanton, Misto Mamen, S.V.Tempon me Milicën, gruan e tij, Mihal Durin, Tuk Jakovën, Fiqret Shehun, Ramadan Çitakun, Pëllumb Dishnicen, Llambi Dishnicen, Pilo Peristerin, Fuat Babanin, Taqi Skendin, Kleopatra Maliqin, Kasiani Paskalin, Vasilika Boboshticën, e të tjerë.

Midis gëzimit të fitores së madhe, te kapitullimit të Italisë Fashiste, me 8 shtator 1943, mësova me hidhërim të madh se, nëna u vra në demonstratën e madhe, të 9 shtatorit 1943. Kjo demonstratë u zhvillua në Korçë, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, pikërisht atë ditë, kur kapitulloi Italia fashiste.

Qarkori i PKSH-së së Korçës, u bëri thirrje trupave të divizionit Italian, të dislokuar në Korçë dhe në qytetet e tjera të Qarkut, që të bashkoheshin me popullin shqiptar, kundër pushtuesit të ri, nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që ishin edhe armiq të popullit italian. Por, komanda e divizionit, urdhëroi të hapej zjarr çnjerëzor, kundër popullit të paarmatosur të Korçës, pikërisht te sheshi përpara monumentit të “Luftëtarit Kombëtar”, në qendër të qytetit, i cili u la me gjakun e 59 të vrarëve dhe 93 të plagosurve, kryesisht gra.

Kjo demonstratë, ishte një nga më të mëdhatë dhe më të përgjakshmet, në të gjithë Shqipërinë, por çuditërisht, me kalimin e viteve, është lënë në një harresë të pafalshme. Në Shqipëri, kapitulluan pjesë-pjesë, forcat e Armatës së IX-të të Ushtrisë Italiane dhe shume prej tyre, rreth 15.000 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, luftuan së bashku me forcat antifashiste shqiptare. Ndërkohë, ndodhesha në Komandën e Qarkut, e cila ishte instaluar përkohësisht në Vithkuq të Korçës…!

Continue Reading

DOSSIER

Serbia mes Titos dhe Enver Hoxhës

Tito e Enver Hoxha, në mënyra të ndryshme dhe me ca vonesa (në rastin e Shqipërisë) u angazhuan që Rusia të mos hyjë në shtetet e tyre, apo që shtetet e tyre të mos angazhohen për interesat e Rusisë. Kjo nuk mund të thuhet si përfundim për politikën e Serbisë së sotme dhe paraqet dilemën parësore: kurdo të tërhiqet vija e armëpushimit Ukrainë-Rusi a do të jetë Ballkani Perëndimor një zonë unike e sigurisë?

Nga Veton Surroi

1.

Ndodh ritualisht e shpesh në publicistikën serbe, posaçërisht të asaj në opozitë, që Serbia, gjegjësisht prijësi i saj, Aleksandar Vuçiq, të krahasohen, e herë edhe të barazohen me Enver Hoxhën. Në interpretimin e këtyre krahasimeve, Serbia po përpiqet të mbajë balancë mes Lindjes dhe Perëndimit sikur Titoja. Për më tepër, pjesë e kësaj balance është edhe mbajtja e lidhjeve me vendeve të Botës së Tretë që ishin boshti i Lëvizjes së painkuadruarve, njëri prej themeluesve të së cilës ishte Titoja. Dhe, në interpretimin krahasues, Serbia po lidhet me Kinën, ashtu siç bëri Enver Hoxha në kohën e vet.

Nënteksti i këtyre interpretimeve është se Serbia po humb kohë, se duhet të orientohet kah Perëndimi, gjegjësisht BE-ja dhe NATO. Argumenti thotë se po ta kishin bërë këtë Titoja dhe Enver Hoxha me kohë, për shembull kur Bashkimi Sovjetik hyri në Çekosllovaki më 1968, vendet e tyre do të ishin në gjendje më të mirë, tashmë do të ishin pjesë e botës transatlantike.

Por, ashtu siç nuk ka histori me “po të kishte ndodhur në këtë formë, rezultati do të ishte i këtillë”, ashtu nuk ka edhe përshkrim krahasues pa kontekst paraprak. Po, është e vërtetë se Serbia ka ngjashmëri me Titon dhe Enver Hoxhën për sa i përket mospërcaktimit për identitetin perëndimor të shtetit (dhe kjo është pjesë e ideologjisë së “veçantizmit” të cilën po e ndërton prej kohës së Milosheviqit). Por, jo, Serbia nuk ka kapacitet, nuk ka ndërmend dhe nuk do ta themelojë e as t’i prijë Lëvizjes së painkuadruarve mes Lindjes e Perëndimit. Dhe jo , Serbia nuk synon të lidhet me Kinën si partner të vetin të vetëm strategjik në një luftë ideologjike kundër tërë botës.

2.

Ç’është e vërteta, lëvizjet e Serbisë kanë marrë fillimisht diçka prej Titos, atë të balancës mes superfuqive. Por, dallimi është thelbësor: Tito prej vitit 1948 qe dëbuar prej kampit sovjetik (partive komuniste rreth Moskës, Paktit të Varshavës) dhe iu kthye Perëndimit për ndihmë në armë e përkrahje financiare si mundësi të mbijetesës. Lindjes i tha se vazhdon të jetë komunist, Perëndimit i tha se është komunist, por i një specieje të veçantë që nuk merr urdhra nga Moska. Evropianëve u tha atë që ishte evidente, se ishte evropian. Botës së tretë i tha atë që ishte evidente, se ishte Botë e Tretë.

Ndërsa Jugosllavia iu kthye Perëndimit ngase u dëbua nga Lindja, Serbia nuk u dëbua nga Perëndimi. Në fakt vendet e NATO-s prej kohësh janë shprehur për bashkëpunim të ngushtë me Serbinë e BE-ja ka hapur negociata për anëtarësim. Pra, kthesa e Serbisë kah Lindja u bë për arsye krejtësisht të kundërta; në interpretimin e Serbisë, kthesa kah Lindja nuk është bërë pse Perëndimi nuk e dëshiron Serbinë, por sepse këtë duhet ta dëshmojë, pra duhet të tregojë se e do Serbinë brenda BE-së aq shumë sa që këtë ta dëshmojë me vendime të përkrahjes financiare, politike dhe çfarëdo tjetër për anëtarësim të shpejtë në të.  Kur pastaj në këtë ekuacion hyn Kosova, gjërat shkojnë kah një cikël vicioz të mëtejmë. Sepse, përderisa Kosova të jetë pengesa më e madhe e objektive për Serbinë evropiane, një pengesë që kjo Serbi si ajo e mëparmja nuk ka ndërmend ta zgjidhë nëpërmjet të normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella, lidhja e Serbisë me Lindjen është një sinjal i Perëndimit që duhet të bëjë edhe më shumë për të në mënyrë që të mos anojë më shumë kah Lindja.

Kjo lojë e balancës, ku Perëndimi duhet të dëshmojë se sa e do Serbinë brenda vetes, deri më tani ka funksionuar. Dhe, për dallim prej kohës së Titos, ku Perëndimi vetëm kishte nevojë të dëshmojë se sa nuk do që Jugosllavia të kalojë në kampin sovjetik, tash steka për të është ngritur edhe për një shkallë, duhet të dëshmojë se sa me të vërtetë do të Serbia të kalojë në Perëndim, të hyjë në BE.

Serbisë, për ngritje të stekës i ka ndihmuar gjeopolitika, gjegjësisht leximi i kujdesshëm i saj. Rregullat e Luftës së Ftohtë që i ndihmuan Titos për të mbajtur balancën nuk vlejnë më; shkoi Titoja e pas tij edhe Lufta e Ftohtë. Pas një periudhe të akomodimit me rënien e Murit të Berlinit tash jemi në një rikompozim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Marrëdhëniet që do të dalin, mes tjerash, prej fundit të luftës në Ukrainë, rikompozimit të Lindjes së Mesme me rol të ri të Arabisë Saudite, pozicionit të Iranit dhe balancës së përgjithshme SHBA-Kinë, do të vendosin natyrën e fërkimeve mes botës transatlantike dhe asaj euroaziatike. Serbia është duke shikuar këtë teatër gjeostrategjik, jo atë të Titos e Enver Hoxhës.

3.

Procesi i ndryshimit gjeopolitik nuk ka treguar ende konturat e marrëdhënieve të reja. Dhe, ndonëse ky proces nuk ka përfunduar është e qartë se krahasimi i Serbisë së tanishme me Enver Hoxhën është fare i pavend dhe më shumë dëshirë asociimi negativ për figurën e Vuçiqit . Ndërsa Enver Hoxha u lidh me Kinën për të ikur nga Bashkimi Sovjetik (dhe Perëndimi), Serbia po lidhet me Kinën si me ekonominë e dytë më të fortë në botë e duke e shndërruar veten në treg konkurrence teknologjie, financash, tregtie ndërkombëtare dhe , përfundimisht,një Bote euroaziatike që fillon dikund në linjën e frontit mes forcave ukrainase dhe ruse në territorin e Ukrainës dhe përfundon në Vladivostok e Kinë. Kjo botë mund lehtë të përfshijë në politika ekonomike Indinë e Afrikën e Jugut e në politikë të sigurisë edhe Korenë veriore e Iranin dhe ndonjë kandidat eventual që beson në këso renditje botërore që ndërtohet mbi rregullin se nuk ka rregulla të vjetra . Enver Hoxha qe lidhur me Kinën e izoluar për ta izoluar Shqipërinë sa më shumë brenda saj Kine. Serbia po lidhet me Kinën si fuqi botërore për ta integruar edhe më shumë në atë që nesër do të jetë bota euro-aziatike, BRICS apo Jugu global , por duke mos e ndërruar adresën e vendbanimit në kontinentin evropian.

Në një analogji të largët leximi gjeopolitik i presidentit Vuçiq mund të jetë i ngjashëm me atë të Titos. Pra që Perëndimit t’i thotë se Serbia e ka të përcaktuar rrugën evropiane, Rusisë se ka një politikë të pavarur dhe neutrale që nuk e pengon lidhje të ngushtë me të, Kinës se kërkon partneritet strategjik në financa, investime, tregti, inteligjencë artificiale; Botë së tretë t’i thotë se edhe Serbia ndihet pjesë e atij Jugu global.

Ky lexim deri më tani ka funksionuar. Serbia ka testuar seriozitetin e BE-së dhe NATO-s ndaj Ballkanit perëndimor prej momentit kur është anëtarësuar Kroacia, pra prej vitit 2013. I ka rezultuar se ka progres më të madh drejt Bashkimit evropian kur Bashkimi evropian është më i interesuar për ta pasur Serbinë brenda sesa vetë Serbia. Si në transfere klubesh futbolli, gjetje të vendit të punës apo shitjes së kompanisë rëndom ndodhë të kesh më shumë rezultat kur të kërkojnë sesa kur e ofron veten.

4.

Tito dhe Enver Hoxha nuk panë përfundimin e pozicionimeve të tyre gjeopolitike ngase konteksti ndryshoi pas vdekjes së tyre.

Gjendja e tanishme e tranzicionit drejt konturave të një rirenditjeje globale mund ta testojë Serbia e sotme kurdo të arrijë momenti  i të kuptuarit se lufta në Ukrainë nuk ka fitues ushtarak dhe se do të krijohet një vijë e re armëpushimi, paqeje të përkohshme apo çfarëdo emri të ketë  mes forcave ukrainase dhe atyre ruse e në bazë të një Marrëveshje. Në atë moment, mund të tërhiqet vija e përkohshmërisë (pak më të gjatë) mes botës transatlantike e euro-aziatike në atë pjesë të globit.

Për Evropën, Serbinë dhe fqinjët e saj mund të paraqiten disa skenarë. Në politikën dëshirore evropiane skenari i pritur është ai moment kur Evropa merr përgjegjësinë historike, “zeitenwende” , të kthimit të madh dhe krijon një zonë të lirisë, sigurisë dhe përkatësisë brenda BE-së në një periudhë rekorde që niset prej prioritetit gjeopolitik para çdo gjëje tjetër.

Për politikën dëshirore të Serbisë mund të paraqitet momenti kur mbajtja e “pavarësisë dhe neutralitetit” në politikën karshi Rusisë është çasti i eksklamimit “a ju kemi thënë” që Rusia nuk mposhtet me luftë; do të harrohet presioni për njësimin e politikës së jashtme evropiane karshi Rusisë.

Por, në real-politikë mund të paraqiten dy skenarë negative për Evropën, Serbinë dhe fqinjët e saj.

I pari do të ishte nëse vija ndarëse mes botës atlanticiste dhe euro-aziatike të kalonte mes përmes  territorit e popullit serb me një pjesë të rëndësishme të popullatës me besim në botën euroaziatike; i tërë ideologjizim i përditshëm mediatik mbi lidhmërinë e veçantë të Serbisë me Rusinë tashmë është shndërruar në besim kolektiv për një pjesë të popullatës.

Skenari i dytë do të ishte po që se kjo vijë ndarëse replikohet edhe gjithandej Ballkanit perëndimor, me skenarin më të padëshiruar të mundshëm mes tjerash edhe në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Tito e Enver Hoxha, në mënyra të ndryshme dhe me ca vonesa (në rastin e Shqipërisë) u angazhuan që Rusia të mos hyjë në shtetet e tyre, apo që shtetet e tyre të mos angazhohen për interesat e Rusisë . Kjo nuk mund të thuhet si përfundim për politikën e Serbisë së sotme dhe paraqet dilemën parësore: kurdo të tërhiqet vija e armëpushimit Ukrainë-Rusi a do të jetë Ballkani Perëndimor një zonë unike e sigurisë?

Continue Reading

DOSSIER

“Më burgosën, kur dola vajza që doja më erdhi në shtëpi dhe…”- Rrëfimi i rrallë i djalit të Petro Markos dhe pengu nga burgu i Spaçit për Enver Hoxhën

Nga larg i ngjason në çehre babait të tij. Gjatosh, me lëkurë zeshkane e, flokë të errët. Të gjithë e përshëndesin. Kur dikush s’e ka mendjen, ai i flet përpara: “Ku vete”… ndërsa na kujtohet “Apologjia ime (jetës)” shkruar nga i madhi Petro Marko; “-Ku linde, o i ri? – O jetë, linda në shkreti! – Ku rron dhe ku vete, në ç’dhera e, në ç’dete?!…”. Kemi takuar Jamarbërin, apo Madunë, siç e thërrasin prej vitesh të gjithë, djalin e vetëm të shkrimtarit, të cilësuar “Peshkop i Letërsisë”, Petro Markos. “Pseudonimi”, i ka mbetur nga një vajzë e vogël, e cila s’mund të shqiptonte të gjithë emrin dhe e thërriti; Madu.

Ka hequr shumë sprova të vështira në kurriz. Që kur përfundoi studimet në Gazetari, regjimi e degdisi në burgun e Spaçit. I riu shfaqte haptas kritikat mbi pushtetin popullor, por mbi të gjitha, ai ishte i biri i Petro Markos.

Kur e pyesim Madunë, se; cila ka qenë dita më e keqe e jetës, shprehet për atë ditë kur i ngordhi macja, ndërsa ishte 10 vjeç. E kur habitemi, na kthehet: “Unë e dija se çfarë më priste, isha i përgatitur”, ndërsa na kujton një shprehje të Shopenhauerit: “Ai që është i ri e parandien të ardhmen, ai që është i rrjedhur, jeton me të kaluarën, pjesa më e madhe e njerëzve, jetojnë të tashmen”…!

Që në rininë e hershme, dashuria e Madusë ishte dhe vazhdon të mbetet poezia. Dikur i kishin thënë se; poezia nuk të jep bukë, e i riu i ishte përgjigjur se; as buka nuk të jep poezi. Të shkruajë poezi.

Kjo është gjëja që vazhdon të bëjë edhe sot Madu. Ai vazhdon të jetojë në shtëpinë që u lind, aty ku e ka pasur gjithnjë shkrimtari i madh, në bulevardin “Zogu I-rë”, shumë pranë Maternitetit.

Dikur Madu, ashtu sikurse i ati, punonte si gazetar, ndërsa pas kaq vitesh, vetëm shkruan. Te dritaret e drunjta të dala boje e të vjetruara, te dritaret e katit të dytë, që bien mbi rrugicën e “Dervish Hatixhesë”, kalon pjesën më të madhe të ditës, djali i Petro Markos.

Po si ka qenë jeta e tij, problemet e shkaktuara në rini dhe dashuria e humbur, bisedat e fundit me Petro Markon dhe ato që s’i mësoi kurrë i ati…!

Mes intervistës me Jamarbër (Madunë) Markon, ne do të mundohemi të kuptojmë atë që kanë hequr shumë intelektualë shqiptarë, dhimbjen e pashërueshme, që i shkaktoi regjimi aq i egër i Enver Hoxhës.

Cilin virtyt ke trashëguar nga babai yt?

Më ka ndihmuar gjithmonë tërheqjen tek vetvetja, për ta kuptuar. Kur fillova ta kuptoj, mendova se kjo ishte kaq pak, saqë duhet ta filloja jetën, jo më në këtë glob të ndyrë, por në galaktika të tjera.

Çfarë nuk të ka mësuar babai yt?

Petro Marko, s’më ka treguar asnjëherë për torturat e vërteta. Ato i kuptova kur u torturova vetë.

Cila ka qenë biseda e fundit me babanë tënd?

Ka qenë i shtrirë në shtrat, pak ditë para se të vdiste dhe më tha: “O Madu, kujton se po vjen demokracia në Shqipëri”?! Unë heshta, ndërsa ai vijoi…; “Pa kaluar dhe 50 vjet, s’bëhet hapi i parë për të kaluar në demokraci”. Dhe mendoj se realiteti është i tillë.

Në vitet ’90-të, e menduat ndonjëherë të angazhoheshit politikisht?

Do të më duhej shumë kohë ta mendoja këtë, ndërsa për të marrë pjesë, do ishte e pamundur.

Cila ka qenë dita më e keqe e jetës tënde?

Kur isha 10 vjeç, kisha një mace shumë të bukur, e cila shkoi të pijë ujë në një çezmë dhe në atë moment ngordhi.

Kur të pyesim për ditën më të hidhur, ti tregon kur humbe macen. Për ty dënimi s’ishte ditë e keqe?!

Jo, sepse dënimin e prisja. (Dhe më kujtohet një shprehje shumë e vërtetë. Ai që është i ri, e parandien të ardhmen. Ai që është i rrjedhur, jeton me të kaluarën. Pjesa më e madhe e njerëzve, jeton me të tashmen). Unë e dija fatin tim. Isha biri i Petro Markos.

Po dita më e bukur?

Mbaja në dorë një trëndafil. Filloi era dhe trëndafili u rrëzua te bluza e një vajze. Ajo me siguri, do të bëhej e dashura ime.

Kështu ndodhi realisht, sepse shumë poetike e thëna?

Unë kam dashur çdo femër që kam takuar e që ndjente më shumë për veten e saj, se për mua. Dëgjo, unë mendoj që; po të biesh në dashuri si fizik, dashuria do të shndërrohet në pleh. Po të biesh në dashuri si mendim, ti do të ngihesh edhe kur të kesh vdekur.

Mund të na flisni më konkretisht, kjo është histori e vërtetë?

Është historia e një vajze, të cilën unë e doja, por e shmangja. Isha rreth të 20-ve dhe më në fund, pas shumë insistimesh i tregova, se po të ishte pranë meje, ajo do të vuante. Ndodhi realisht kështu. Pas disa muajsh më burgosën e, kur dola nga burgu, ajo më erdhi në shtëpi e më takoi. Sigurisht më falënderoi, që e kisha shpëtuar nga vuajtjet.

Pas përfundimit të dënimit në vitin 1978, nuk u orvatën të të burgosnin sërish?

Më kujtohet që rreth vitit 1979, më thirrën në Degën e Punëve të Brendshme dhe kryetari, pasi bisedova me të, më tha: “Ti vendin prapë në Spaç e ke”. Unë e dëgjova dhe i thashë: “Kujdes ti, se mos të vjen ndonjë kancer në pankreas dhe s’do të dish më, nga të erdhi…”! Ai më nxori jashtë zyrës me të bërtitura. Fati i tij ishte siç e kisha parashikuar dhe teksa nisej në Rinas për t’u kuruar në Francë, u kishte dhënë porosi vartësve, që mua të mos më ngiste më njeri.

Cili është pengu yt?

Të kisha një telefon në Spaç, që të merrja Enver Hoxhën e, t’i thosha, mor ndyrësirë, mor qen…!

Kur erdhe në Tiranë, tentove të bëje atë që s’e bëre në Spaç?

Enveri fshihej nga e gjithë Tirana, kështu që s’kisha shanse…!

Ti mendon se, thellë-thellë, Enver Hoxha ka pasur një dozë pozitiviteti?

Ai ishte mes një grupi studentësh që vinin nga Franca, të cilët u hoqën si marksistë-leninistë dhe s’lanë njeri pa vrarë e shkatërruar, para se ata të vdisnin.

Çfarë të kanë mohuar nga jeta ato vite burgu?

Atëherë isha i ndrojtur dhe më pas kur erdhën gjërat ndryshe, u bëra xhelat i vetvetes.

Çfarë ndjesie të krijojnë ato vite të burgut?

Ndjesia e lirisë në një vend të ndrydhur, është më e plotë se në një vend të hapur. Po të mos kisha qenë i burgosur në Spaç, s’do e kisha kuptuar kurrë, çfarë është liria e vërtetë. Më merr malli ndonjëherë, për galeritë e Spaçit.

Ju jeni i lirë?

Në momentet e ndrydhura e ndjeja lirinë si ndjeshmëri romantike. Ndërsa në momentet më të lira, liria bëhet një “kukumjaçkë”, që i këndon fqinjëve.

Për çfarë të merr më shumë malli?

Më merr më shumë malli për veten time, ashtu siç kam qenë ndonjëherë.

E si ke qenë?

Një krijesë e gurtë që konstaton, por që s’bën asnjë veprim.

Cilët janë shokët e tu?

Nuk e di.

Kë ke pasur shok atëherë?

Shoku im i vetëm, është njerëzimi dhe natyra. Shoku im i humbur, është qielli dhe pabesia. Shoku që rri pranë meje, është dështimi dhe fitorja. Po të gjenden shokë të tjerë, do të isha larguar nga kjo botë.

Keni botuar dy libra me poezi. Keni ndonjë plan të afërt, për të botuar një libër të tretë?

Kam botuar librin e parë “Rastësisht me dashje”, më 1995, dhe “Pro nobis”, më 2001. Tani kam gati një tjetër libër, me poezi.

Ke provuar ndonjëherë të tentosh të shkruash prozë?

Sigurisht, por mendoj se me prozë, bëhesh shumë i vogël. Për mua poezia, është hapi i parë drejt afërsisë me gjithçka.

Ke frikë nga vdekja?

Dy herë më shumë dhe një herë më pak.

Pse?

Sepse kur ajo vjen, s’e dallon dot. Po iku, ti ke një moment zhgënjimi.

Nëse do të zgjidhje kohën kur do jetoje, do preferoje mesjetën, fillimet e shekullit XX-të, apo të ardhmen?

Do vendosja të jetoja në periudhën para ardhjes së njerëzimit. Do të isha një pemë pa lule, pa frutë, do të kisha vetëm pak qiell.

Ku beson?

Po të besoja te gjërat që dallohen, do të isha i mefshtë. Po të besoja, do qëndroja mbi një trung në oqean, për të pritur kontaktin me ishullin më të largët të botës.

Jamarbër Marko: “Poeti nuk di të kthehet”

Ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, poeti Jamarbër Marko. Bir i shkrimtarit Petro Marko dhe i piktores Safo Marko, la pas fletore të tëra me poezi të pabotuara, të cilat e motra Arianita Marko, kishte vendosur t’ia botonte në një përmbledhje.

Vetëm pak para se të ndërronte jetë, mesnatën e së premtes, ai i tha se e kishte vendosur titullin: “Nuk di të kthehem”. Një titull që vjen si një mesazh, si varg i fundit poezie për të gjithë

Ajo zbriti në fund të shkallëve të ngushta. Njerëzit përreth i bënë vend të kalonte. Qëndroi e vetme dhe e priti të vëllain. Për të fundit herë e përcolli. Ai doli nga shtëpia dhe më nuk do të kthehet. Vëllai, Jamarbëri nuk jeton. Motra, Arianita e përqafoi, e puthi, e përkëdheli, foli dhe u përkujdes për të fundit herë.

Mesnatën e së premtes, (diçka më shumë a më pak), ai u largua nga kjo botë. I heshtur. Ashtu e fortë, ajo nuk bëri zë. As nënës së sëmurë nuk i tha. Ia fshehu Safos, vdekjen e të birit. Por nëna diç ndjeu.

Me gjithë sëmundjen, nxori zë e tha: “Zot, si do ta gdhijmë këtë natë, deri sa të vejë ora 3 (e pasdites)”. E paratha Safoja, orën kur do e përcillte për në banesën e fundit birin, dhe Nita e respektoi vendimin e saj.

“E shkreta unë, e kam sëmurë Madunë”… ajo e ndiente, edhe pse të gjithë heshtën para saj. Safo Marko, vazhdon të qëndrojë shtrirë në shtrat dhe në ndonjë çast kthjellimi ndoshta edhe është çuditur, sa shumë njerëz hyjnë e dalin në dhomën e saj. Ndoshta edhe e ka kuptuar, se diçka nuk shkon me Madunë e saj…?!

Miqtë e të afërmit, vetëm ata venë e vijnë në familjen Marko. Por janë të paktë. E çuditshme se si pret që kur largohet nga jeta një njeri, një bir arti, një poet, artist si ai, pret që njerëzit të derdhen lumë e që Bulevardi “Zogu i Parë”, deri te shkallët e shtëpisë ku banoi shkrimtari Petro Marko, të jenë të mbushura plot. Mungojnë njerëzit e kulturës. Ata që emrin e kësaj familje, e zënë në gojë kur ua do puna të mbahen me të madh e që i harrojnë sa kthejnë krahët.

Sot ata janë kaq të paktë, sa të zë trishtimi. Është një trishtim që i shtohet mortit që ka rënë, zymtësisë së kohës, e asaj të apartamentit të vogël, të Markove të mëdhenj.

Poeti Xhevahir Spahiu, aktoret Rajmonda Bulku e Yllka Mujo, janë personalitetet e vetme të pranishëm. Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferaj, ka dërguar vetëm një mesazh ngushëllimi, dhe atë përmes zëdhënëses për shtyp…!

Mbi trupin e pajetë të Jamarbërit, në një kurorë me lule të bën përshtypje mesazhi i shkruar në shirit: “Mirënjohje për sakrificën e familjes suaj. Me respekt “˜Bota e luleve’”. Ndonjëherë prej atyre që nuk njeh, vjen edhe respekti më i madh.

Jamarbër Marko u nda nga jeta dje në moshën 59-vjeçare. Vuante poeti, jo vetëm prej sëmundjes, (diagnoza: cerozë në mëlçi), por më shumë prej të kaluarave. Ngulmonte të mos kurohej. Ishte një vetë-dorëzim, për të cilin zor se mund t’ia ktheje mendjen.

Diçka tej imagjinatës, ndoshta kish ndodhur në shpirtin e tij, shpirt poeti, dhe ai nuk kthehej dot më. Iu dorëzua fatit, mendimeve të tij, kështu hoqi dorë prej jetës, apo prej vetes, ku i dihet?! Madu nuk diti të kthehej më.

Me gjithë përpjekjet, as Arianita nuk e ndryshoi dot vendimin e tij. Nuk i mbeti tjetër, veçse ta respektonte deri në fund, t’i qëndronte pranë, se ai ashtu e zgjodhi ta kishte fundin, në shtëpinë e babait, në duart e motrës, pranë nënës së sëmurë.

E patën pyetur një here, në kishte frikë nga vdekja, dhe ai ishte përgjigjur: “Dy herë më shumë dhe një herë më pak. Sepse kur ajo vjen, s’e dallon dot. Po iku, ti ke një moment zhgënjimi”.

Por dje nuk u zhgënjye, ajo e priti, nuk iku. Madu zgjodhi ta ndiqte pas. E nëse besonte në një botë tjetër, kushedi, ndoshta ka fatin që të paktën tani, të jetë “një pemë pa lule, pa frutë, me vetëm pak qiell”. Të shijojë lirinë, atë që i pat munguar gjatë viteve të burgut në Spaç e, ndoshta edhe gjatë burgut prej së gjalli që përjetoi, ashtu i tërhequr dhe i lënë në harresë.

Ajo qan në heshtje, ashtu siç është mësuar të jetojnë Markot. Edhe britmat i ka të tilla, të heshtura. “Ai ishte vëllai im”, vetëm për të thënë këtë nxori zë.

Si për të thënë se tani e qara ishte e përligjur, se tani mund ta hidhte poshtë petkun e “të fortës” për të shprehur dhimbjen. Ajo i qëndroi pranë deri në fund, ashtu si vetëm një motër që e do shumë vëllain mund ta bëjë.

E me gjithë vuajtjen, prapë e fortë ajo gjen kurajë të flasë për të vëllain, për çastet e tij të fundit e mbi të gjitha për përmbledhjen e fundit me poezi, të cilës pak para se të vdiste, Jamarbër Marko ia vendosi vetë titullin: “Nuk di të kthehem”.

Arianita Marko: “Madu donte të jetonte dhe të vdiste, pa bërë kompromise”!

Znj. Arianita, si ishte gjendja e Jamarbërit, sidomos kohët e fundit?

Gjendja e tij kohët e fundit ishte e mjerë, donte asistencë, donte ndihmë, të cilën unë si motër, ia kam dhënë. I kam dhënë aq ndihmë, sa mund t’i japë një motër një vëllai, që e do shumë. Por ndihmë tjetër, nuk ka pasur. Ai nuk pranonte të kryente vizita mjekësore. Ishte sikur të refuzonte të jetonte, sikur e kishte vendosur fundin…! Sepse ai kishte parë dhe ka parë të gjitha gjërat, që mund të ndodhnin. Madu nuk gënjehej kollaj. Ai donte të vdiste në shtëpi. Unë nuk bëra asgjë kundër vullnetit të tij, e mbajta në shtëpi, i ndjenja afër deri në momentin që ai iku.

Ç’mendonte ai për gjendjen, sidomos të kohëve të fundit të familjes Marko. Çfarë thoshte, gjatë bisedave që keni pasur?

Ne nuk bisedojmë, se s’jemi aq të vegjël, për të biseduar për gjendjet. Ne gjendjet i dimë, sepse prindërit kanë kaluar disa periudha kohe, që janë disa regjime, me disa ndryshime. Ne dimë se si vuajnë njerëzit, se si vuajnë artistët, të ndershmit, të pasurit dhe i pranojmë. Ne dimë të vuajmë dhe të ikim në heshtje. Unë për vete bëra një thirrje, e theva heshtjen dhe nuk pendohem për këtë.

E bëra për të kërkuar ndihmë për këtë familje, që meritonte pak më shumë vëmendje, sepse u ka dhënë shumë njerëzve si familje, si artistë. Ata i deshën njerëzit, jetën, panë zhgënjimet që kërkonin të vërtetën dhe që pastaj…! Kërkova ndihmë jo për veten, por për të mbajtur ata. Erdhi një ndihmë modeste kohët e fundit. Por dashuria ime si motër dhe si nënë për mamanë time, nuk u ka munguar edhe nuk do t’u mungojë asnjëherë. Për vete jam sakrifikuar me gjithë shpirt, për tre artistët që kam pasur në shtëpi.

Madu, siç i thërrisnin të gjithë, në një farë mënyre edhe refuzonte t’i botoheshin krijimet e tij. Përse?

Madu nuk ka dashur të botoheshin shkrimet e tij, sepse ne që fëmijë, jemi mësuar me botimet. Nuk ishim nga ata që gëzoheshin kur botohej diçka për herë të parë, e rëndësishme apo e parëndësishme qoftë. Ne ishim për botime me vlerë. Jo se ai ka refuzuar të botonte, por nuk e di, ndoshta…!

Po. Madu ka lënë pas shumë blloqe me poezi, që them se ndoshta po të jem gjallë, do t’i botoj. Dje (të premten) para se të vdiste, i thashë: Kam vendosur t’i botoj poezitë e tua. I kërkova të vendosnim një titull dhe ai më tha se e kishte një në mendje: “Nuk di të kthehem”. Është një titull që ka shumë krah mendimi. Do të thotë nuk di të kthehem nga vdekja, nuk di të kthehem në jetë, nuk di të kthehem nga fillimi, nuk di të kthehem në shpresë…!

Po kohë më parë, a keni bërë ndonjë përzgjedhje të poezive, që do të donit të botonit?

Nuk kam bërë asnjë përzgjedhje poezish. Kam bërë përzgjedhjen e asistencës mjekësore. Është më njerëzore të përcjellësh ata duke i përqafuar, duke i puthur, duke ndier afërsinë si njeri, se sa një botim. Botimi vjen më pas. Unë i ndjenja afër tim vëllai, si njeri.

A vazhdonte të shkruante gjatë kohëve të fundit?

Kohët e fundit nuk mund të shkruante, sidomos pas aksidentit.

Si ishin momentet e fundit të poetit?

Momentet e fundit të Madus… vdiq një njeri, duke vuajtur shumë. Zgjodhi të vdiste në dorën time dhe unë ia mbajta dorën deri në fund, duke e puthur, duke e përqafuar, duke i shtrënguar dorën, deri në grahmat e fundit. Se ishte më mirë të ndodhte në krahët e motrës, se sa në krahët e çdo njeriu tjetër.

Lexuesi e njeh si poet, bir i shkrimtarit Petro Marko dhe piktores Safo Marko, por si ishte Jamarbëri njeri?

Madu ishte një njeri që vuajti gjatë gjithë jetës. Ishte shumë i veçantë. Ishte një artist i lindur në një familje artistësh. Donte të jetonte dhe të vdiste pa bërë asnjë kompromis.

Continue Reading

DOSSIER

Sekreti i Urës së Zogut që kushtoi më shumë se 680.000 franga ari

Ura që kërkon të jetojë jetën e saj

Markel Baballëku, inxhinier dhe strukturist, njohës shumë i mirë i historisë inxhinierike të Shqipërisë së vjetër dhe të re, ishte i ftuari i mbrëmjes së sotme në Esencë. Ura e Zogut apo ashtu siç njihet ajo ndryshe me emërtimin e saj të parë Ura e Matit ka zënë vend të ngushtë tashmë në kujtesën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Për këtë emision u shfrytëzuan materiale edhe nga arkiva personale e Inxhinierit dhe Profesorit Gjovalin Gjadri.

Eljan Tanini: -Urat ndërtohen nga njerëzit për qindra mijëra arsye. Ndërsa në fund, ato braktisen nga njeriu nga vetëm një arsye. Kjo urë duhet të ishte vendosur dhe stampuar në kartëmonedhat e Shqipërisë, ashtu si edhe kafshët e vendit tonë. Kur them kafshët nuk e kam fjalën për njerëzit. Çfarë është kjo urë për ne?

Markel Baballëku: -Lumi i Matit është një lum që ka krijuar vështirësi ndër vite! Ajo është një urë që lidh veriun dhe jugun. Përpara asaj ure kanë qenë edhe dy të tjera nga Lufta e Parë Botërore. Vitet 20 e shtunan vemendjen njerëzore për një urë të tillë, ishte fondi ZVEA që bëri të mundur ndërtimin e saj. Në atë periudhë janë ndërtuar edhe 6 ura të ngjashme si kjo. U hap një konkurs nga qeveria për këtë urë, ajo ka dosjet më të plota deri në dosjen e zbatimit të saj. Në vitin 1938 kompania italiane “Mazorana & Co ribën disa sistemime. Në dosje gjen projektet e para, përmiresimet e Mazzoranos dhe në fund Emil Mersh.

I kanë dhënë jetë saj ure: Zviceriani i famshëm Erwin Schnitter, Profesori Gjerman Emil Morsch, dhe nga pala shqiptare inxhinieri i ri Gjovalin Gjadri. Gjadri e tregon punën e tij në shumë vlera, si në Moskë dhe në ndërtimin e Urës së Gomsiqes.

Eljan Tanini: –Si është gjendja e urës sot, a i kushton shumë shtetit shqiptar ta ribëjë ashtu siç ishte atë urë?

Markel Baballëku: -Nuk janë të pakta rastet ku koha, një shekull ose 100 vjet është koha që për urat të merren më shumë masa. Shumë ura nuk e kanë patur fatin e saj, edhe asaj i është shembur një hark. Ura ka pasur 6 harqe, sot ka 5 harqe. Harku i gjashtë gjendet në lumë

Eljan Tanini: –A është zënë lumi, devijuar, për të ndërtuar urën?

Markel Baballëku: -Jo nuk është zënë e as devijuar! Lumi është besnik i shtratit të tij, ne kemi ngushtim shtrati nga linja hekurudhure dhe nga rruga e re

Eljan Tanini: -Çfarë ka ndodhur me këmbën e urës, është ngrënë apo ka rënë më poshtë?

Markel Baballëku: -Nuk e gjen dot pa e parë nga brenda këmbën! Faktorët janë disa. Gërryerja e lumit, udhëzimi i lumit, prurjet e mëdha, koha dhe mbase edhe tërmeti i fundit i vitit 2019

Eljan Tanini: –Ura e Zogut, Milotit, Viktor Emanuelit, kemi emër tjetër?

Markel Baballëku: -Është quajtur edhe Ura e Matit, ky është termi i parë.  Ajo mori emrin e Zogut që në ato çaste. Në vitin 1939 ura është quajtur Ura Viktor Emmanuel i III dhe në vitin 1999 ka marrë emrin formal Ura e Matit. Unë nuk e di nëse ka një vendim të ri gjatë viteve 1939-1999 për ndryshimin e emrit të saj. Ura është ndërtuar për më pak se një vit, ka pasur një kohë 3 vjeçare që janë marrë me projektin si fillim, më pas  zbatimi ka qenë më i thjeshtë. Kështu vepron edhe bota, bën më shumë studime si fillim.

Eljan Tanini: –Sigurisht, ashtu si një artist i cili ka kohë qe e mban në mendje idenë e tij, më pas zbatimin e ka shumë shumë më të thjeshtë.

Markel Baballëku: –Koha ka qenë e shkurtër dhe më shumë vlera e kanë krijuar atë urë në një kohë kur prurjet e lumit kanë qenë shumë më të mëdha se sot. Më 13 Mars 2024, në Prishtinë u mbajt një takim përkujtimor për veprën e shkëlqyer të Profesor Inxhinier Gjovalin Gjadrit ku unë bashkë me kolegun Rikard Luka mbajtëm kumtesën: “Ura mbi lumin Mat dhe veçori të ndërhyrjeve riaftësuese në periudha të ndryshme kohore”. Kemi hulumtuar më thellë edhe në shumë dokumenta

Eljan Tanini: -Mund ta quajmë edhe ura me 6 harqe që ka 5 harqe sot!

Markel Baballëku: –Ura është rindërtuar në një fazë të dytë. Çështja ka qenë që të bëhet një urë elegante ku edhe uji të kalonte më lehtë. Një ndër vlerat e saj është edhe pesha e lehtësuar për ti shtuar jetëgjatësinë. Vizatimet kanë qenë tepër të imta në letër. Ura është pasuri tepër e vyer. Janë ndërtuar edhe dy kulla që dikur mbanin teleferikun që shpërndante materialin e ndërtimit. Ura i ka këmbët rreth 10 m të thella.

Ura e Lezhës, unë hamendësoj se është marrë e njëjta urë mëmë në dokumenta dhe e kanë ndërtuar atë në të njëjtën trajtë. Janë pesë ura që ngjajnë me urën mëmë.

Qoftë nga shtypi i kohës dhe nga dokumenta personale të Gjovalin Gjadrit flitet për praninë e Gjovalin Gjadrit në këtë urë.

Eljan Tanini: -Ura mund të shpëtohet kollaj?

Markel Baballëku: -Po, ajo urë ka zënë pak vend në atë element të vetin

Ndërhyrja u nis për tu bërë dhe duhej bërë një ndërhyrje elementare, tani jemi në fazat e ndërhyrjes. Tani është periudha e prurjeve. Ky është një objekt që kërkon profesionalizëm të lartë

Eljan Tanini: -Ku kemi aftësi ne të restaurojmë vepra të tilla si kjo urë, vetëm nëse ngjallet Gjovalin Gjadri me të tjerë!

Markel Baballëku: -Përvoja jonë është e pakët në këtë drejtim, sidomos me ato që kanë ndodhur pas tërmetit. Kjo urë gëzon në veçanti teknologjinë e kohës së saj, ura e parë është ndërtuar në vitin 1928 në Gjermani. Ndërkohë e pa patentuar përpara saj është ndërtuar ura jonë në vitin 1926. Elementët e urës janë beton dhe çelik, as elementët e poshtëm nuk kanë asnjë plasaritje

Eljan Tanini: –Diktatura i ndryshoi gjë urës?

Markel Baballëku: –Janë bërë ndërhyrje të herë pas hershme në urë, 10 të tilla. Vepra ka rezistuar, është mirëmbajtur me ndërhyrjet më të rëndësishme në vitiet 1972-1975. Në mënyrë të plotë më të është marrë Profesor Gjovalin Gjadri.

Harku i fundit i urës ka rënë në ujë, gjermanët që e hodhën në erë janë treguar dashamirës. Harku nuk është ribërë. Dëmtime në këmbët e betonit, dhe ndërhyrjet e Gjovalin Gjadrit janë bërë në vitet 1949-1950.

Eljan Tanini: -Përse ura ka këmbë betoni të mbërthyera me çelik?

Markel Baballëku: -Ulja e urës ka ndodhur në kohë të ndryshme

Eljan Tanini: -Duket sikur urës i kanë dalë dhëmbët dhe rrënjët?

Markel Baballëku: -Ngulej një si krehër me këmbë të ndryshme betoni, këto janë këmbët e urës. Është e hamendësuar që kjo enë ka rënë, është carë poshtë. Fokusi ka qenë dhe është që në mos ta lejojmë atë urë që mos të shkojë më tej.

Eljan Tanini: -Firma që e ka marrë projektin do e lërë të pjerrët apo do e çojë në bazë urën?

Markel Baballëku: –Firma ka për detyrë të sigurojë që ura nuk do të lëvizë më. Ose të ngrihet dhe mëkëmbet e gjithë ura.

Eljan Tanini: -Ura është një trup?

Markel Baballeku: -Ato janë pjesë të pavarura nga njëra tjetra, kjo i ka bërë mirë asaj.

Eljan Tanini: -Kjo urë duhet të jetë simbol kombëtar

Markel Baballëku: -Ne jemi në diskutimet tona që kjo urë mund të gjejë kudo vendin e saj me elementët e saja që ka.

 

Continue Reading

DOSSIER

Shqiptari që u dashurua me vajzën e shokut të ngushtë të Leninit

Drama e ndarjes së çifteve shqiptaro-ruse në kohën kur lidhjet kishin ende pushtetin dhe  sharmin e kohës, përfshiu një pjesë të mirë të familjeve shqiptare duke lënë përgjysmë çdo gjë e duke mos menduar si zakonisht për asgjë, por vetëm për më të keqen. Ishte koha kur partia vendoste edhe për fatin e familjes së re. E vetmja gjë që Partia e Punës nuk bëri dot gjë ishte ndryshimi i gjinisë së fëmijëve nga babai te nëna. Ndiqni më poshtë historinë e jetës së artistit dhe skulptorit Thanas Papa, rrëfyer në Esencë nga artisti dhe skulptori Besart Papa.

Eljan Tanini: Si është historia familjare e babait tuaj dhe çfarë ju ka thënë ai për këtë fakt?

Besart Papa: -Diktatura e ndau babanë nga gruaja ruse dhe vajza e tij! Një skulptor nuk është gjithmonë i aftë të bëjë shumë gjëra!

Eljan Tanini: -Babai juaj vjen nga Berati. Do të flasim për një martesë dhe një jetë të vështirë nën diktaturë. Si i ri, nuk ishte fëmija i një artisti që befas bëhet skulptor deri në kohën kur shkon në Rusi për studime. Si ndodh e gjitha kjo?

Besart Papa: -Nuk ndodhi befas, babai lindi në fshatin Paftal të Beratit. U shpërngulën nga fshati për efektet të luftës. Shtëpitë u dogjën nga lufta. Ai spikati që kishte prirje artistike. Duheshin njerëz për ringritjen e vendit, ai spikati si element i ri i kohës së tij.

Te babai fiton bursën, shkon në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë e Arteve të Bukura Repin. Rri 6 vite, 1 vit gjuha dhe pesë vite Akademia. Ndoqi edhe një fakultet që kishte të bënte me parqet dhe natyrën. Spikati në Rusi për talentin e tij dhe kërkuan ta mbanin atje. Paralel me to ndoqi edhe një fakultet mjekësie.

Eljan Tanini: -Atje në Shën Petërburg njihet edhe me një vajzë ruse?

Besart Papa: -Unë këto histori i kam të gjalla! Dashuria ishte ndryshe në ato vite, 2/3 e popullsisë në Shën Petërburg ishin zhdukur në luftë. Shteti kishte sjellë njerëz nga rrethinat, leningradasit ishin detyruar të përshtaten me popullin e ri nga rrethinat. Babai thoshte se kur shikoje dikë në rrugë do të përshëndeteshe. Një ditë gjatë rrugës që e bënte shpesh shkëmbehet me një vajzë ruse.

Jeta e Thanas Papës është si një skenar filmi, është reale. Gruaja e babait studionte për gjuhët e lindjes, ajo ishte transferuar me punë për në Kinë. Babai u habit që ajo do të ikte me punë, ajo nuk e kundërshtonte dot, nuk e zhbënte dot këtë gjë.

Shqiptari Thanas Papa, pra im at, ndërhyri që ajo mos të ikte larg tij. Më pas u interesua babai që të rrinin bashkë në një dhomë konvikti , rreth një vit. Babai kthehet në Shqipëri pas studimeve dhe pas një viti merr edhe gruan e tij ruse në Shqipëri me të cilën ishte martuar në Rusi.

Babai kërkonte që gruaja e tij te mos transferoheshe me punë larg tij. Për këtë gjë interesohet në institucionet e kohës dhe i thonë që të duhet një letër që quhet Zaks. Pra që është i martuar. Zaksi ishte akt celebrimi që ai nuk e kishte. Ata u celebruan pa praninë e saj, pa praninë e gruas ruse si fillim.

Ajo u shtang kur e mori vesh këtë veprim! Zaks ishte dokumenti i martesës, edhe ai shtanget kur e merr vesh se çfarë ishte Zaks dhe se çfarë kishte bërë. Ai si burrë i thotë: -Po pse nuk je dakord ti? Jam i thotë ajo, e kështu gjenden të martuar.

Ata ndenjën në Tiranë deri në vitin 1961. Babai luftoi shumë që ajo të rrinte këtu në Shqipëri. Thanas Papa me Valentinën bëjnë edhe një vajzë që quhet Tatjana. Në Tiranë qëndruan në Hotel Vjosa, ishte shtatzënë gruaja e babait në atë kohë qëndrimi në hotel.

Eljan Tanini: -A ishte e vështirë ndarja?

Besart Papa: -Ishte traumatike! Vajza ishte 3 vjeçe e pak, e madhe për të mbajtur mend traumën. Vazhduan komunikimet me letra! Më pas u ndërprenë letrat për shumë arsye. E thërrasin babanë dhe i thonë që të kanë sjellë një kërkese Divorci në Gjykatën e Tiranës. Ai e kupton situatën, diçka nuhat! E firmos letrën duke kuptuar se diçka po ndodhte. Im at me ish gruan ruse u takuan në vitin 1991 dhe këto biseda u bënë atje. Vajza e tyre u rrit, ajo studioi për inxhinieri elektronike dhe kozmosin.

Eljan Tanini: -Babai si jeton gjatë kësaj kohe?

Besart Papa: -Trauma ishte shumë e madhe për disa arsye!

Eljan Tanini: -Unë kam frikë se diktatura do të kthehet një ditë në Shqipëri, jo nga tanët, nga kushtet e atmosferës politike. Edhe lufta është diktaturë.

Besart Papa: –Atij ju prish familja, ishte një i ri që i kapërceu shumë shpejt disa gjëra të jetës së tij nga atje ku lindi deri atje ku shkoi. Thanas Papa im at studion në një nga Akademitë më të mira të botës me medalje ari. Në Rusi diplomohet me ekuestrin Skënderbeu.

Niveli i gjykimit i komisionit të shkollës ishte shumë i lartë. Babait i thanë që ky model skulpture nuk mund të realizohet nga një student. Aq ju desh Thanasit, babait tim, për ta marrë si sfidë këtë gjë. Vepra bëri shumë bujë, u mbush akademia edhe me njerëz nga rruga. Ky kompozim u vlerësua me medalje ari, pas 10 vjetësh që nuk ishte dhënë kjo medalje. Dominon atje në Rusi  një djalë i ri nga fshati Paftal i Beratit. Ishte 30 vjeç kur u nda nga gruaja e tij ruse.

Eljan Tanini: -Çfarë bën pas kësaj kohe?

Besart Papa: -Ju dha shtëpi dhe studio nga shteti shqiptar, studio për 3 artistë si Andrea Mano, Thanas Papa dhe Dhimitër Çani. U paracaktua që do ndërtohej për ta. Artistët zgjodhën parcelën, ishte periferi. Babai ishte më i riu për nga mosha dhe për nga natyra.

Ishin disa variante për të bërë studiot. Diku toka kishte probleme, diku vakëf, ndërsa toka e tanishme e studiove ishte pronë e dy pleqve. Futet në studio në moshën 30 e pak vjeçare, caktohet edhe me punë në muzeun arkeologjik. Edhe im at si nxënës në Lice ka marrë pjesë në ndërtimin dhe krijimin e atij që sot njihet si ushtari i panjohur në Tiranë.

Unë i thosha babait që ti ke qenë gjithmonë me bodyguard me vete. Ai dilte nga shtëpia në Rrugën e Durrësit dhe e shoqëronte një spiun deri te Sahati. Nga Sahati shkëmbeheshin dhe  vinte në shtëpi me tjetrin. Babai me biçikletë po ashtu edhe sigurimsi!

Ne e zbualuam emrin e Thanas Papës nga një listë që doli në lidhje me intelektualët e përgjuar në komunizëm. Busti i Musa Fratarit ishte porosia e tij e parë që ju bë nga shteti.

Eljan Tanini: -Babai juaj artist skulptor ia vuri emrin të birit Besart. Babai jeton mes sigurimit dhe punës së tij artistike. Thanas Papa fiton konkursin e relievit që do të vihej te Kryeministria, si është kjo histori?

Besart Papa: -Konkursin e fiton ai bashkë me një arkitekt. Kur u hap zarfi me emrin dhe u pa që ishte Thanas Papa, 1971. 1972 iu dha me komisionim disa të tjerëve, relievi u bë nga Kristaq Rama, Hektor Dule dhe një tjetër.

Eljan Tanini: -Gjatë kësaj kohe që babai jeton me punën e tij, vendos të martohet. Kur ndodh kjo?

Besart Papa: –Nuk vendos të martohet! Nga ajo goditje që ndodhi nuk vendos të martohet. Diçka të keqe ai priste, internim, transferim etj… Atij do ti ndodhte diçka. Ishte në rreth të kuq, mbase shpëtoi nga fati, manovroi aty për aty. Përballë me ne banonte vëllai i Kadri Azbiut, ku ky I fundit vinte te ne dhe dëgjonte pllaka gramafoni. Disa e mbronin disa e lëshonin.

Veprën e Skënderbeut në kalë e solli nga Rusia. Komisioni I vlerësimit të diplomave të Bashkimit Sovjetik, u caktua që ajo diplomë do të bëhej në dy kopje, një për në Rusi dhe një për në Shqipëri. Vepra lëviz në disa vende të Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende socialiste, në fund vendoset në hollin e Shkollës Skënderbej. Atje e prishën, sa ishte shformuar, i thonë ta marrë veprën se e kanë hedhur poshtë te shkallët. Babai e merr veprën, deri në vitin 2010 ka qenë në studio e pa ngritur. Unë e marr mundimin ta kthej në gjendjen e parë.

Me mamanë time Shpresa Lekën njihet në vitin 1984, ishte 52 vjeç. Rasti i babait është fakti që njeriu nuk duhet të humbasë shpresën. Kur ky  njeri duroi, priti edhe pas kaq shumë vitesh gjeti fuqitë të nisë nga e para.

Eljan Tanini: -Nuk paska pritur shumë babai juaj! Në demokraci tenton të flasë me gruan e tij ish  ruse?

Besart Papa: -Ishin të kujdesshëm prindërit të mos flisnin çdo gjë. Ka tentuar të lidhet me ish gruan, vajzën e vogël e gjeti 32 vjeçe. Ishin te dy rreth 60 vjeçar, ajo, gruaja e tij ruse  vuante nga sëmundje të ndryshme. U takuan, vendosën disa lidhje të reja, por ajo ishte shumë e ftohtë, po ashtu edhe e bija!

Në ato vite Rusia ishte shumë keq, kur babai vajti atje, ka ngrënë mualebi fëmijësh, ndenji 3 ditë për të marrë një bukë. Pati një kontakt me një person që e lidhi andej me ish familjen e tij në Rusi.

Mamaja ime Shpresa Leka, ishte ajo që u bë sebep për të shkuar babai në Rusi,  ajo i tha të shkosh në Rusi e të takosh dhe të gjesh famijen tënde. Disa gjëra ishin sheshuar nga koha. E bija sillej normal por ftohtë. Gruaja e tij nuk ishte martuar.

Eljan Tanini: -Babai e fliste këtë gjë me ju në shtëpi?

Besart Papa: –E fliste vazhdimisht, por vitet e fundit nga mosha etj, nga rënia e forcës bisedat ishin të rralla. Kishte kujtime për Rusinë se ishte koha e artë e tij.

Eljan Tanini: -Si shiheni në atë kohë ata që ishin martuar me gra ruse?

Besart Papa: -Të kishe mbaruar në ato vite shkollën jashtë Shqipërisë ishe i veçantë. Im at dhe të tjerë ishin njerëz me fat për shkollën e tyre. Dikur ishte luks të ishe artist! Kur Jakup Keraj u kthye në Shkodër respektohej shumë, i veçantë si individ. Vëmendjet karshi këtij kontigjenti artistësh që janë pasuri nuk duhet të mungojnë. Unë sot vazhdoj të punoj në studion ku babai punoi për 70 vjet me radhë.

Eljan Tanini: -Kur ndërruan jetë babai dhe mamaja?

Besart Papa: –Në moshën 91 vjeçare babai, përpara 2 vjetësh. Mamaja 73 vjeçe, ata ikën të dy brenda nje muaji! Mamaja ishte arkitekte dhe urbaniste.

Eljan Tanini: -Në një kohë kur askush nuk e ka mendjen për asgjë, dikur shteti bënte çdo gjë për ta. Nëse nuk i ruajmë më vlerat e tyre deri në vdekje, nuk i mbron më askush sot.

Besart Papa: -Burimi i të gjitha të këqijave është injoranca. Pa art dhe kulturë nuk ka ekzistencë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING