Bota
Shuhet legjenda e Hollywood-it, Robert Redford

Robert Redford, dikur djali i artë i Hollywood-it dhe ylli i filmit legjendar Butch Cassidy and the Sundance Kid, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga Cindi Berger, drejtore ekzekutive e firmës së PR-it Rogers & Cowan PMK, e cila tha për New York Times se aktori vdiq në gjumë, në malet pranë Provo-s, Utah.
Shkaku i saktë i vdekjes nuk është bërë publik.
Redford ishte një idhull i ekranit në vitet ’60 dhe ’70, me një famë globale si aktor i respektuar dhe simbol seksi, i njohur për flokët biond, buzëqeshjen verbuese dhe rolet romantike përkrah yjeve si Jane Fonda dhe Barbra Streisand.
Nga piktori i dështuar në ikonën e ekranit
I lindur në Santa Monica të Kalifornisë në vitin 1936, Redford fillimisht shkoi në New York në vitet ‘50 me ëndrrën për t’u bërë piktor, por përfundoi në aktrim.
Roli i tij i madh në kinematografi erdhi në vitin 1967, përkrah Jane Fonda në komedinë romantike Barefoot in the Park.
Gjatë një karriere që zgjati mbi 60 vite, ai luajti në mbi 50 filma.
Rolit më të famshëm ia detyron Sundance Kid në filmin Butch Cassidy and the Sundance Kid (1969), dhe më pas në The Sting (1973), dy bashkëpunime të paharrueshme me Paul Newman.
Aktor, regjisor dhe themelues i një perandorie filmike
Redford fitoi çmimin Oscar si regjisor për filmin Ordinary People në vitin 1980, dhe vazhdoi të drejtojë filma të njohur si A River Runs Through It, Quiz Show, The Legend of Bagger Vance, Lions for Lambs dhe The Company You Keep.
Në vitin 2002 mori çmimin Oscar për karrierën, si një figurë frymëzuese për krijuesit e pavarur të filmit në mbarë botën.
Me të ardhurat nga suksesi në kinematografi, ai bleu tokë në Utah dhe krijoi Sundance Resort, si dhe themeloi Sundance Film Festival, i cili sot është festivali më i njohur në botë për filmin e pavarur.
Redford krijoi gjithashtu Sundance Institute, Sundance Cinemas, Sundance Channel dhe Sundance Catalog.
Në vitin 2018, në moshën 81-vjeçare, Redford njoftoi pensionimin nga aktrimi, pas daljes së filmit të tij të fundit, The Old Man and The Gun.
“Kam aktruar që kur isha 21 vjeç… Mendova: kaq mjafton. Pse të mos largohem me diçka pozitive dhe optimiste?”, u shpreh ai.

