Connect with us

Aktualitet

Shurdhëria e asociacionit/ Qeveria hesht ndaj kërkesës së Hovenierit

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund të shqyrtojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe derisa atë ta dekretojë Qeveria e Kosovës” – kështu tha profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, njëherësh ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke shtuar se “Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë hapi i parë drejt harmonizimit të mundshëm të këtij statuti, pranimit përfundimtar të tij dhe themelimit të Asociacionit”

Më 29 shkurt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i bëri edhe një herë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta përcjellë draft-statutin te Gjykata Kushtetuese.

I pyetur se përse nuk e ka përcjellë ende dhe kur do ta bëjë këtë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se BE-ja nuk është kompetente t’i propozojë Kosovës draft- statut për formimin e Asociacionit, por edhe e kupton kërkesën e ambasadorit amerikan për t’ia përcjellë atë Gjykatës Kushtetuese. Por profesori Kryeziu tha se dinamika e këtij procesi, në fakt, varet nga Qeveria dhe kryeministri Kurti.

Kujtojmë se draft-statuti që iu dorëzua Kosovës dhe Serbisë, u hartua nga BE-ja, pasi palët e pranuan paraprakisht Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, po ashtu, u propozua nga BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut.

Më pas, në janar të këtij viti, Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioriteti kryesor” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se çështja e statutit nuk duhet të ndahet nga marrëveshja.

Politologu Ognjen Gogiç, lidhur me temën, tha se teksti i statutit është dashur të dakordohet nga të dyja palët, para se të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, pasi sipas tij, nëse kjo gjykatë nxjerr rekomandime të reja, Serbia mund t’i refuzojë ato.

Ai shtoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës nuk ka vullnet për të filluar procesin e formimit të Asociacionit dhe se “statuti do të mbahet në sirtar sa më gjatë që është e mundur”.

Advertisement