Connect with us

Shkrime

Si mbetën shqiptarët lakuriq me duar në xhepa

Nga Artan Fuga

Endërra e vitieve 90 për bollëk do të kthehej brenda tridhjetvjetëve në minimum jetik për trecerekun e shqiptarëve!

Sepse minimum jetik nuk është vetëm kotherja e bukës si gjellë për të tre vaktet, por është jeta në periferi të të mirave që krijon shoqëria bashkëkohore.

1. Shqiptarët me rënien e shoqërisë totalitare morën në një pjesë të madhe apartamente pothuajse falas! Kam thënë mos u gëzoni për këtë sepse ato dy dhoma pas tridhjet vjetësh kur të rriten çiliminjtë nuk do t’ju dalin. Ku do t’i gjejnë lekët çiliminjtë të blejnë një apartament nëse martohen e shumohen? Pa përgjigje! Një pjesë e çiliminjve të rritur ikin jashtë sepse më lirë strehohesh në Vjenë sesa në Tiranë!

2. Shqiptarët se çfarë morën ca bono privatizimi, ca letra me vlerë! U duk sikur u mbush xhepi plot! Mos u gëzoni o shokë e shoqe kam thënë atëherë sepse e para e punës ato do t’i hani brenda pak kohe, dhe pastaj lëpini buzët! Aq më shumë kur të gjithë i shisnin, vlera e tyre u bë dy lekë! Gjithë ajo pasuri që quhej kolektive iku si tym nëpër gishta! Çfarë bëni mo? Pa përgjigje atëherë?

3. Të gjithë donin të vinin në Tiranë! C’a bëni mo, a dini që po u mblodhën të gjithë buzë Lanës, nuk do të ketë punë, sepse puna është në ara dhe lumenj, me dele e me pemë, me grurë e me peshk, ne po mblidhemi në bulevard dhe do të hamë njeri tjetrin. E keni lexuar librin “Rënia e Qytetit” që kam shkruar për ju? Do na zejë qyteti dhe varfëria e tij brenda mo, a e kuptoni apo jo bërtita në vitin 2012 kur botova këtë librin. Panairi i librit e vlerësoi si librin më të mirë, por tjetër përgjigje zero!

4. Pa filluam të shisnim pasuritë e patundshme të kombit, ndërmarrje privatizoheshin, ngeli shteti si roje nate, i thonë këta pordhacët ultraliberalë që për vete jetojnë duke zhvatur sa shtetin sa me ca mënyra që e dinë ata (duke shitur ajër dhe dritën e diellit) pra pa asgjë! Mirë mo mirë u thosha: Por kur lekët që marrin nga këto privatizime do të mbarohen me çfarë do paguajë shteti pensione, ndihmë sociale e ku e di unë çfarë? E mo ti, më thoshin mendon për pas tridhjet vjetëve, na çan kokën! Mirë, si të doni mo! – thashë unë. Po po i bëni lekët rrush e kumbulla!

5. Kur na doli pasuria e gjyshit! U gëzuan mijëra vetë! Mos u gëzoni mo – u thashë! Mblidhni mendjen! Mos e çoni për lesh atë tokë arë, atë banesë, atë pronë që ka lënë gjyshi! Po e ndani në dhjetëra duar dhe secili ato lekë nuk ka çfarë t’iu bëjë veç t’i pijë raki e të shkojë ca vjet në turizëm! Pra do i bëni rrushekumbulla pasurinë e gjyshit dhe pastaj do lëpini gishtat në të thatë! Nuk sillesh kështu me pasurinë e trashëguar! Ata të parët e kishin të patundshme ne e tundëm duke u tundur, e kthyem në birra dhe pasta me mish të grirë!
Mosni mo! Ehuuuu ti gjithmonë pesimist! – më thoshin! Mirë mo mirë! Si të doni! Cfarë t’ju them unë!
Pse mo i dilet të marrit përpara?

6. E ndanë tokën bujqësore në një milion ngastra! Rroftë demokracia!
Ku shkoni mo, bërtita! E keni te libri Shoqëria Periferike! Do ngordhim për bukë! Bëjuni shurrën atyre ngastrave – do të thoshte ai tipi te filmi i realizmit socialist kinez! Ku ka ekonomi bujqësore poshtë 20 hektarëve mo! E kisha mësuar në Evropë, ma kishin mësuar me kalem në dorë ca burra të mençëm që vinin në universitet me tren!
Ik o mbushu ! – më thanë, ne këtë tokën ja morrëm Tuç Makut, tani do pasurohemi tuj shit presh! I hypim preshit, fluturojmë me presh në qytet dhe e shesim preshin atje! Mirë po si do ktheheni? – u thosha unë! Me presh – mendonin ata!

7. Tregëti e lirë – bërtisnin ca grosistë që nuk duan që asgjë mos prodhohet këtu! Obobo ! – u thosha! Çfarë bëni mor derr pe derri! Mirë po kjo tregtia e lirë do e bëjë mut prodhimin vendas! E pastaj? Si mo pastaj? Po do shkatërroheni ju more pasanikë, tregtarë, more bankierë, more sigurues jete, maqinash, etj? Përse? Na merr të keqen o shoku Artan! Si mo përse? Po këta që nuk punojnë me çfarë lekësh do e blejnë mallin që sillni nga jashtë?

8. E mo se ka shqiptari? Ka privatizuar, bën korrupsion, bën kontrabandë, kanabis, prostitucion, shitje armësh, lloj lloj pislliqesh, fiton, blen mallrat tona!
O pika mua! Por kur të mbyllen rubinetat nuk do keni më blerës! Kush do blejë, kush do marrë hua, kush do sigurohet nëse shqiptarët ikin, nuk kanë lekë në xhep, nuk kanë fare xhepa sepse nuk do kenë as brekë në bythë!
Ouuuu, pasurohem unë, kush pyet për shqiptarët! Ashtu hë! Por Zoti e ka bërë që vuajtjen e tjetrit do ta pësosh edhe ti, sepse kur ai të mos ketë të blejë ti nuk do kesh cfarë të shesësh!

9. Kjo ka arritur! Prandaj ca me PPP tani i vërsulen buxhetit të shtetit! Se individi, pra ne nuk kemi lekë, lekët i merr shteti me tragrambledhës me dajak dhe u a jep këtyre të PPP! Çfarë domethënë PPP. Partia e Punës e Privatëve!
A të vazhdoj edhe më? Apo keni qejf t’ju rrejnë me propagandë nëpër mitingje, facebuqe, në televizione, në takime gju më gju me popullin!

10. Hapa një biznes – kishte qejf të thoshte shqiptari! C’a hape mo të hapsha ballin me lugë kafeje? Si thotë ajo kënga! E mo ! Po ç’a lesh biznesi ke hapur mo, një kioskë për të shitur në lagje! E di çfarë do ndodhi o biznesmeni i Lalit? Të gjithë do hapim nga një kioskë, 120 mijë kioska dhe do t’i blejmë njeri tjetrit preshët e kalbur! Pse preshët? Që të fluturoj mo! O pika mua – u thosha! Po tridhjet dyqane që shesin pula të ngrira ka vetëm lagja ime! Kush do t’i blejë mo! Blehet pula tridhjetvjeçare e ngrirë si njeriu i neandertalit andej nga Siberia prej njëzetmijë vjetësh! Do falimentoni mo, ose do të rrini si presh prapa banakut mo!
Ik mo më thanë, ke inat ti! Mirë si të doni!

Dhe një gjë! Edhe ti i ke dëgjuar këto që kam thënë! Po ke thënë: E mo lëre, ja fut kot ky! Dhe tani më kërkon të gjej zgjidhje, të dalë në rrugë të bërtas, brohoras, duartrokas, dhe ti, në varfërinë tënde, për fajin tënd, të vazhdosh të luash yç dhe domino, tani pas tridhjet vjetësh me duar në xhepa, sigurisht lakuriq!

Shkrime

Rama bëri mirë që shkoi në Athinë, por…

Nga Andi Bushati

Mitingu i Ramës me mbështetësit e partisë së tij në Athinë ishte gjëja më normale në botë. Budallenj ishin ata, si në Tiranë, po ashtu edhe në Athinë, që u reshtuan kundër tij. Madje edhe qëllimi i qartë i kryeministrit për të provokuar me datën e zgjedhur për të shkelur në tokën greke, apo për të ndërhyrë në zemër të fushatës elektorale për zgjedhjet evropiane të vendit fqinjë, duhen konsideruar pjesë të këtij normaliteti. Demokracia e pranon provokimin si një domosdoshmëri me të cilën duhet të bashkëjetojë dhe pa të cilën ajo do të ishte e mangët.

Pra, të gjithë ata që nuk deshën të shihnin një lider politik shqiptar të shkelte tokën greke u dukën po aq anakronikë, si propogandistët e rilindjes, që bërtisnin dikur kundër mitingut të Mitsotakistit përkrah Belerit, apo akoma edhe më keq, që i’u vërsulën Albin Kurtit kur erdhi në Tiranë për të mbështetur protestat e studentëve.

Gjithkush që përqafon këto pozicione kundër lëvizjes së lirë të njerëzve, ideve dhe të drejtës për tu tubuar rreth tyre, dëshmohet si një mendje mbyllur, dhe i pa përshtatur me botën liberale ku jetojmë. Në këtë optikë Edi Rama, sado ta duan apo ta urrejnë atë, këtë radhë ishte në të drejtën e tij që të zhvillonte një takim me mbështetësit e vet në emigracion.

Lëvizja e tij, qoftë edhe po të supozojmë se fshihte qëllime të mbrapshta, mbetej brenda normalitetit. Ama, nga ana tjetër, e vetmja gjë anormale, ishte pesha që kryeministri u rek ti jepte asaj. Ai mobilizoi militantë të jugut dhe punonjës bashkish, për tu turrur me autobuza drejt Athinës. Ai tërhoqi pas vetes një gjysmë duzine le qeveritarë.

Ai ngarkoi në barkun e Migjenit gjithë taborin e borrizanëve të tij mediatikë. Ai u dha porosi televizioneve kombëtare të shkulinn pjesën më të madhe të redaksive të tyre në kryeqytetin grek. Ai pushtoi  gjysëmn e kohës të edicioneve të lajmeve që kontrollon, të cilat nuk nguruan të prodhojnë tituj ku theksohej “pritja madhështore”.

Pra, ishte ai që u përpoq më të gjitha mënyrat që një takim të zakonshëm ta shndëronte në një eveniment të jashtëzakonshëm. Qe ai ai që u mundua ta veshi udhëtimin e tij në vendin fqinjë me nota heroike dhe kalorsiake.

Në këtë këndvështrim ne mund ti kritikojmë sot, me gojën plot, të gjithë ata që e konsideruan mitingun e kësaj të diele si vizitën e “një miku të paftuar”. Ne duhet ta pohojmë pa frikë se mendësia e tyre bie ndesh me principet e botës së lirë ku jetojmë. Por, pasi kemi bëtë këtë, nuk mund të rrimë pa thënë se edhe vetë kryeministri ynë është i prekur nga i njëjti virus iliberal i kritikëve të tij.

Njësoj si të kundërtat që takohen në një pikë edhe ai është i mbrujtur po me mentalitetin e atyre që nuk e shihnin zbarkimin e tij në Athinë si diçka normale. Pasi vetëm dikush që logjikon në këtë mënyrë mund të përpiqej ta shndërronte një akt politik të zakonshëm në një shfaqe poropagandistike anormale.

Me taborin që mori me vete, me bujën që organizoi dhe zhurmën që ndolli, Rama e paraqiti veten si heroin që po ecën në një tokë të minuar. Provën e këtij “heroizmi” ende vazhdojmë ta shikojmë në jehonën që po i bëjnë vizitës borizanët mediatikë të kryeministrit.

Continue Reading

Shkrime

‘Çfarë po fsheh Rama, thikë pas shpine për Kosovën ose Shqipërinë’

Nga Enver Bytyçi

Atmosferë “patriotizmi” dje në Athinë. Shfaqja nisi me këngën “Se në shekuj jam shqiptar” dhe u shoqërua me sloganin “krenar për Shqipërinë”! Titulli kryesor më i përhapur në mediat qeveritare ishte “Shqipet në Athinë”! Këngë e valle pa fund! Ndërsa fjala e padishahut shqiptaro-greko-vlleho-turko-italiano-franko-serbo-rus ishte ajo që i ka bëri mijëra shqiptarë të ardhur shumica me autobuzë nga Shqipëria, me ovacione patriotike vinin në vesh si valët e detit ne nje mjedis stadiumi të skuqur me flamuj.

Nga ana tjetër Greqia tha se “jemi vend demokratik”! D.m.th nuk ka më fshesë, nuk ka më dajak, nuk ka më hakmarrje, nuk ka më urrejtje, nuk ka më armiqësi! Të duket sikur kemi krijuar një lloj konfederate të tipit që propozonte dikur Ismail Qemali, Shqipëri-Greqi! Gjithçka me regji të përsosur! Por e gjitha kjo më kujton vizitën e parë të Edi Ramës në Beograd në nëntor 2014, kur u luajt komedia “Provokacija”! “Patrioti i madh” Edi Rama u “dha ultimatum” serbëve në shtëpinë e vetë – “Njiheni Kosovën”! Dhe shqiptarët tanë të mësuar me “patriotizëm” flamujsh të periudhës së fundit të diktaturës komuniste, sa nuk dolën rrugëve të Kosovës e të Shqipërisë e të këndonin këngën “Dilni se na erdhi Edveri”!

Patriotizmi është streha e fundit e horrave, kriminelëve dhe maskarenjve, ka thënë dikush. Por në rastin e Edi Ramës pas kësaj formule ka edhe diçka tjetër. Sa herë që ai bëhet “patriot” ka përgatitur një thikë pas shpine për Kosovën ose për Shqipërinë. Dhe kërkon që të eliminojë patriotët konsekuentë! Ky është edhe dallimi më i madh me patriotizmin e kohës së diktatorit Hoxha pas prishjes së tij me Kinën.

Ndërsa një e përbashkët tjetër ka të bëjë me faktin tjetër se diktatorin shqiptar të periudhës së komunizmit e duartrokisnin njerëzit më të varfër të Evropës, ndërsa pasardhësin e tij, liderin e sotëm global, e duartrokasin në Athinë me qindra emigrantë shqiptarë që regjimi i Ramës vetë i dëboi nga atdheu i tyre!

Në këtë kuptim nuk janë fajtorë vetëm autokratët e diktatorët, jemi ne fajtorët kryesorë që me dëshirë të madhe rendim pas mashtrimit!

Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte ndërtuar me tone harmonie me atmosferën nacionaliste të ideuar prej tij. Ndërkohë që fjalët ishin zgjedhur. Në fakt folësi me thinja “predikoi” bashkëpunimin shqiptaro-grek dhe luftë kundër nacionalizmit. Ai në thelb e ftoi Greqinë për paqen e projektuar në shpallje të pavarësisë së Shqipërisë me krijimin e një federate midis të dy vendeve. Fjalitë e tij që diferencojnë konceptin e popullit me konceptin e shtetit e konceptin e shtetit me atë të partive ishin ndoshta sinjali i asaj që e pret Shqipërinë pas këtij manifestimi patriotik. Pas “provokacias në Beogradin e vitit 2014 erdhën stuhi të shumta kundër Kosovës. Rama organizoi së bashku me Vuçiq ndarjen e saj, shuarjen e gjykatave për dënimin e krimeve të luftës, “harrimin” e gjenocidit serb në Kosovë, minishengenin dhe Open Balkan-in. Hartoi projektin e statutit të Komunave me Shumicë Serbe, si hap i parë i ndarjes së Kosovës. Lëvizi të gjithë gurët që kishte në dorë për ta realizuar projektin e Serbisë së Madhe në Kosovë e më gjerë. Por politikanët shqiptarë atdhetarë në Kosovë ia vunë kufijtë! Nuk e lanë të bëjë atë që donte! Më i zëshmi ishte dikur Ramush Haradinaj. Tani Rambo është tërheq dhe ia ka lënë bendin Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit!

Çfarë pritet të ndodhë pas manifestimit të djeshëm? Do ta shohim! Megjithatë, kur kryeministri i Shqipërisë sulmoi patriotët e vërtetë në Shqipëri, duke i barazuar me organizatat vorio-epirote në Greqi, e dha mesazhin e parapritës. Ai na tha se “Vetëm idetë e tij janë valide për shqiptarët. Nëse dikush do të kundërshtojë këto ide, atëherë ai bën herezi”! Ndaj dhe duhet të përgatitemi për një stuhi të re anti-shqiptare, nga ai që kujton se bën diellin dhe shiun në qiellin shqiptar e përtej tij!

 

Continue Reading

Shkrime

Hero i grekëve, kriminel i shqiptarëve, kush është Alfred Beleri?!

Kur përmend së fundmi marrëdhëniet Shqipëri Greqi, emri i parë që vjen në mendje është Alfred Beleri, e jo ndonjë lider politik i të dy vendeve. Kjo për shkak se një vit më parë, kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Alfred Beleri humbi lirinë, i kapur në flagrancë duke blerë vota.

Ky të paktën është versioni i Policisë që deri më tani ka marrë edhe aprovimin nga shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme Kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Por Alfred Beleri në vetvete është një emër i njohur prej shumë kohësh në skenën politike shqiptare. Emri i tij është lakuar që në vitin 1994 kur një grup terrorist i veshur me uniforma ushtarake greke të organizatës së quajtur MAVI sulmoi postën kufitare të Peshkëpisë duke vrarë dy ushtarakë shqiptarë.

Pikërisht si pjesë e këtij grupi është akuzuar Alfred Beleri, vërtetësia e të cilit nuk është provuar drejtpërdrejtë, por indirekt. Terroristët e Masakrës së Peshkëpisë grabitën armatimet e ushtarakëve shqiptarë, të cilat iu gjetën pak muaj më vonë Alfred Belerit dhe që u dënua me 18 muaj heqje lirie për armëmbajtje pa leje në Greqi.

Kalimi i viteve zbehu praninë e tij aktive në media, sidomos pas thirrjeve nacionaliste greke për urrejtje ndaj shqiptarëve. Për këtë akt të vitit 2006 ai është dënuar nga Gjykata e Vlorës, por sërish nuk bëri asnjë ditë burg pasi u konvertua me kusht.

Teksa opozita bojkotonte zgjedhjet e vitit 2019, Alfred Beleri bëri llogaritet e tij për të garuar në vendoret e 30 qershorit të atij viti për Bashkinë e Himarës. Por planet nuk i dolën pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e skualifikoi si kandidat për shkak të ndalesave që i rridhnin nga ligji i dekriminalizimit. Por kjo nuk e zbehu ambicien e tij për të garuar në një proces elektoral ku katër vite më vonë, ai ishte emri që do të sfidonte socialistët për bashkinë e Himarës pasi edhe vitet e ndalesës të dekriminalizimit ishin plotësuar.

Dalja e tij si kandidat erdhi pas marrëveshjes së Vangjel Dules dhe Rithemelimin e Sali Berishës, ku bashkitë me komunitet minoritar grek, do t’i përfaqësonte PBDNJ-ja dhe Himara do të bëhej arena e konfliktit politik në zgjedhje, aq sa vetë Edi Rama i kushtoi një pjesë të gjatë të fjalimeve Alfred Belerin.

Rastësia desh që fjalët e Ramës të përkonin me aksionin e policisë për arrestimin e Belerit, dhe ky veprim i uniformave blu, ka tensionuar jo pak marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve e cila reflektohet në dy dimensione. E para është bllokada ndaj procesit integrues, ku Greqia, tashmë prej një viti ka vendosur veton pa u shqetësuar as nga kritikat e shumta që i kanë ardhur nga vendet e tjera anëtare.

Dimensioni i dytë është angazhimi i politikanëve grek, që nga ata të Athinës deri te ata në Bruksel të cilët nuk kanë nguruar të futen në qelitë e paraburgimit për të mbështetur Belerin, dhe vënë në dyshim drejtësinë shqiptare. Madje, bindja e qeverisë greke në pafajësinë e Belerit arriti deri aty sa e kandidonte për zgjedhjet parlamentare europiane.

Tashmë fati i Belerit vijon të jetë aty ku ishte përpara 12 muajve, në dyert e drejtësisë, e cila së fundmi caktoi edhe trupin gjykues të apelit që do të shqyrtojë ankimin e shkallës së parë qëe dënoi me 2 vite për korrupsion në zgjedhje. Por një gjë duket se është e sigurt, korrupsioni zgjedhor në Shqipëri e gradoi atë në krye të politikës greke.

Continue Reading

Shkrime

Beogradi dhe Prishtina mirëpresin zbutje në kufi

Profesori amerikan Daniel Serwer, i cili njeh mjaftë mirë zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka shkruar rreth takimit të lamtumirës në Uashington në mes të dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak.

Serwer ka thënë se të dy janë diplomatë me përvojë që e njohin mirë rajonin dhe që kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Ai kujtoi se një prej çështjeve ku ka pasur mospajtim ka qenë Ballkani i Hapur, me SHBA-në që ka pasur qëndrim përkrahës ndërkohë që BE-ja e ka konsideruar si të panevojshëm dhe dyfishim i Procesit të Berlinit.

Serwer shkruan se megjithatë Escobar dhe Lajcak nuk arritën të prodhonin normalizim politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, synim ky që ishte prioritet i tyre kryesor.

Profesori amerikan u shpreh se të dy e kishin nisur keq dhe përfunduan edhe më keq.

“Ata i premtuan Beogradit se do kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar” – ka theksuar Serwer.

Profesori amerikan duke rikujtuar gjithë ngjarjet që kanë ndodhur përgjatë këtyre tri viteve potencoi se politika ndërkombëtare ka nevojë për një rivendosje. Sipas tij, është e qartë që politika perëndimore ndaj Serbisë nuk është duke funksionuar dhe se Uashingtoni e Berlini s’janë duke bërë shumë mirë në Kosovë.

“Prishtina ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe denoncimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në mënyrë të njëjtë. Vuçiç nuk është në gjendje ta bëjë këtë” – ka shkruar profesori amerikan.

Sipas tij, suksesi në negociata kërkon ndryshim të politikës. Serwer tha se dialogu për çështje teknike në të kaluarën ka qenë më i suksesshëm, duke qenë se ishte fokusuar në çështje që prodhonin përfitime të dukshme për qytetarët e të dy shtete…………………………….

“Pavarësisht zbatimit të ndotur, rezultatet ishin thelbësore. Edhe sot, Prishtina dhe Beogradi kanë bërë më mirë me çështje praktike si targat dhe dokumentet e identitetit, sesa me normalizimin politik”, potencoi profesori amerikan duke theksuar se kjo është rruga e duhur për të ardhmen, duke qenë se normalizimi politik duket shumë larg.

“Serbia nuk do të jetë e interesuar të dorëzojë pretendimet e saj për sovranitet në Kosovë derisa lufta në Ukrainë t’i japë fund aneksimeve ruse atje. Kosova nuk do të jetë e interesuar për formimin e Asociacionit derisa të ketë besim se Serbia pranon sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Por si Beogradi ashtu edhe Prishtina mund të mirëpresin zbutje përmes kufijve të tyre të ndërsjellë dhe duke mundësuar më shumë tregti të ligjshme”- ka deklaruar Daniel Serwer.

 

 

Continue Reading

Shkrime

Sebastian Zonja: Llafet e Ramës dhe projektet e Vuçiçit

Një shpjegim i shkurtër për vizitën e liderit kinez Shi Xhinping në Hungari dhe Serbi:

Një ndër projektet e mëdha që po financon Kina është Rruga e Mëndafshit. Duke ndërtuar hekurudha, porte dhe autostrada, gjiganti aziatik synon të vijë në zemër të tregut të madh evropian, Berlinit. Një nga rrugët në këtë pjesën tonë të Evropës është me anë të Danubit. Rruga ujore Danub -Moravë – Vardar – Deti Egje faktorizon Serbinë dhe Hungarinë, sepse të dy nuk kanë dalje në det.

Serbët e kanë si projekt gati. Ndërtimi i rrugës ujore të lundrueshme nga Danubi në Selanik konkuron me itinerarin Danub, Deti i Zi deri në detin Egje, teksa transporti lumor ka më shumë përparësi ndaj atij hekurudhor dhe rrugor, sepse ul kostot dhe ka avantazhe të mëdha në ngarkim dhe shkarkim, magazinim dhe mirëmbajtje të llojeve të ndryshme të mallrave si dhe sigurinë e tyre në tranzit. Po të lidhet me rrjetin evropian të kanaleve ujore dhe arterien Rin – Main – Danub, kanali Moravë – Vardar do të sjellë faktorizim të Serbisë dhe Hungarisë si dhe rritje të madhe të përfitimit ekonomik të Evropës Lindore dhe Perëndimore me fokus Greqinë, Serbinë dhe Hungarinë.

Nëse do të kishte sadopak strategji, qeveria shqiptare do të kishte përfunduar ndërtimin e Korridorit 8, autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe portin e madh të Durrësit. Të gjitha këto janë konform strategjisë evropiane dhe amerikane që e cilësojnë Kinën kundërshtar tregtar. Faktorizimi i portit të Durrësit vjen si konkurencë me portin e Pireut në Greqi që kanë blerë kinezët. Me anë të autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe më tej, çelësin në dorë për tregtinë ballkanike do të kishte Tirana, ndaj Serbia dhe Hungaria do detyroheshin të dilnin nga Durrësi, jo nga Greqia. Vendi ynë do të fitonte peshë të re gjeostrategjike në rajon. Kroacia, strategjikisht është pro një projekti të këtillë. BE-ja po ashtu. Amerikanët kanë dhënë sinjale pozitive. Ndërkohë, të gjitha këto mbeten në letër sepse kemi pasur kryeministër Sali Berishën dhe sot kemi Edi Ramën.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING