Connect with us

Aktualitet

Si spastruesja miliardere na nxorri të palarat, Shkrim nga Artan Fuga, Editorial NTV.AL

Kjo zonja vjedh-hajdute në banesat ku e kishin marrë si argate për pastrim, prishi kontratën tonë kombëtare në planin moral. Ajo veç aktit që është tjetër gjë, na tregoi se mbreti tani ka dale lakuriq! Po fare lakuriq! Ndërkaq ne nuk e shohim!

Të gjithë supozojnë se ka para që qarkullon ilegalisht nëpër dysheqe, nën dollape, futur në çizme, nëpër bodrume të thella ndërtesash, në çati. Mjafton presioni që bëhet për legalizimin e parasë informale, dhe gjithçka nënkuptohet!

Disave duke u ka ngel dopjogjashta në dorë. Kanë aq shumë para fshehur, sa edhe po ti harxhojnë pak e nga pak, nuk dalin vitet e shekullit 21 për t’i harxhuar. Prandaj, kanë një rrugë të vetme, të paguajnë që t’i legalizojnë!

Zonja vjedh-hajdute prishi edhe një kontratë tjetër, duke na nxjerrë të palarat. Të gjithë supozojnë që ka aq shumë të çara normative dhe institucionale në tenderime, dhënie projektesh publike, etj, sa duhet të ketë jo pak nëpunës që marrin ‘dhuratë’ nga firmat përfituese, prej dekadash, parà si shpërblim. Mund të bëhet fjalë për male parash!

Mos kishte nevojë të vidhte kjo pastruesja,  për të kuptuar ne si qytetarë që nuk përjashtohet se ka nëpunës dhe fëmijë nëpunësish të lartë që jetojnë krejtësisht jashtë mundësive të rregullta të fuqisë blerëse me rrogat që marrin? Aspak!

Nuk duhet të jesh specialist i filozofisë së hapësirës, por edhe duhet të jesh disi, për të “lexuar” disa shënja në hapësirë që tregojnë se brenda banesash duhet të ketë thesare parash! Mjafton të studjosh me kujdes disa ligjësi filozofike, disa urbanizime në fshatra a lagje të caktuara… mjafton të studiosh disa mure oborresh, disa forma arkitekturore apo edhe vend-ndodhje banesash, për të kuptuar se arkitekti apo urbanisti ka plotësuar dëshirën, frikën, ankthin e dhënësit të detyrës, pronarit, që të bëjë një kështjellë ku të ruhen thesare. Dhe jo vetëm për këtë…

Ndërkohë me këtë historinë e kësaj pastrueses mund të bëhet një roman që shumë shpejt mund të bëhet ‘best-seller’ botëror, por kush ta bëjë se?! Se mund të fantazosh me imagjinatë artistike për të bërë një roman, ku të tregosh se ajo, jo vetëm vidhte, por edhe shantazhonte ata që grabiste duke u thënë: Shiko, po më denoncuat, do ta hani keq!

Madje fantazia e romanit mund të shkojë edhe më shumë. Ajo në roman mund të paraqitet si personazh që pasi vidhte dhe pasi I gjente vendin parave për ti fshehur, u kërkonte punëdhënësve të saj çdo muaj lekë për të mos folur. Kështu romancieri mund të imagjinojë që në fakt argate nuk ishte ajo, por argatë ishin ata që fillimisht e kishin marrë si pastruese. Argatja u kthye në zonjë dhe zotërinjtë dhe zonjat u kthyen në argatë.

Këta të fundit mblidhen, në roman gjithmonë, dhe thonë: Si të bëjmë? Ose ta vrasim, ose njëri prej nesh të tregojë se është vjedhur që të shpëtojnë të tjerët!

Por, Sudja e kohëve të reja i ka kapur për tekstikulash ish argatët e vet. Madje ajo ishte aq e sigurt, saqë dilte me disa vetura lluksoze. Pastruesja shkonte me Mitsubishi për të pastruar! – Gjithmonë brenda romanit! Fantazi!

Në roman, burri i pastrues miliardere, pasi kjo e fundit bie në grackë, takon ministren e kontrollit të shtetit, e cila e pret në zyrë. Në roman nuk del qartë nëse e takoi, imagjinoi se e takoi, apo e takoi dhe të gjitha palët ranë dakord që ta lënë në errësirë nëse ishte një imagjinatë apo ngjarje reale.

Letërsia postmoderne kështu është. Nuk bën dallimin midis realitetit dhe fantazisë.

Personazhi “burri i pastrues” në fakt e takon ministren dhe i thotë se ka të dhëna për dhjetëra thesare të tjerë të fshehur nëpër banesa, meqë gruaja e tij e kishte informuar. Ministrja i lutet personazhit burrë që të mos ta bëjë këtë skandal.

Fabula e romanit ndërlikohet edhe më shumë kur personazhi “burrë” merr leje të takojë personazhin “grua” në paraburgim me një mesazh të fshehtë. As avokatit nuk i besohej.

Që nga ai çast, spastruesja u mbrojt duke thënë: Unë nuk e kuptoja që ishin parà! I mblidhja si letra të pavlefshme teksa pastroja banesën dhe njëherë në vit i digjja! Nejse. Djali dënohet tre muaj me afatin e paraburgimit. Personazhi grua bën dy vjet burg. Dhe pastaj romani tregon jetën e tyre diku në mërgim !

Mund të bëhet roman me shumë suspens, me shumë erotikë brenda, sfida, cmira, luftë për pushtet, intriga, etj.

Por, duhet një shkrimtar!

Ndërkaq pastruesja miliardere jo vetëm na prishi kontratën e heshtjes që ne kemi të gjithë, por edhe na nxorri të palarat. Gjithsesi na nxiti imagjinatën artistike.

Advertisement