Politike
“S’ka ngelur eskortë pa shkuar nëpër burgje”/ Blushi i ashpër: Meta s’flet dot as me avokatin

Deputeti i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka ngritur akuza të forta ndaj autoriteteve për mënyrën e trajtimit të presidentit të kësaj force politike, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej muajit tetor 2024.
I ftuar në studion e News24, Blushi deklaroi se ndaj Metës nuk ekziston asnjë provë që të justifikojë ndalimin dhe izolimin e tij ekstrem, duke theksuar se po i shkelen rëndë të drejtat bazë si person i paraburgosur.
“Ilir Meta mbahet pa prova në një izolim të plotë. I janë mohuar të gjitha të drejtat. Nuk i lejohet të takojë familjarë, deputetë, drejtues të partisë, madje edhe telefonin që e kishte të regjistruar në mënyrë të ligjshme ia kanë hequr,” tha Blushi.
Sipas tij, edhe pse ai vetë ka një leje të posaçme nga Prokuroria e Posaçme për të takuar Metën si drejtues i Partisë së Lirisë, kjo leje është anuluar pa asnjë njoftim zyrtar.
“Kam një autorizim nga SPAK për të takuar Ilir Metën, por më është hequr pa dhënë asnjë arsye. Madje edhe avokatit i ndalohet ta takojë në mënyrë të rregullt,” u shpreh Blushi.
Ai nuk kurseu as kritikat për gjendjen në burgjet shqiptare, të cilat, sipas tij, janë kthyer në vende degradimi ekstrem.
“Shikoni çfarë ndodh sot në burgjet e vendit! Janë kthyer në kuplara, nuk ka ngelur eskortë pa shëtitur lartë e poshtë me individë me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa një drejtues opozitar nuk lejohet të shohë as familjen,” deklaroi Blushi me tone të ashpra.

