Connect with us

Kosova

Skandaloze – Në Serbi krijohen video-lojra me masakrat në Kosovë, paraqitet dhe vrasja e Adem Jasharit

“Hyr në llogore, hyr në llogore. Ja ku e ke armikun, 200 metra larg teje, në shkurre (…)”, thotë një zë mashkulli, përderisa një ushtar i animuar i ik predhës virtuale.

“U vra. Snajperisti duket se po na sheh qartë nga ajo shkurre. Më mbuloni që të vrapoj dhe të hedh bombën”. Pas disa sekondash dëgjohet një shpërthim, por të shtënat vazhdojnë.

Kjo nuk është nga ndonjë film lufte, por bisedë e një grupi lojtarësh që po luanin një video-lojë, në të cilën një nga misionet është që pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska të parandalojnë forcat kroate të kryejnë operacionin ushtarak-policor “Stuhia”, i cili në jetën reale ndodhi në gusht të vitit 1995.

Sipas një hulumtimi nga Radio Evropa e Lirë (REL), në internet mund të gjenden disa video-lojëra në të cilat simulohen konfliktet ushtarake, që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e aty, si pjesë e misioneve, gjithashtu mund të “luhen’ edhe krimet e luftës.

Aktualisht, platforma më e famshme në Serbi është “Arma Srbija”, ku përdoruesit mblidhen për të luajtur njëkohësisht në kohë reale në internet.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën video-lojë, qitësi i parë, (First-personshooter – FPS), në të cilën lojtarët janë pjesë e një ushtrie të caktuar dhe luftojnë kundër robotëve kompjuterikë, që drejtojnë një ushtri rivale.

Ata publikojnë lojërat e tyre (lojtarë të video-lojërave) në platformën YouTube më të njëjtin emër, e cila ka rreth 2,400 ndjekës.

Kështu, më 23 tetor, u publikua një video e grupit me titull “Lufta aktuale: Operacioni Anti-terrorist në Rahovicë”. Lojtarët janë të veshur me uniforma të maskuara me shenjat e policisë serbe.

Loja zhvillohet në zonën e fshatit afër Preshevës, në jug të Serbisë dhe në përshkrimin e videos thuhet se operacioni, “pasoi provokimet e terroristëve shqiptarë pranë Rahovicës më 13 maj 2001”.

“Në atë ditë, nga drejtimi i rajonit Loki, në 6:10 të mëngjesit, u hap zjarr kundër këmbësorisë në një kodër mbi Rahovicë. Më vonë, në orën 7:00 të mëngjesit, nga drejtimi i fshatit Rahovicë, ekstremistët hapën zjarr ndaj pozicioneve të forcave të sigurisë”, thuhet në përshkrimin e misionit. Videoja ka rreth 900 shikime.

Presheva ndodhet në jug të Serbisë, dhe sipas regjistrimit të fundit, rreth 80 për qind e popullsisë janë shqiptarë. Operacioni “Rahovicë” në jetën reale ka ndodhur në maj të vitit 2001, kur forcat e armatosura jugosllave rrethuan fshatin etnikisht shqiptar Rahovicë, duke marr kontrollin mbi këtë fshat që kontrollohej nga pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Njëri nga misionet e “Arma Srbija” është edhe “Operacioni Jashari”, i cili simulon veprimin e policisë serbe në mars të vitit 1998, kur u vra njëri nga komandantët e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), Adem Jashari, së bashku me më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij.

“Detyra jonë është që të likuidojmë Adem Jasharin”, thuhet në përshkrimin e videos, e cila është publikuar në mars të vitit të kaluar dhe deri më tani, ka afro 85,000 shikime.

Në shkurt të vitit 2019, në këtë platformë u publikua edhe misioni tjetër, “Operacioni Reçak”. Në jetën reale, 45 civilë shqiptarë u vranë në operacionin e policisë serbe në janar të vitit 1999 në Reçak, ngjarje kjo që ishte një nga arsyet më të forta për bashkësinë ndërkombëtare për të filluar ndërhyrjen e NATO-s në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë më 24 mars 1999.

Në përshkrimin e operacionit në këtë video-lojë, maskara e Reçakut nuk përmendet fare.

“Sipas planit të operacionit, forcat e MUP-it (Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë) ishin të ndara në dy grupe. Grupi i parë kishte për detyrë të kapërcente llogoret mbi fshat dhe ta pushtonin atë, në mënyrë që të siguronin hyrjen dhe të bllokonin rrugën për tërheqjen e terroristëve. Ndërsa grupi i dytë do ta sulmonte vetë fshatin. I gjithë operacioni u mbështet nga njësia e brigadës 243 të mekanizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila mbante një pozicion në lindje të fshatit “, thuhet në përshkrimin e videos.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *