Connect with us

Kronike

Skema e njëjtë ekzekutimi në dy atentat e Shkodrës, dyshime se vrasjet kanë të njëjtin autor (DETAJET)

Në më pak se një javë dy atentate kanë tronditur Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Mbrëmjen e 4 shtatorit, 34-vjeçari, Kristjan Kola u ekzekutua teksa po pinte kafe si çdo natë në një lokal pranë kinema “Republika” në qendër të Shkodrës. Viktima ishte person pa precedentë penale, ndërsa ngjarja vijon e pazbardhur dhe autorët të paidentifikuar.

Ndërkohë paraditen e sotme, një tjetër lokal në qendër të qytetit u njollos nga gjaku. 29-vjeçari, Ragip Gila, teksa ishte në lëvizje me motor ka qëlluar breshëri plumbash në lokalin ku gjeti vdekjen e menjëhershme, Armando Pali dhe më pas rreth një orë pas tij ndërroi jetë dhe Liridon Kraja.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Eugen Vaso Barjoviç, shënjestra e dyshuar dhe kamarierja 25 vjeçe, Meri Kaceri. Kjo e fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës, ndërsa Vaso është dërguar në Tiranë pasi plumbat që ka marrë i kanë prekur arteriet kryesore, duke e bërë të nevojshme një ndërhyrje emergjente që realizohet vetëm tek spitali i Traumës.

Ka dyshime se të dy atentatet të jenë kryer nga i njëjti person. Sipas raportimeve, nga hetimet paraprake, autori i të dy ngjarjeve ka tipare fizike të ngjashme dhe përdor një mënyrë të ngjashme ekzekutimi. Këtë e përforcon dhe e shtëna me armë nga autori teksa ishte në motor. Gjithashtu në të dy atentatet autori kishte me vete armë dhe bidon benzine.

Një ditë pas vrasjes së Kristjan Kolës, u gjet i djegur një motomjet në një fshat të Shkodrës që dyshohet se i përkiste autorëve, ndonëse pritet të bëhet ekspertiza për të dhënë detaje të sakta.

Advertisement