Connect with us

Kosova

Skenari 3 në nivel ‘Tradhtie Kombëtare’/ Ose vazhdon kuvendi, ose Kosova në zgjedhje të reja

Nga Armat Matoshi

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, mandatar formal për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të mbajtur të dielen në Prishtinë. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se sivjet kanë parë “përpjekje të rrezikshme” për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor nga subjektet parlamentare që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.

“Nuk mbaj mend të ketë pasur – politikisht – vit si ky. Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Me apo pavetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje, qysh prej certifikimit të rezultateve, janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë: vetem një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa kuvend”, ka theksuar Konjufca para të pranishmëve në sallë.

Kjo mbledhje vjen një ditë pas masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime të mëtejshme, si dhe ua ndalon atyre zhvillimin e ndonjë procedure në funksion të formimit të qeverisë së re deri më 30 shtator. Megjithatë, ai ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar politik. Madje, numri i dy i Lëvizjes Vetëvendosje i ka dhënë edhe një ultimatum Gjykatës Kushtetuese.

“Ose do të çelet rruga që kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. E skenari i tretë që as nuk mund ta imagjinoj është më i keqi i mundshëm: një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, një skenar që i jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe. Ne e kemi kuvendin dhe do ta bëjmë qeverinë”, ka theksuar Konjufca.

Gjykatën Kushtetuese e ka sulmuar edhe Kurti gjatë fjalës së tij pas ngjitjes në foltore, duke e cilësuar vendimin e saj të paarsyeshëm dhe të dëmshëm. Ai nuk i ka kursyer kritikat, duke konsideruar se pesë nga gjashtë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë “relikte të trashëgimisë” së koalicionit të dikurshëm në pushtet, duke i akuzuar për “vonim, pengim dhe dëmtim” të proceseve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

“Në mes të mandatit tonë – që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon – qëndron Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje… Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, ka shtuar Kurti.

Advertisement