Connect with us

Aktualitet

Sot dhe nesër Ditë Zie Kombëtare për Kadarenë

Qeveria shqiptare ka shpallur të martën dhe të mërkurën, ditë zie kombëtare në nderim në shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.

Flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë në nderim të veprës dhe kontributit të shkrimtarit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të mbahen në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, të mërkurën në oraret 09:00-11:00 dhe 11:30-12:30.Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar disa herë për çmimin Nobel.

Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare dhe është përkthyer në 45 gjuhë. Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ka ndarë kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Advertisement