Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | 350 kilometra kufi incidentesh/ Kush hyn ku dhe përse?

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra. Në 24 vjet pas përfundimit të luftës, në këtë vijë kufitare që për Kosovën është kufi e për Serbinë vijë administrative, kanë ndodhur disa incidente.Një ka ndodhur në vitin 2012, kur njësitet speciale të Serbisë kanë arrestuar dy policë kufitarë të Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës. Një incident i ngjashëm ka ndodhur edhe më 14 qershor të këtij viti, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.Kosova thotë se ata janë arrestuar në territorin e saj, Serbia pretendon në të sajin, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se “mbetet e paqartë” se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit. Në fakt, në të dyja rastet, Serbia ka pretenduar se policët kosovarë kanë hyrë në territorin e saj dhe se ata nuk kanë të drejtë të shkelin në atë që njihet si “zonë neutrale”. Sipas palës serbe, në zonën neutrale në mes të Kosovës dhe Serbisë, të drejtë patrullimi kanë vetëm pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe forcat serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar Serbinë për, siç ka thënë, “rrëmbimin” e tre policëve në territorin e Kosovës. Si kontrollohet vija kufitare Kosovë – Serbi? Kosova dhe Serbia zyrtarisht nuk e kanë të kryer procesin e demarkacionit të kufirit. Megjithatë, kur është bërë demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2018 – me gjithë kundërshtimet politike në Prishtinë – si referencë është marrë Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, që është miratuar më 28 shkurt të vitit 1974 – asokohe nga ana e Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Kuvendit të Jugosllavisë.

Advertisement