Connect with us

Aktualitet

Speciale | Asociacioni, “gjallë apo ka vdekur”?

Në mendjen e Donika Gërvallës, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka “vdekur”. Megjithatë, ndërkombëtarët, më saktësisht ShBA-ja, po vazhdon ta përsërisë kërkesën për ta themeluar Asociacionin. A ka vdekur përnjëmend Asociacioni, siç po thotë Gërvalla? Në fakt, ka dy mendime për këtë çështje. Mendimi i parë është i Gërvallës, sipas së cilës Asociacioni ka vdekur, ndërsa mendimi i dytë është ai i ShBA-së, vend i cili e ka përsëritur nevojën për themelimin e Asociacionit. Ditë më parë, zonja Gërvalla foli për Asociacionin në një emision në Shqipëri. Përveç në emrin e saj, Gërvalla foli edhe në emër të ndërkombëtarëve. Sipas Gërvallës, Asociacioni ka vdekur për Kosovën dhe për ndërkombëtarët pas sulmit terrorist në Banjskë, ku një polic kosovar ra në krye të detyrës, ndërsa u vranë tre terroristë. “Të them të drejtën, pas së dielës, çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt, se pas së dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime: të mos e shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues. Asociacioni i 2013-shit është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Eskobari shumë qartë ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion, pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe” – deklaroi Gërvalla, transmeton Nacionale. Sidoqoftë, ndërkombëtarët, në emër të së cilëve foli Gërvalla, po këmbëngulin në themelimin e Asociacionit. Më saktësisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përsëritur kërkesën për themelimin e Asociacionit edhe pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Madje, për ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ngjarja e 24 shtatorit nuk do të ndodhte, nëse palët do t’i kishin zbatuar plotësisht detyrimet e tyre, sipas Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues.

Advertisement