Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Dëmi i madh për Kosovën nga ndëshkimi ndërkombëtar

Gjatë kësaj jave lajmi që zuri më shumë vend në media ishte ai që BE-ja tanimë kishte caktuar disa masa ndaj Kosovës. Kjo ngjalli reagime nga të gjitha palët, fillimisht kryeministri Kurti i quajti si “të padrejta”, opozita kritikoi Qeverinë dhe një pjesë e shoqërisë anoi nga Qeveria dhe pjesa tjetër nga opozita. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula dhe analisti politik, Arbnor Sadiku, kanë vlerësime të ndryshme për këtë situatë. Tashmë është konfirmuar se Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur masa kundër Kosovës, ashtu edhe siç ishte paralajmëruar. Këto masa vijnë për shkak të mos dëgjueshmërisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa u përket veprimeve në veri të vendit. Në konfirmimin e BE-së thuhej se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen. Ndërkohë takimet që s’do të pezulloheshin ishin ato në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Partitë opozitare reaguan menjëherë duke e fajësuar kryeministrin Kurti për situatën e krijuar. Tri ditë pasi u konfirmuan këto masa, më 4 korrik, erdhi edhe reagimi nga kreu i ekzekutivit Albin Kurti, i cili i quajti këto masa “të padrejta”, duke thënë se Kosova vetëm është duke e zbatuar ligjin ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se për qytetarët dhe “Kosovën politike” masat e BE-së nuk ishin të mirëseardhura, e sipas tij nuk janë as të qëndrueshme në kuptimin e arsyeshmërisë së tyre.

Advertisement