Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Forcohet veriu i Kosovës/ KFOR shton trupat për sigurinë

Në përgjigje të sulmit terrorist paraushtarak të 24 shtatorit, NATO po forcon misionin e saj paqeruajtës në Kosovë. Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar së fundmi për mediumin gjerman “Ëelt” se situata në veri të Kosovës është bërë “shkak” për “shqetësim të madh.” Rreth dy javë më parë, një formacion paramilitar terrorist, nën dyshimet e forta për koordinim me qeverinë e Beogradit u futën në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm që alarmoi Aleancën e Atlantikut të Veriut, doli të ishte një plan i detajuar ushtarak për “aneksimin total të veriut”. Në mes të frikës për përshkallëzim të mëtejshëm pas sulmit të 24 shtatorit, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuçia, kishte paralajmëruar përforcime shtesë në kuadër të misionin paqeruajtës. NATO lëshoi një deklaratë të premten, duke theksuar rëndësinë e këtyre dislokimeve për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin e saj të OKB-së për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës. “Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.” – thuhej në deklaratë. Ndërsa gjatë ditës së sotme, Shtabi Suprem i Fuqive Aleate të NATO-s, ka publikuar pamjet nga nisja e 200 ushtarëve britanikë për në Kosovë. “200 ushtarë të ushtrisë britanike po arrijnë në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR). Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.” – thuhet në reagimin e këtij shtabi. Më 1 tetor, Britania e Madhe bëri të ditur se do t’i dërgojë 400 ushtarë shtesë në Kosovë.

Advertisement