Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kosova, kushte BE për mallrat serbe

Qeveria e Kosovës në periudhën e ardhshme do të duhej të anulonte vendimin për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi, por pret që edhe Bashkimi Evropian t’i anulojë masat ndëshkuese ndaj Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL), ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Siç shpjegon ai, anulimin e vendimit për ndalimin e importit të mallrave serbe ia kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përveç tij edhe “disa diplomatë ndërkombëtarë”. Sipas Rashiqit, përgjigja e Kurtit ka qenë se ai, si kryeministër, dëshiron shtensionimin e plotë, por “që Bashkimi Evropian duhet të tregojë njëfarë mirëkuptimi”. Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur. Ndërkohë, lejohet hyrja e kamionëve me targa të Serbisë, por jo edhe qarkullimi i mallrave serbe. Dy muaj më vonë, një nga rezultatet e këtij vendimi është se pothuajse nuk ka produkte nga Serbia në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, për çka shkroi REL në fund të korrikut. Siç thonë banorët e Mitrovicës së Veriut dhe disa nga biznesmenët, për shkak të mungesës, ata i zëvendësuan produktet serbe “kundër vullnetit të tyre” me ato nga vendet e rajonit. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Kosovë thekson se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për të promovuar qarkullimin e lirë ndërkufitar të mallrave dhe jo të ndërmarrin veprime që do ta pengonin atë.

Advertisement