Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kosova “në dorë” të Evropës/ Për të diskutojnë Ministrat e Jashtëm të Unionit

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të hënën për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tensionet e fundit mes dy vendeve. Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, ministrat do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”. Pritet që para ministrave të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, dhe më pas të vazhdojnë diskutimet në këtë temë. Nuk priten konkluzione apo vendime formale, përveç diskutimit të masave që mund të marrë blloku evropian për t’i bindur palët që të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve. Bashkimi Evropian ka pritur se do të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli ka pasur me dy liderët në Bruksel, një javë më parë. Liderët nuk janë takuar me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç. Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave. Tensionet janë rritur edhe më kur autoritetet e Serbisë i kanë arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Kosova ka thënë se bëhet fjalë për rrëmbim, Serbia ka thënë se policët janë arrestuar në territorin serb.

Advertisement