Connect with us

Aktualitet

Speciale | Kosovë-Serbi/ Marrëveshje për marrëveshjen por edhe shumë pengesa

Diplomacia e ndërmjetësuesve të BE-së do të zgjasë deri në pjesën e dytë të marsit. Shumë pyetje mbeten të hapura, ndonëse palët janë dakorduar. Kosova dhe Serbia kanë rërë dakord lidhur me planin e Bashkimit Evropian për marrëveshje. Por plani nuk është nënshkruar dhe në rrugën prej ujdisë deri në zbatimin e marrëveshjes priten edhe shumë pengesa. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të hënën më 27 shkurt në Bruksel, njoftoi me gëzim se të dy të ftuarit, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, e kanë pranuar “propozimin evropian” dhe se nuk duan të diskutojnë më gjatë për këtë çështje. Borrell në fund filloi me analiza për suksesin dhe gjërat për të cilët palët janë dakorduar, që propozimi të jetë një bazë e qëndrueshme për një marrëveshje të përhershme. Bashkimi Evropian publikoi pak më vonë gati të njëjtin tekstqë është publikuar më parë edhe në disa media, e që quhej propozimi franko-gjerman. Siç u shpjegua, ky propozim duhet të jetë korniza për negociata të mëtejshme. Por plani nuk është nënshkruar dhe tani duhet të përcaktohet plani i zbatimit – çfarë, saktësisht si dhe në çfarë renditjeje do të zbatohet. E këtu ka mosmarrëveshje të mëdha mes palëve, sepse Kosova kërkon që marrëveshja të jetë pjesë e një njohjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Serbia kërkon zbatimin në rend të parë të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e më pas të flitet për gjëra të tjera. Dallimet u bënë të qarta menjëherë në deklaratat pas takimite më pas edhe pas kthimit të bashkëbiseduesve në vendet e tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sapo dolën nga takimi me Borrellin, ku u dakorduan me dokumentin, dhanë deklarata me pikëpamje të ndryshme. Vuçiqi insistonte që asociacioni të jetë pika numër një e marrëveshjes, ndërsa Kurti thoshte se kjo çështje është vetëm një nga pikat e shumta. Më pas presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka dhënë një intervistë për mediat serbe ku tha se është i gatshëm të flasë për të gjitha, por jo për njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Vuçiqi tha se këto janë “linjat e kuqe”, që nuk do t’i kalojë, ndonëse në propozimin e publikuar nga BE-ja thuhet qartë se palët “nuk do të kundërshtojnë njëra-tjetrën në anëtarësimin e tyre në organizatat ndërkombëtare”. Vuçiqi e ka pranuar pra dokumentin ku thuhet se nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk do të nxisë të tjerët ta pengojnë atë, ndërsa me t’u kthyer në Beograd tha se kjo është një linjë e kuqe që nuk do ta kalojë.

Advertisement