Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kundër rendit të ri botëror/ Çfarë dakordësuan Xi dhe Putin

Presidenti kinez, Xi Jinping, është larguar nga Moska pas një vizite treditore në kryeqytetin rus, ku takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Në këtë vizitë, të mbushur me simbolizëm, dy liderët shpalosën synimet e tyre për rendin e ri botëror. Por, çfarë realisht rezultoi nga takimi? Në mbrëmjen e 21 marsit, Xi dhe Putin e kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, pas bisedimeve që kanë zhvilluar në Kremlin, e në të cilat është trumbetuar “roli pozitiv” i Kinës dhe “pozicioni objektiv” i saj për luftën e Rusisë në Ukrainë. Dy liderët kanë prezantuar një mori marrëveshjesh, në të cilat janë detajuar planet për lidhjet ekonomike të së ardhmes dhe bashkëpunimi më i ngushtë mes mediave shtetërore të të dyja palëve. Në këtë takim është kritikuar edhe Perëndimi, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja. Nuk është harruar as pakti i ri për mbrojtje – AUKUS – në mes të Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Mirëpo, bisedimet nuk kanë rezultuar me marrëveshje vendimtare për çështje ekonomike dhe ndihmën që do t’i duhej Moskës për ta përballuar presionin e sanksioneve ekonomike, duke vënë kështu në pah mbështetjen e kufizuar të Kinës, dhe rritjen e çekuilibrit në mes të të dyja shteteve, e i cili i shkon për shtati Pekinit. “Synimi i Xi-së në këtë udhëtim ka qenë ruajtja e status quo-së me Rusinë, dhe jo lëvizja, as edhe një metër më afër, apo hapja e rrugës për bashkëpunim të ri”, ka shkruar Yu Jie, hulumtuese e lartë për Kinën në Institutin Chathan House, me bazë në Londër.

Advertisement