Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kurti tund shaminë e “valles së akuzave”, shtohen kërcimtarët

Taboret tashmë janë ndarë: në një anë janë liderët e Kosovës dhe, në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Liderët kosovarë, pra Albin Kurti, Besnik Bislimi, Donika Gërvalla, Glauk Konjufca, që të gjithë janë kritikë ndaj Miroslav Lajçakut, të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin e kanë akuzuar për anshmëri ndaj Serbisë. Ndërsa ShBA-ja e BE-ja janë “në një linjë” në përkrahje të Lajçakut. Çka tash? Dy analistë, më saktë Visar Ymeri dhe Albinot Maloku, janë në një mendje se dialogu është në një pikë nadir. Madje, Ymeri, gjatë debatit në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, vlerësoi se në rast të mosbesimit ndaj ndërmjetësit, atëherë procesi i dialogut duhet të ndërpritet. “Në një proces negociator ku njëra nga palët, si Kosova, tregon mosbesim gati absolut, karshi ndërmjetësit, pra BE-së, atëherë ai proces duhet të ndërprehet ose dikush nga akterët të ndërrohet. Kurti dje mundohej të thotë se problemin e ka me Lajcakun, por problemin e ka me BE-në, sepse Kurti ka problem me këtë lloj të procesit të dialogut, për dy arsye. Një që duke e shikuar nga jashtë e ka keqkuptuar procesin e dialogut, e dyta kur është futur brenda ka pasur më shumë besim në aftësi të veta sesa që është dashur të ketë. Më shumë besim te aftësitë e veta prej një intelektuali, diplomati e politikani.” – deklaroi Ymeri në “Debat Plus”. Ndërsa, politologu Maloku, në një përgjigje për gazetën Nacionale, theksoi se pozicioni i Kosovës në dialogun në Bruksel nuk ka qenë asnjëherë më i degraduar. “Pozicioni i Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka qenë asnjëherë me i degraduar se tani.

Advertisement