Connect with us

Aktualitet

Speciale | Kush po vret dhe përse viktimat janë shënjestra e gabuar?

Krimi në Shqipëri, godet atëherë kur askush nuk është i përgatitur për atë që do ndodhi, përveç dorës vrasëse që ka studiuar terrenin dhe shënjestrën e tij. Policia, në shumë pak raste, mund të ketë informacion për një ngjarje kriminale që pritet të ndodhë. Mbrëmjen e 12 marsit, një duzinë me plumba që dolën nga dy kallashnikovë, përshkuan xhamat e një lokali në Don Bosko në Tiranë. Viktimë mbeti Mimoza Paja, 58 vjeçe, teksa u plagosën 5 persona të tjerë, dhe një 10 vjeçare që e goditën cifalt e xhamave që u thyen nga breshëria e plumbave. Të plagosurit Shehat Murati, Astrit Memaj, Emanul Sala, Ermir Dejucku, Genc Shohalli dhe mbesa 10 vjeçare e banakieres së lokalit, e cila mbeti viktimë, janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Mimoza Paja, mes një jetë të vështirë, mbeti e vrarë në vendin e punës, aty ku fitonte ato pak të ardhura për mbijetesë. Të gjitha dyshimet e policisë janë që nuk ishte ajo shënjestra e atentatit. Dy autorët e ngjarjes kriminale e kryen krimin në lëvizje me motor, teksa nga rruga drejtuan armët drejt lokalit dhe zbrazën plumbat. Grupi hetimor ka një version për shënjestrën, ku jozyrtarisht thotë se ishte xhaxhai i pronarit të lokalit, Shehat Murati, i cili mori dy plumba në shpatull. Pra, autorët siç duket i dhanë një mesazh Fatjon Muratit, nipit të të plagosurit. Fatjon Murati është një personazh i njohur për lidhjet e tij me aktorë të tjerë në botën e krimit. Në fillim tetori të vitit të kaluar, ai u ndalua së bashku me Endrit Doklen, pasi ishte shpallur në kërkim për zotërim të një arsenali armësh të zbuluar në kryeqytet në zonën e Farkës. Gjykata e dënoi atë me burg, por më pas, masa e sigurisë iu zbut në arrest shtëpie. Edhe mbrëmjen e 12 marsit, ai duhej të ishte në shtëpi, duke vuajtur dënimin, por nuk rezultoi të ishte brenda në banesë. Emri i Fatjon Muratit u lidh edhe me vrasjen e trefishtë të 17 korrikut 2022, në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë në një atentat mafioz, Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Prokuroria në atë kohë, kishte një listë me emrat e personave të dyshuar që mund të ishin autorë të mundshëm apo persona që kishin dijeni mbi ngjarjen, mes tyre edhe Fatjon Murati.

Advertisement