Connect with us

Aktualitet

SPECIALE l Si çoi emri i Milan Radoiçiçit në përleshje fizike në Kuvend?

Emri i Milan Radoiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe i akuzuar për krime të ndryshme, në kërkim nga institucionet e drejtësisë dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, çoi në përleshje fizike në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës. Përleshjes i parapriu një debat i ashpër akuzash rreth një audio-incizimi, në të cilin kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, u dëgjua të pranonte se kishte komunikuar me Milan Radoiçiqin vitin e kaluar. Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e akuzoi Qeverinë se është e ‘kapur’ nga Milan Radoiçiqi. “Çfarë duhet të ndodhë më shumë për të kuptuar se ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, që ka urdhërarrest nga prokuroria?”, deklaroi Hoxha. Ndërsa, Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se komunikimi i Kusari – Lilës me Radoiçiqin, është bërë me leje të kryeministrit. “Ajo [bisedën me Radoiçiqin] e ka bërë me lejen e tij, por nëse ia ka dhënë detyrë t’i bëjë numrat, ia ka dhënë detyrë edhe ta bëjë komunikimin”, tha Gashi. Pak para përleshjes kryeministri Albin Kurti akuzoi qeveritë e kaluara, të cilat, sipas tij, kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin. “Kur kanë qenë qeveritë e kaluara, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Kontributi ynë është se është në hotelin Kopaonik, në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”, u shpreh Kurti.

Advertisement