Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Mbyllja e Ballkanit të Hapur/ BE e mirëpret me “krahë hapur”

Paralajmërimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkrirjen e ideve të nismës Ballkani i Hapur në Procesin e Berlinit do të mirëpritej nga shumë qarqe në Bashkimin Evropian. Deri më tash, Rama është shprehur vetëm në media se Ballkani i Hapur “e ka përmbyllur misionin e tij” dhe se idetë e kësaj nisme do të barten në Procesin e Berlinit. Në BE nuk ka pasur reagime zyrtare rreth këtij paralajmërimi, por, jozyrtarisht, disa diplomatë evropianë thonë për Radion Evropa e Lirë se “kjo do të mirëpritej” dhe se “do të ishte një lehtësim i madh për forcimin e Procesit të Berlinit dhe të proceseve tjera”. Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Nisma është kundërshtuar nga opozita në Shqipëri dhe është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Në kuadër të saj janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë. BE-ja ka qenë vazhdimisht e paqartë rreth kësaj nisme.Formalisht, nuk është shprehur kundër, sepse, në parim, mbështet çdo nismë që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal. Por, në anën tjetër, shumë qarqe në BE e kanë parë atë si dublifikim i proceseve ekzistuese, si: Tregu i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA e të tjera. Në pyetjen se a e mbështesin nismën Ballkani i Hapur, në BE gjithmonë janë përgjigjur duke thënë se “mbështesin çdo nismë për bashkëpunim rajonal, e cila është gjithëpërfshirëse” dhe në të cilën janë “të gjashtë partnerët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor”.

Advertisement