Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Merr autobuzin/ Nuk ka më bileta Low Cost në Rinas

Vitet e fundit të fluturoje nga Rinasi nëpër Europë u bë mjaft e lirë, si rrjedhojë e hyrjes së operatorëve me kosto të ulët (low cost). Për data të caktuara ishte e mundur që të gjeje një bilete vajtje ose ardhje për 20 euro, ose 40 euro vajtje-ardhje, sidomos në destinacionet drejt Italisë. Mesatarisht, edhe në destinacione të tjera, si Gjermania, apo Franca mund të blije bileta vajtje-ardhje 50-100 euro. Vetëm në periudhat e sezonit, si në verë, apo për festat e fundvitit, biletat ishin më të shtrenjta. Por, këtë vit, çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Sipas një vëzhgimi të “Monitor” në faqet zyrtare të kompanive ajrore në vend, është pothuajse e pamundur që të gjesh bileta të lira. Me përjashtim të destinacioneve italiane në ditë të caktuara, përgjithësisht një biletë vajtje-ardhje tashmë kushton mesatarisht midis 110-200 euro. Biletat më të lira janë në destinacionet italiane, ku mund të gjesh edhe me 70 euro-100 (dy drejtime) për në maj, por më pas në qershor çmimet dyfishohen. Në gusht, nëse i pret sot arrijnë 400-500 euro (dy drejtime) për të gjitha destinacionet. Por, burime nga “Wizz AIr”, operatori më i madh në treg kanë pohuar më herët për Monitor, se duke qenë se pas pandemisë ka ndryshuar algoritmi për blerjen e biletave, nëse shikon çmimet për një afat më të gjatë se 3 muaj, automatikisht ato janë më të shtrenjta, pasi supozohet që personi që do të presë biletën kaq herët e ka të sigurt që do të udhëtojë. Gjithsesi, përgjithësisht në gusht, çmimet shtrenjtohen ndjeshëm, kurdo që t’i presësh.

Advertisement