Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Parlamenti Evropian dënon sulmin e 24 shtatorit/ Ndëshkohet Serbia

Parlamenti Evropian (PE) do të dënojë ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. Këto janë përfshirë në draft-rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës. Teksti i kësaj rezolute, që do të hidhet në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE. Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës. Në tekstin e draft-rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë. “Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës, në të cilën u bëhet ftesë të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që deri më tani nuk e kanë dënuar këtë sulm, ta bëjnë një gjë të tillë.

Advertisement