Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Përse serbët sulmuan NATO-n?/ Ja si përfiton Vuçiç nga dhuna

Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën pasi u sulmuan nga serbët etnikë në veri të Kosovës gjatë protestave kundër vendosjes së kryebashkiakëve shqiptarë. Dhuna shpërtheu pasi demonstruesit serbë u përpoqën të bllokonin kryetarët e sapozgjedhur të komunave të merrnin detyrën në qytetin veçrior të Zveçanit të hënën, pas zgjedhjeve të diskutueshme në prill. Teksa kjo lloj dhune kundër paqeruajtësve është e rrallë, tensionet janë rritur në rajon muajt e fundit, të nxitura nga përçarje të thella historike. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998-99, në të cilën shqiptarët e Kosovës u përpoqën të shkëputeshin nga ajo që atëherë ishte Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi i sotëm. NATO u fut në luftë për të mbrojtur shumicën shqiptare të Kosovës. Serbia e sheh Kosovën si një pjesë të shkëputur dhe nuk e njeh pavarësinë e saj. Serbët e Kosovës e shohin veten si pjesë e Serbisë dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, në vend të Prishtinës. Shumica e serbëve të Kosovës – më pak se 1/10 e popullsisë së përgjithshme – jetojnë në rajonet veriore dhe kanë kërkuar gjithnjë e më shumë autonomi nga shumica etnike shqiptare. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 e ndërmjetësuar nga BE-ja u përpoq të normalizonte marrëdhëniet midis dy vendeve. Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia mund të krijojë komuna autonome në rajonin verior, por këto do të duhet të funksionojnë sipas sistemit ligjor kosovar, me policinë kosovare që mbetet e vetmja forcë policore. Më shumë se një dekadë më vonë, këto komuna nuk janë krijuar, duke i lënë të acarohen mosmarrëveshjet mbi shkallën e autonomisë për serbët e Kosovës. Edhe detajet në dukje të vogla mund të shkaktojnë shpërthime të mëdha. Për vite me radhë, Kosova ka dashur që serbët t’i ndërrojnë targat e veturave nga serbe në ato të Prishtinës. Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës njoftoi një periudhë 2-mujore në të cilën targat duhej të ndërroheshin, por e shtyu datën pas protestave.

Advertisement