Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | SHBA “braktis” Kosovën/ “Provo të të njohin pa ne”

Lëndimi i raporteve me SHBA-të shkaku i tensioneve në veri do të sillte pasoja të mëdha për Kosovën. Këto pasoja më evidente do të jenë në fushën e politikës së jashtme, ku përkrahja e Kosovës nga SHBA-së është jetike. Paralajmërimet e SHBA-së se më nuk do të angazhohet për të ndihmuar Kosovën në sjelljen e njohjeve të reja dhe në anëtarësimet në organizatat të ndryshme ndërkombëtare, po konsiderohet si tejet shqetësuese nga njohësit e politikes së jashtme. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur heshtjen përballë këtyre paralajmërimeve. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dje para deputetëve nuk ka treguar se cili është plani i Kosovës në këtë situatë. Duke injoruar pyetjet e deputetëve për këtë çështje, ajo është marrë me mbrojtjen e kryeministrit Kurti. Analisti Visal Ymeri ka thënë se pa përkrahjen e SHBA-së Kosova do ta ketë vështirë në arenën ndërkombëtare. “Në fakt çka kemi parë ne është që kanë filluar të zbatohen një listë sanksionesh nga ShBA-ja. Pra përjashtimi nga ‘Defender 2023’, me qortimet e vërejtjet goxha serioze të ambasadorit amerikan, të cilët i ka thënë para mediave e ndër të cilët më shqetësuese është që ShBA-ja s’do të bëjë asnjë hap në përkrahje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare tash e tutje”, ka thënë ai për EO. Të njëjta shqetësime ka shprehur edhe opozita. Në seancën e djeshme parlamentare, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar nga ministrja Gërvalla të tregon nëse ka ndonjë plan për njohje. “Cili është plani B për njohjet, kur del sekretari i shtetit, del ambasadori amerikan, dalin shtetet e QUINT-it dhe të thonë se ne nuk kemi gatishmëri ta përkrahim Kosovën për njohje të reja e anëtarësim në organizata”, ka deklaruar Musliu-Shoshi. Ajo e ka bërë me dije se shumica e njohjeve që i kanë ardhur Kosovës kanë qenë me ndihem e SHBA-së.

Advertisement