Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Shqipërinë po e “kalb” korrupsioni/ DASH “nxin” qeverinë

Mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit; mungesa e mediave të pavarura; dhe korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale, ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, të botuar sot. Ndonëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, “presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raport. Në raport vëren se ka patur edhe përparim, duke përmendur Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) i cili gjatë vitit të kaluar ka hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarët e lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar, të përfshirë në korrupsion. Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private. Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj. Sipas raportit, vëzhguesit pohojnë se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”. Ka media të lira dhe një përhapje të madhe të organeve të medias, veçanërisht në internet, që përfaqësojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh pa përgjegjësi, shpesh pa e atribuar informacionin. “Megjithatë, janë të pakta mediat e pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me peshë që kanë interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, përfshirë përfitimin dhe nxitjen e interesave që kanë me partitë politike”, thuhet në raport. Departamentit i Shtetit thotë gjithashtu se ka pasur raporte të besueshme sipas së cilave, përfaqësuesit e lartë të mediave përdornin organet e tyre për të ushtruar shantazh ndaj bizneseve, duke i kërcënuar ato me pasqyrim negativ. “Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët thuhet se kanë praktikuar autocensurë”, thuhet në raport.

Advertisement