Connect with us

Aktualitet

Speciale | Shqiptarët të mbytur në kredi

Viti 2023 nisi me një rritje të lehtë të raportit të kredive me probleme. Ky tregues arriti në 5.1%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja erdhi sidomos nga tkurrja e madhësisë së portofolit të kredisë për ekonominë, ndërsa nuk është vërejtur ende një rritje shqetësuese e stokut të kredive me probleme. Megjithatë, bazuar në projeksionet e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, një rritje e lehtë e raportit të kredive me probleme është e pritshme për vitin 2023. Faktorët kryesorë që mund të sjellin një rritje të këtij raporti janë ngadalësimi i ekonomisë, inflacioni ende i lartë, rritja e normave të interesit dhe frenimi i kreditimit. Sipas skenarëve të parashikimit, rritja e raportit të kredive me probleme mund të arrijë deri në intervalin e 2-3 pikë përqindje. Megjithëse deri tani nuk vërehet një rritje e mirëfilltë e raportit të kredive me probleme, burime nga sektori financiar bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë po merr në konsideratë disa masa si përgjigje ndaj një rritjeje të mundshme të raportit të kredive me probleme. Mekanizmi kryesor mund të jetë lehtësimi i ristrukturimit të kredive. Ky instrument u përdor edhe gjatë periudhës së pandemisë dhe rezultoi mjaft efikas për të mbajtur nën kontroll treguesin e kredive me probleme. Lehtësimi i ristrukturimit konsiston kryesisht në pezullimin e përkohshëm të disa kërkesave rregullatore. Kuadri i Bankës së Shqipërisë për administrimin e rrezikut të kredisë së bankave parashikon që, në rast se një kredi ristrukturohet, ajo duhet të klasifikohet automatikisht si kredi me probleme, edhe në rastet kur ajo është shlyer rregullisht deri në momentin e ristrukturimit. Rregullorja kërkon që në vazhdim kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit.

Advertisement