Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Si mund të dorëzohet Radojiçiç në Kosovë?

Që Serbia ta dorëzojë Millan Radoiçiqin dhe të përfshirët e tjerë të dyshuar në sulmin në Banjskë – ashtu siç bëjnë thirrje autoritetet e Kosovës – organet e drejtësisë duhet t’i kalojnë disa procedura, por edhe atëherë “gjasat janë të vogla”. Radoiçiq do të mund të dorëzohej nëse Serbia do ta njihte Kosovën si shtet sovran dhe do të kishte marrëveshje ekstradimi me të. Meqë ky nuk është rasti, fletarrestimi ndërkombëtar duhet të lëshohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK. Radoiçiq u lirua të mërkurën nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua, nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme. Atij iu ndalua, po ashtu, shkuarja në Kosovë. Javën e kaluar, autoritetet e Kosovës e bënë përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb. Radoiçiq e pranoi përgjegjësinë përmes avokatit të tij në Beograd. Autoritetet e Kosovës thanë se prapa tij qëndron udhëheqja shtetërore serbe, e cila synoi “aneksimin e veriut të Kosovës”, por Serbia mohoi se ka gisht.

Advertisement