Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Veriu pa demokraci/ Perëndimi kërkon shmangien e forcës nga palët

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb. QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Përmes një deklarate të përbashkët, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”. Deklarata e QUINT-it erdhi një ditë para se kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të bëjë betimin në ndërtesën e kësaj komune. Duke theksuar nevojën për të shmangur veprimet apo iniciativat që nuk u shërbejnë interesave të popullit apo përkeqësojnë tensionet, deklarata e përbashkët thekson se kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale duhet të përmbahen nga ushtrimi i kompetencave përtej mandateve të tyre administrative. Në deklaratë, vendet më me ndikim nënvizojnë se procesi i marrjes së detyrës nuk kërkon që kryetarët e bashkive të bëjnë betimin në zyrat komunale dhe se “nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – as nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet”.

Advertisement